Rama: Partia jam unë - të tjerët janë hiç

Shembujt e Hitlerit dhe të Stalinit po vihen në zbatim në selinë e Partisë Socialiste dhe dje Edi Rama doli publikisht për të shumzuar me zero
punimet e kongresit të 29 gushtit e për të deklaruar se është veç ai që vendos për bojkot, për bllokim reformash apo edhe për kryerje pazaresh me segmentet e krimit.
Edvini po i shkurton fazat drejt tredhjes politike të PS-së, por në kohët moderne, zbatimi i kësaj formule parakupton fundin e fatit të tij politik dhe jo shndërrimin e partisë në zorrën e tij qorre
Edi Rama ka rrëfyer dje me sjelljen e vet politike se ai tashmë pretendon sulltanatin në të majtën shqiptare, se s’do të pranojë asnjë strukturë kontrolli e as kufizime ideologjike; me fjalë të tjera se ai do të jetë Partia e vërtetë Socialiste (ç’shaka!) e të tjerët janë veç bujkrobër politikë të vullnetit të tij. Në një konferencë shtypi ai ka shumëzuar me zero kongresin socialist që i mandatoi përmes censurës dhe dhunës së sekserëve një tjetër pushtet katërvjeçar në krye të PS-së, teksa ka deklaruar se është i gatshëm të shprehet për bojkotin, sulmimin e institucioneve apo të tjera qendrime radikale e apatride, nëse atij do t’i dukej se është në interes personal. Deklaratat dhe sjellja arbitrare kanë shtangur jo veç kritikët e tij në kongres, por edhe vetë organizatorët dhe drejtuesit e kongresit, ata që kryejnë punët e pista në emër të Edvinit. Gramoz Ruçi deklaroi në përfundim të kongresit të 29 gushtit se s’bëhej fjalë që socialistët të bojkotonin punimet e Kuvendit, apo që të shpreheshin kundër reformave që do e afronin vendin me Bashkimin Evropian, por ky qendrim shumë shpejt do të zerohej nga ana e Edvinit. Me sa duket, me anë të një këshilltari (siç edhe e parashikonte një gazetë shumë pranë tij), ai kishte kuptuar se linja radikale, bojkotimi parlamentit, bllokimi i reformave dhe zbritja (kohë pas kohe) në rrugë do t’i rriste profilin politik, dhe ka vendosur që këtë kurs ta shfrytëzojë edhe për të larë hesapet me Ben Blushin, Arben Malajn dhe të tjerët që i shkaktuan dhimbje koke gjatë kongresit.
Duke dalë kohë e pa kohe në bahçen e PS-së (jo në Pezë e as tek pallati përballë vilës së diktatorit), Edvini ka dhënë mesazhin se ai është Partia Socialiste, ai është Hitleri i së majtës, ai është Stalini i saj, se me të duhet biseduar e bërë pazar, pasi pa të s’kanë të ardhme reformat e s’ka paqtim vendi.
Merret me mend se ky është synimi që kërkon Edvini, por qysh tani merret vesh se punët në PS nuk i ka edhe aq keq. Ai e shkelmoi statusin e PS-së, i nulifikoi të gjitha strukturat dhe tashmë është në momentin për të luajtur farsën e 26 shtatorit, “garën” me Lakrorin që emëroi vetë, me byrekun me të cilin qerasi kongresmenët e 29 gushtit. Në këtë lojë datash, paçka se i lodhur e me qeskat e syve që i rëndohen përherë e më tepër, Edvini po përpiqet me arrogancë që të rrëfejë se Partia është ai (sindromi i Luigjit XIV dhe i të gjithë diktatorëve të tjerë) e se anëtarësia është thjesht një hiç, një numëror, një mbushëse topi për pehlivanllëqet që ai kryen sa kohë është në vështirësi në sektorin e lejeve të ndërtimit, apo kur kutia e llogarisë korrente është disi hollë. Edvini e ka vendosur ta vijojë deri në fund tredhjen e Partisë Socialiste, sipas shembullit të përbashkët të Stalinit dhe të Hitlerit, megjithatë zbatimi i kësaj formule në kohët moderne, më shumë parakupton fundin e fatit të tij politik sesa afrimin e stacionit final kur partia do të shndërrohet thjesht në zorrën qorre të ambicieve të tij të sëmura për pushtet.
...