E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi thirrje socialistëve të votojnë për kryetarin

Deputeti socialist, Blendi Klosi tha për mediat, se Zgjedhjet e së shtunës, janë një moment që e dallon qartësisht Partinë Socialiste nga të gjitha forcat e tjera politike në vend dhe që përbën një shprehje të padiskutueshme të demokracisë së saj të brendshme, si një realitet i prekshëm nga të gjithë.

Megjithatë, një pjesë e deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë mendojnë se brenda kësaj partie nuk ka demokraci dhe se Rama e ka uzurpuar atë, duke ushtruar pushtet absolut.

“Unë jam këtu për t’i ftuar të gjithë socialistët shqiptarë, që të shtunën e 26 shtatorit të shkojnë në votim në qendrën e bashkisë apo të komunës së tyre, për të shprehur me votë mendimin për rrugën ku duhet të ecë Partia Socialiste në 4 vitet e ardhshme dhe për liderin që duhet ta udhëheqë atë drejt fitores së sigurt me pushtetin e korruptuar të çiftit Berisha-Meta, të cilët me votat e grabitura të 28 qershorit, po e zhytin Shqipërinë në një krizë të thellë politike e ekonomike”, tha deputeti në fjalë.

Ai ka premtuar se gara do të jetë e lirë dhe e ndershme, ndaj socialistët duhet të votojnë-sipas Klosit- për të çuar përpara Partine. “Për një parti të fortë dhe fituese, për një opozitë të fortë dhe besnike ndaj njerëzve të thjeshtë, për një forcë politike që lufton për parime e vlera, që politika në Shqipëri po i harron e shkel dita-ditës, socialistët në 26 shtator do të tregojnë me këto zgjedhje të përgjithshme brenda partisë, se janë në lartësinë e sfidave të mëdha të kohës së vështirë që kalon sot vendi”, tha më tej deputeti Klosi.

Zgjedhjet për kryetarin në Partinë Socialiste vijnë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit nga kjo parti, statusi i së cilës e detyron kryetarin të japë dorëheqjen në rast se nuk fiton zgjedhjet.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›