E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzimi i statusit nga BE-ja, PS-PD debat për përgjegjësinë

Mazhoranca dhe opozita janë përplasur dje fort në komisionin parlamentar të Integrimit për përgjegjësitë që do të ketë secila prej tyre në rast se në tetor përgjigjja e Bashkimit Europian do të jetë refuzuese për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Në pritje të progres-raportit të radhës të Bashkimit Europian, që pritet të bëhet publik brenda dhjetëditëshit të parë të tetorit, opozita dhe mazhoranca fajësojnë njëra-tjetrën për një përgjigje të mundshme negative. Ministrja Majlinda Bregu, gjatë seancës dëgjimore në komisionin e Integrimit, akuzoi të majtët se kanë bllokuar procesin me bojkotin e tyre. Pavarësisht gabimeve të së shkuarës, Bregu ka ftuar opozitën që të nisë sa nuk është votojnë të luajë rolin e saj për të miratuar ligjet me 3/5 si dhe të propozojë emrin e Avokatit të Popullit. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës, e cila fillimisht me anë të kryetares së komisionit të Integrimit ka bërë të qartë se ajo që duhet të mbajë përgjegjësi është qeveria, e cila me politikat e saj ka bërë që shumë nga çështjet e shtruara për zgjidhje nga BE-ja të mos kenë përparim. Ndërkohë ajo ka kritikuar edhe filozofinë e ndjekur nga mazhoranca, kur i ofron opozitës vendin e Avokatit të Popullit, duke e konsideruar këtë rrugë si jo të duhurën, pasi kështu nuk shihen kriteret profesionale, por ato politike. Ndërkohë që deputeti tjetër socialist Ditmir Bushati, duke marrë në analizë të 12 rekomandimet, ka theksuar se tashmë është e qartë se koha që ka mbetur në dispozicion është e pamjaftueshme për plotësimin e tyre dhe për rrjedhojë edhe për të shpresuar për një përgjigje pozitive për statusin. “Dua të jem i ndershëm dhe i sinqertë me opinionin publik, që nuk pres ndonjë surprizë nga Raport Progresi që do të publikohet më 12 tetor e as nga takimi që do të bëjë qeveria kësaj jave në Bruksel, pasi koha në dispozicion që ka mbetur është e pamjaftueshme”, - tha Bushati. Ndërkohë që akoma më i ashpër në qëndrimin e vet ka qenë deputeti tjetër socialist Balla, i cili teksa ka akuzuar ministren Bregu se është e fiksuar në raportin e ODIHR-it si personi që ka detyruar administratën e Ministrisë së saj për të dalë në fushatë zgjedhore, ka kërkuar dorëheqjen e saj, si e vetmja mundësi për të zhbllokuar situatën në procesin integrues. “Ju vetë, zonja ministre, jeni fotografuar personalisht si drejtuese e institucionit të ministrisë suaj, në raportin përfundimtar të ODIHR, ku thuhet qartë se punonjësve të administratës civile në një ministri iu kërkua nga departamenti i burimeve njerëzore të marrin pjesë në mitingjet e PD dhe pjesëmarrja e tyre u kontrollua. Kjo është ministria e juaj, zonja ministre”, - u shpreh Balla, ndërsa ka aluduar edhe për lidhje të ministres Bregu me elementë të krimit, që sot po gjykohen në një nga gjykatat e Italisë. Kjo ka tensionuar situatën në komision, pasi ministrja Bregu ka reaguar ashpër ndaj këtyre akuzave, duke i bërë të ditur deputetit Balla se loja që po bën opozita me ligjet me 3/5 kërkon t’i hedhë hi syve mazhorancës, duke kërkuar që të heqë përgjegjësitë që ka për procesin e integrimit. “Në rast se ju zoti Balla e keni ndarë mendjen për të mos votuar ligjet dhe të na hidhni një hi syve gjatë procesit, besoj se këtë në taktikë ju e keni ndarë mendjen për të mos votuar e të thoni në 12 tetor se ne ishim në Parlament, se ne ishim në Kuvend dhe nuk u pranua statusi dhe të thoni se faji nuk është i opozitës, por i qeverisë, ta keni të qartë se këtë lojën e rëndomtë që e kuptojnë edhe kalamajtë që janë në kopsht, nuk ka qytetar që nuk e kupton. Sikurse nuk ka qytetar që nuk e di se dy vjet bllokimi i ligjeve në Parlament është strategji e zgjedhur vetëm për të bllokuar procesin e integrimit. Pastaj për sa i takon akuzës tjetër për administratën, ti zotëri që ke kënduar këngë për xhaxhin Enver, kur xhaxhi Enver kishte vdekur, nuk pret njeri që të japësh kontribut të hajrit në dobi të procesit të integrimit të vendit”, - tha Bregu duke u larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›