Rama: PS mbetet e gatshme për konsensusin, nuk votojmë Nishanin

Edi Rama / Foto arkiv
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh sot se zhvillimet e fundit për zgjedhjen e presidentit janë tregues i krizës që po thellohet. Rama tha se kandidatura e Bujar Nishanit, e cila pritet të paraqitet zyrtarisht në seancën e pasdites nga maxhoranca, nuk përbën asnjë lloj baze për konsensus.
Procesi po degradon hap pas hapi dhe po rrënon besimin e qytetarëve te parlamenti. Po godet besimin e familjes evropiane te Shqipëria. Kandidatura e sapotërhequr u refuzua nga ne, por kriza po thellohet. Një krizë është edhe një shans për të dalë prej saj përmes një hapi të ri në drejtim të kundërt prej saj.
Është e papërfytyrueshme që një ministër të bëhet president. Si mund të kalohet drejt një kandidature, e cila është tërësisht mishërim i një pale të vetme, kandidaturë që nuk përbën asnjë lloj baze për konsensusin më minimal, tha Rama
Kreu i opozitës u shpreh se ka ende mundësi të shkohet drejt konsensusit, në të mirë të së ardhmes së vendit.
Ne besojmë se nëse ka vullnet të mirë dhe dëshirë për ta parë në sy të vërtetën e madhe të Shqipërisë, është e mundur të gjendet një zgjidhje në funksion të së ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dua të theksoj se ashtu siç po shkojnë gjërat, po vërtetohet hap pas hapi se rruga më e mirë është ajo që i çon palët në një pikë takimi, një kandidaturë që të marrë konsensus. E kundërta krijon kushtin e një izolimi me duart tona të vendit. / G.N.