Rama: Pavarësisht parregullsive, u garantua procesi zgjedhor
Kryetari i opozitës, Edi Rama, kërkoi që të mos thirret për fitore pa u shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vetëm pak minuta pas përfundimit të fjalës së Kryeministrit Sali Berisha, doli në një konferencë për shtyp, pas përfundimit të procesit të votimit.
Rama ka deklaruar se, pavarësisht një sërë parregullsish dhe detajesh të papëlqyeshme të vëna re në pjesë të ndryshme të territorit të Shqipërisë, në tërësi u realizua objektivi i garantimit të procesit, i garantimit të qetësisë dhe të normalitetit demokratik.
"Besoj se, në radhë të parë, është legjitime që t'u shpreh përultësisht falënderimet e mia të gjithë atyre që e bënë këtë ditë një ditë historike, duke realizuar pjesëmarrjen më të madhe në votim, krahasuar me qysh se nuk mbahet mend.
Dhe jam i bindur, që kjo ditë do të kujtohet gjatë, si dita kur populli Sovran mori në dorë fatet e tij. Ndërkohë, dua të theksoj se, pavarësisht një sërë parregullsish dhe detajesh të papëlqyeshme të vëna re në pjesë të ndryshme të territorit të Shqipërisë, në tërësi u realizua objektivi i garantimit të procesit, i garantimit të qetësisë dhe të normalitetit demokratik për qytetarët dhe qytetaret, që vërshuan në masë drejt kutisë së fshehtë",- tha dje Rama.
Kryetari i opozitës theksoi se, mbaroi vetëm pjesa e parë, ajo e procesit të votimit, duke kërkuar gjatë procesit të dytë, atë të numërimit, një angazhim maksimal të Policisë së Shtetit, për të garantuar transportin e të gjitha kutive të votimit, duke ruajtur integritetin e plotë të procesit.
Kryetari i opozitës ka kërkuar, gjithashtu, që procesi të mos të ndotet nga fishekzjarrë të parakohshëm dhe nga spekulime të panevojshme. I pyetur se a ishte gati për të fituar, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka theksuar se kishte arsye për një gjë të tillë.
Madje, i pyetur sërish nga media pikërisht se a kishte shpresë se PS-ja do të fitonte, duke parë edhe pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhje, Rama u përgjigj: "Unë nuk kam më tashmë shpresë, unë kam bindje.
Por, unë e përsëris që, nuk jam këtu për të deklaruar fitoren, respektoj në njëfarë mënyre edhe mënyrën se si iu qas këtij momenti Kryeministri".
Kryetari i opozitës i ka kërkuar Kryeministrit Sali Berisha që të mos ndjekë shembullin e viteve të kaluara, por të ruajë qetësinë dhe të mos thërrasë për fitore, deri sa të ketë një rezultat përfundimtar.