E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: PS do vazhdojë politikën e saj të dorës së shtrirë

TIRANE-Kryetari i PS, Edi Rama shprehu sot keqardhjen për reagimin e deputetëve të PD në Komisionin e Ligjeve, lidhur me tryezën publike të opozitës mbi drejtësinë në sfidën e integrimit. Sipas Ramës, përgjigja e sotme për mospjesmarrje ishte brutale dhe mungesa e pajustifikuar.

Zyra e Shtypit e selisë rozë thekson se PS do të vijojë pët punojë për integrimin e vendit duke ofruar bashkëpunim në këtë prizëm.
“Megjithatë Partia Socialiste do të vazhdojë politikën e saj të dorës së shtrirë për të mundësuar integrimin e vendit dhe mospërsëritjen e dështimit dramatik për të tretën herë.
Se kush e ka përgjegjësinë kryesore për dy dështimet rresht këtë e thotë qartë Progres Raporti dhe e shpjegoi me një elokuencë të admirueshme Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës vetëm pak ditë më parë. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Kemi ofruar një pakt dhe s’do rreshtim së ofruari ide europianizuese dhe përkushtim patriotik. Shqiptarët le të bëjnë dallimin”.

Më tej njoftimi i shtypit i PS thekson se së shpejti do botohen dhe rezultatet e tryezës për Reformën në Drejtësi.
“Ky është rasti për t’i falënderuar të gjithë kontributorët e nderuar të Tryezës dhe të gjithë partnerët e miqtë ndërkombëtarë, të cilët iu përgjigjën pa asnjë përjashtim ftesës së deputetëve tanë të Komisionit të Ligjeve për të qenë të pranishëm. Së shpejti ne do të publikojmë Raportin e Tryezës me kontributet e zgjeruara të të gjithë pjesëmarrësve”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›