E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Nëse nuk votoni dot PS, qëndroni në shtëpi dhe mos u hidhni në kënetë

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin elektoral për zgjedhjet e 11 majit që zhvilloi sot në Korçë, i bëri thirrje qytetarëve korçarë të bashkohen duke votuar numrin 5, fatin europian të Shqipërisë.

“Unë nuk e votoja dot ‘bufin’, se ia kisha ndjerë erën që herën e parë që pashë dhe kush nuk pranon të votojë zgjedh opsionin më të fortë në këtë pikë, siç bëra unë atëherë, nuk shkova të votoja. Nëse nuk duan të votojnë 5-n dhe PS, nëse kanë sqimë, le të shohin listën e plotë, si e duan djalë, vajzë, burrë a grua, ose të rrinë në shtëpi, të mos dalin fare. Jo të lahen, të krihen, të rruhen e vishen si për dasmë dhe të dalin e të hidhen në ‘kënetë’. Të tjerët të na bashkohen ne, është historia që na ka ardhur në dorë, fati europian që ne ta përmbushim e realizojmë me duart tona”, tha Rama.

Ne duhet ta shohim më tutje projeksionin europian dhe se si do të jemi nesër, nëse bëjmë gjënë e duhur të dielën, u shpreh Rama.

Rama u bëri thirrje të gjithë emigrantëve të qarkut të Korçës në Greqi që të shkojnë këto ditë të mbetura dhe të tërheqin zarfin, sepse pasaporta europiane u jep edhe njohjen e pensioneve.

“Ju bëj thirrje ju shqiptarëve të Greqisë që të mos mungoni në këtë takim me historinë, sepse Shqipëria në BE dhe pasaporta europiane i jep fund radhëve dhe burokracive për leje pune, qëndrimi etj., dhe i jep fund atij ankthi që ka nisur të shtrihet në zemrat e shumë prindërve, që e lanë me lot dhe gjak tokën e Greqisë për fëmijët e tyre dhe tani nuk e dinë nëse do të marrin dot një pension, a do t’ua njohë shteti grek dhe a do të mundi dot shteti jonë të bindi Greqinë për gjithë ato kontribute që kanë dhënë shqiptarët”, tha Rama.

Rama theksoi se, pa shqiptarët e Greqisë, Greqia nuk do t’i mbijetonte dot krizave të veta, por për ta zgjidhur çështjen e pensioneve, duhet të bërë marrëveshje me shtetin grek, që nuk dihet sa zgjat dhe sa vite do të vazhdojë.

“Fati europian që na ka ardhur sot në dorë, na hap një mundësi të re. Duke marrë pasaportën europiane shqiptarët marrin statusin e të barabartit me qytetarët europianë për çdo gjë dhe ka brenda edhe njohjen e pensionit. Kjo do të thotë që pasaporta kuqezi në Greqi do të jetë e barabartë me pasaportën bardheblu”, u shpreh Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›