E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e viktimave në Strasburg për Mediun

GËRDECI


Të hënën pritet të depozitohen kallëzimet e 26 familjeve ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes, Famir Mediu, Pinarit Deljorgjit e Minxhollit


Në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut pritet të ankimohen disa prej vendimeve të Gjykatës së Lartë


TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të 26 familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, thanë dje se do t'i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të ankimuar vendimet e Kolegjeve Penale të Gjykatës së Lartë, ku bie në sy pushimi i çështjes penale ndaj Fatmir Mediut, ish- Ministrit të Mbrojtjes, aktualisht i Mjedisit, ndarja e gjykimit me pjesën tjetër të të pandehurve moslegjitimimi i tyre si palë në proces etj.


Ky i fundit në këtë çështje ishte i akuzuar për "shpërdorim detyre" në rastin e demontimit të municioneve në punishten e Gërdecit e ngritur nga "Albademil". Sipas tyre, vendimi kanë qenë i parregullt dhe i pa bazuar në ligj.


Mesditën e djeshme, avokatët e familjarëve të viktimave organizuan një tryezë këshillimore ligjore me grupet e interesit, të cilët konfirmuan se shumë shpejt do t'i drejtohen Gjykatës së Strasburgut me një ankesë ndaj vendimeve të Gjykatës së Lartë. Po kështu ata pohuan se do ti'drejtohen edhe prokurorisë së kryeqytetit me 26 kallëzime penale ndaj "arkitektëve" të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec.


Takimi i djeshëm ishte nxitur nga lëvizja "Mjaft", si dhe ekspertë të drejtësisë dhe shoqërisë civile në Shqipëri për të gjetur rrugët e mëtejshme që mbrojtësit ligjorë të familjarëve të viktimave do të ndërmarrin më tej.


Sipas avokates Blerta Kraja, në ditët në vazhdim mbrojtja e familjarëve të viktimave në ankesën që do t'i drejtohet Gjykatës së Strasburgut do të parashtrohen parregullsitë ligjore të vendimeve të Gjykatës së Lartë në lidhje me dosjen "Gërdeci".


Ndër to janë mos legjitimimi i tyre në procesin përkatës, ndarja e çështjes dhe dërgimi i disa të pandehurve në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe vendimi i fundit i pak javëve më parë, ai i pushimit të procesit penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, deputetit të PR-së Fatmir Mediu.


Sipas avokatëve, gjithashtu do t'i kërkohet Gjykatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të shprehet edhe për pezullimin e proceseve civile në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, në lidhje me paditë e familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit.


Një vendim i tillë është marrë nga Gjykata e Tiranës deri në përfundim të proceseve penale që lidhen me shpërthimin e Gërdecit. Gjithashtu, sipas avokatëve, të hënën në mëngjes pranë organit të akuzës së kryeqytetit do të depozitohen 26 kallëzime penale ndaj të pandehurve Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxholli, kompanisë "Albademil" dhe kompanisë amerikane "SAC".


"Ndërkohë që familjarët e viktimave do të duhet të ishin duke u marrë me rindërtimin e jetës së tyre tashmë të gjymtuar një herë e përgjithmonë, indiferenca e drejtësisë shqiptare që po e shtyn çështjen e Gërdecit drejt harresës, po i detyron këta njerëz të zvarriten nga një sallë gjyqesh në tjetrën, pa marrë asnjë përgjigje për hallin që kanë mbi kokë",-thuhet në deklaratën e organizatorëve.


Sipas tyre, edhe pas 18 muajve nga tragjedia e Gërdecit, drejtësia vazhdon të heshtë. "Këta persona që akuzohen si përgjegjës për këtë tragjedi, duhet të trajtohen nga drejtësia njësoj si të gjithë fajtorët e tjerë, edhe pse sot mund të jenë të veshur me imunitet, apo me pushtet politik.


Drejtësia në çështjen e Gërdecit ka rastin më të mirë për të treguar që është e pavarur nga pushteti politik, dhe nuk përdor standardet e dyfishta",- thuhet nga përfaqësuesit ligjorë, që paralajmëruan se nëse drejtësia vazhdon të shmanget në në detyrës së saj, banorët do të dalin në protesta.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›