E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Nxorëm nga llumi “Marubin” e Xhaminë e Plumbit, muze kombëtar për Krimet e Komunizmit në Shkodër

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njëherazi kryetari i Partisë Socialsite, deklaroi sot nga Shkodra se, një sërë asetesh kulturore dhe historike të Shkodrës, vetëm gjatë këtyre viteve të fundit, kanë dalë në dritën e transformimit bashkëkohor dhe po kthehen në vlerë për shoqërinë dhe ekonominë e Shkodrës.

Në takimin përmbyllës elektoral të PS në Shkodër, Rama tha se “Muzeu i Krimeve të Komunizmit, i lënë pas dore, madje në gjendje të mjerueshme, sot po trasformohet në vendin dinjitoz për të treguar historinë e persekutimit të klerikëve dhe të Shkodrës”.

“Kush po e bën Muzeun e Kujtesës së gjithë torturave që i kanë bërë komunistat këtij qyteti, i kanë bërë priftërinjve hoxhallarëve? Pse nuk e bëri bufi? Pse nuk e bëri këneta në gjithë këto vite, por bën një muze si dyqan vodafoni ku nuk kishte karta, një shëmti dhe skandal. Dhe të gjitha këto sepse bufi nuk do të shofi asnjë gjë tjetër përveç kënetës dhe ai të mbretërojë”, u shpreh Rama, teksa tha se sot Muzeu i Kujtesës do të bëhet një Muze Kombëtar si ai i Marubit.

“Marubi është krenari e Shkodrës. Megjithë respektin për ata që rrëzuan bustin e Stalinit, po krenaria kombëtare, historike e vendit dhe e Shkodrës është dinastia e Murubëve. Muzeu i Marubit para disa javëve u fut zyrtarisht në regjistrin e pasurive kulturore botërore, dhe për këtë ka kontribuar vetë Shkodra. Tani kush e bëri Marubin gati për të hyrë në atë regjistër. E dini ju se si e kemi gjetur ne atë pasuri, në thasë sikur të ishin patate dhe unë duan të falenderoj Luçianin, një djalë demokrat por me mend, si Beneti. Por ai djalë meriton të kujtohet në historinë e Shkodrës se ai është si ai që shpëtoi Akropolin nga bombardimi”, tha Rama.

Rama solli në vëmendje se edhe “Xhaminë e Plumbit”, ishte kjo qeveri që e solli në dritë.

“Një kryevepër në historinë e arkitekturës dhe një perlë në librin e arkitekturës fetare, xhamia e Plimbit ishte e zhytur në llum dhe ne e nxorëm në dritë. Dhe ai më thotë mua kominist, që kur unë kërkoja lirimin e të burgosurve politikë dhe rishikimin e kultit të Enever Hoxhës, bufi thoshte ky do të nxjerri llumin e shoqërisë nga burgu”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama solli në vëmendje dhe disa zhvillime transformuese në Shkodër.

“Po rezidencën e Komunitetit Mysliman, kush ia dha, nuk ia ka dhënë akoma, e është një parti këtu në Këshillin Bashkiak që nuk po e voton sikurse nuk po voton edhe plazhet e Velipojës, po kjo është histori tjetër”, u shpreh Rama.

“Po stadiumin kush ia bëri Shkodrës, Vllaznisë, një nga krenaritë e Shkodrës kush ia bëri stadiumin. Po teatrin “Migjeni”. Kush i shpëtoi nga korenti aktorët e teatrit dhe kush e bëri teatrin, teatër. Për të mos vijuar me hyrjen e Shkodrës, që kur hyje në Shkodër sikur hyje në Afganistan. Nuk shihje as liqen dhe asgjë, vetëm disa ndërtime të tmerrshme si ato që kam prishur unë te Lana në 2001 -2002. Akoma hyrja e Shkodrës ishte si Lana e 2001, se ky ishte vizioni madhështor i kënetës. Atë dinë të bëjnë gjithë jetën, kur kanë pasur gjë në dorë. E në këto kushte si mund të diskutojmë ne këto gjëra kur Shqipëria është ulur në tryezën e BE për të negociuar anëtarësimin”, deklaroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›