E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano fton PS-në: Ta fitojmë bashkë garën e presidentit

Fatos Nano / foto arkiv

Fatos Nano e cilëson të turpshme situatën e paradites për zgjedhjen e presidentit dhe i bën thirrje Partisë Socialiste ta kandidojë për të fituar bashkë garën për president.

Fatos Nano po ndjek me vëmendje të gjithë këtë kaos total që po shkaktojnë kryetarët e partive të cilët tashmë për shkak të llogarive e axhendave të tyre të ngushta partiake, po e kthejnë procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në një proces të turpshëm dhe në një rrezik të madh për fatet e vendit dhe të integrimit europian.

Turp dhe vetëm turp mund të konsiderohet gjithçka po ndodh me procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Turp sepse ka arratisje nga serioziteti.

Turp sepse ka arratisje nga përgjegjshmëria.

Turp sepse ka arratisje nga integrimi.

Turp sepse ka arratisje nga Europa.

Turp sepse ka arratisje nga gara e lirë dhe e ndershme.

Turp sepse ka arratisje nga konsensusi.

Turp sepse ka arratisje fatale nga atdhedashuria.

Ky është momenti, kjo është dita që përtej dështimit të derisotëm, kryetarët e partive, gjithsesi të ngrihen përmbi honet e llogarive të ngushta politike partiake që fundosin Shqipërinë, dhe të lartësohen me përgjegjshmëri të lartë kombëtare në nivelin e parimeve të atdhedashurisë për ta ngritur Shqipërinë në meritën e vlerën që i takon si një vend europian.

Fatos Nano ka deklaruar e ripërsërit se mbetet i vetëofruar për klasën politike shqiptare dhe publikun shqiptar për të pasur mundësinë për të synuar konsensusin, ose për të garuar e për ta fituar këtë garë.

Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që kërkon momenti, e të mos i shmanget e as druhet garës. Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që së bashku me Fatos Nanon duke bashkuar traditën, historinë, vlerat më të mira të Partisë Socialiste në këto 22 vite, ta fitojmë këtë garë bashkë, bashkë, bashkë. Fitorja e përbashkët e sotme le të jetë parathënie e hyrjes në historinë fituese të mëtejshme për Partinë Socialiste, për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë. Së bashku të bëjmë fituese Shqipërinë, thuhet në deklaratën e Nanos. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›