E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama – diasporës: Ktheni zarfet me vota si zogjtë e shpresës dhe të fatit evropian të Shqipërisë

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, pas takimit elektoral përmbyllës në Korçë, ka shpërndarë një videomesazh, nga ku falënderon të gjithë të pranishmit në atë takim që Rama e cilësoi jashtëzakonisht të bukur, me energji dhe prezencë të madhe.

Kryeministri u shpreh se nuk ishte bërë ndonjëherë takim fushate në atë lloj sheshi dhe me atë lloj shtrirjeje, ndaj zgjodhi që të falënderoj korçaret dhe korçarët që, sipas tij, ishin fantastikë sot.

“Thashë t’ua them edhe një herë të tërë atyre korçarëve dhe korçareve jo që nuk ishin në shesh, por që nuk janë pjesë ende e këtij lumi që po fryhet dhe po fryhet dhe do derdhet në 11 maj dhe do të përmbysë me ngjyrat e Shqipërisë dhe Evropës kutitë e votimit dhe që janë ende me syrin, se s’po them me shpirtin, se për ata është vonë tani, por me syrin nga “këneta””, tha Rama.

“Të gjithë engjëjt e Korçës janë rilindësit, janë ata që ikën në Amerikë njëherë e një kohë dhe që sollën që andej në Korçë jo thjesht para, donacione, por kulturë që ikën në Evropë. Engjëjt e Korçës janë krijuesit, artistët, fotografët, koleksionistët e mëdhenj; engjëjt e Korçës janë këngëtarët dhe patjetër rilindësit, mësuesit e Mësonjëtores, të tërë ata e deri te rrobaqepësit e jashtëzakonshëm që ka pasur Korça, që i kanë dhënë shijen unikale të Evropës një province të Shqipërisë që quhej Parisi i Vogël”, pohoi Rama, teksa shtoi se të gjithë ata janë të ofenduar dhe të pështyrë nga stërkalat e klithmave pornopolitike të asaj kënete në Pallatin e Sportit.

“Korça s’duhet t’i fali! Do doja të kisha një votë në Korçë vetëm për të marrë hak për atë shfaqje të llahtarshme”, tha Rama.

Ndër të tjera, Kryeministri ripërsëriti në videomesazh thirrjen për të gjithë shqiptarët nga Korça dhe që jetojnë në Greqi, për shqiptarët nga Maliqi, Devolli, Kolonja, Pogradeci dhe që jetojnë në Selanik, Athinë apo në ishuj, që janë regjistruar si votues nga jashtë, që të nxitojnë për të kthyer zarfin me votën e tyre për 11 majin.

Rama nënvizoi thirrjen sidomos për shqiptarët që jetojnë në ishujt e Greqisë që të nxitojnë të kthejnë votën që kanë marrë në zarf, sepse nesër është afati i fundit.

“Dhe është një mëkat i madh që të mos e japin kontributin e tyre për Shqipërinë më në fund në familjen evropiane dhe për pasaportën evropiane pasi kanë bërë mundimin që të regjistrohen si votues dhe të gjithë të tjerët të kthejnë zarfet. Shpërndarja ka vazhduar, por duhen kthyer zarfet. Duhen kthyer votat në Shqipëri, duhen dërguar zogjtë e shpresës dhe të fatit evropian të Shqipërisë. Si tufa zogjsh duhet të vinë votat”, pohoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›