E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: PS nuk gjunjëzohet nga aleanca Berisha-Meta-Nano

Kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, reagon për deklaratat e Nanos dhe krizën ekonomike në vend


TIRANË - Një ditë pas akuzave lumë që lëshoi ish-kryetari socialist, Fatos Nano ndaj PS-së dhe kryetarit të saj, Edi Rama, ka reaguar ky i fundit, duke siguruar dje përmes një konference për shtyp se "aleanca e paskrupullt Berisha-Meta-Nano nuk ka për ta gjunjëzuar PS-në".


Kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje se Shqipëria po përjeton një krizë të thellë të politikës, të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë.


"Sot më shumë se kurrë Partia Socialiste ka dhe ndjen detyrimin, që të përballet me këtë krizë të rëndë, që e ka kthyer politikën në një shfaqje të padenjë interesash të ndara nga interesat e qytetarëve dhe të atdheut tonë të përbashkët.


Sot më shumë se kurrë Partia Socialiste ka dhe ndjen detyrimin që të përballet me forcën e me inercinë e së vjetrës, e cila materializohet në aleancën e paskrupullt të Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos për ta kthyer Shqipërinë në skemë të mbyllur interesash, ku pushteti të bëjë ç'të dojë me votën e popullit dhe opozita të bëhet kukull në prehrin e pushtetit", - tha Rama.


Sot më shumë se kurrë, shtoi ai, Partia Socialiste ka dhe ndjen detyrimin, që të vendosë publikisht përpara përgjegjësisë morale fajtorët për gjendjen e rëndë ekonomike e shoqërore ku ndodhen shqiptarët, "të cilët as nuk lëvizin dot lirisht në Europë si fqinjët tanë, as nuk mund ta përballojnë dot më rënien e ekonomisë së tyre familjare dhe as mund të gënjehen nga propaganda e shëmtuar e Sali Berishës, Ilir Metës, Fatos Nanos dhe shërbëtorëve të tyre që duan me çdo kusht ta gjunjëzojnë Partinë Socialiste e përditë bëjnë çmos të fajësojnë opozitën për këtë gjendje të padurueshme", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›