Të verbrit në Kuç, jo vetë i dytë
Procesi i votimit në Vlorë ka nisur në mesditë. Probleme me vulat, bojën dhe akuzat që palët i bëjnë njëra-tjetrës. Bllokime të procesit në fshatrat Tragjas, Vranisht e Kuç.
Fillimi i procesit të votimit e ka gjetur Vlorën në një situatë thuajse të qetë. Pas një fushate elektorale e cila nuk barti tension dukshëm, edhe nisja e votimit dje është dukur e tillë, ndërkohë që problemet nuk kanë munguar në disa qendra, e pak më vonë, as reagimet politike për nisjen e manipulimeve.
Sinjalizimi i parë është dhënë nga kreu i KZAZ 61, që i përket Bashkisë Vlorë, Agron Gjipali. Gjipali tha se kishte tendenca të dukshme manipulimi. Mungesa e bojës, parregullsi në lista, mospërputhje të vulave që u përkisnin qendrave të votimit. Këto Gjipali i ka cilësuar "manipulime".
Krejt ndryshe është shprehur nënkryetari i KZAZ-së për Vlorën, Adhurim Rrapaj, i cili tha se procesi ishte mëse normal, ndërkohë që mungesa e bojës për vulat ka qenë thjesht jo gabim i KZAZ të Vlorës, por i diktuar nga KQZ.
Nga të dhënat që janë marrë nga KZAZ, orari i votimit, i përcaktuar në orën 7, është shkelur nga rreth 25 qendra votimi, kjo për arsye të mungesës së bojës.
Shumë vonë ka nisur votimi në qendrën e vendosur në Pallatin e Sportit. Pas çeljes së qendrës së votimit, teksa anëtarët e komisionit kanë vendosur materialet, është parë më vonë se vula është vjedhur.
Kreu i KZAZ-së, Gjipali, ka akuzuar direkt për këtë kryetaren e komisionit, që është pikërisht motra e kreut demokrat të Vlorës. Procesi është zhbllokuar vetëm rreth orës 12:10, nga ndërhyrja e KQZ, ku është sjellë një vulë tjetër me helikopter nga Tirana.
Tjetër pengesë në qendrën e votimit në Pallatin e Kulturës. Procesi i votimit është ndërprerë nga komisionerët, pasi sipas tyre ka pasur probleme me listat. Bllokimi këtu ka zgjatur rreth 1 orë e 40 minuta.
Rreth orës 12 heshtjen e ka thyer e para selia rozë, ku zëdhënësja e kësaj partie, Evisa Allushi, ka përcjellë shqetësimin e një incidenti të ndodhur në Tragjas. Sipas saj, kunati i kryetarit të bashkisë së Orikumit, ka goditur kryetarin e komisionit, që është përfaqësues i PS-së. Ajo tha se shqetësim dhe kaos kanë krijuar vulat dhe boja që shërbejnë për të lyer gishtin.
Po me vonesë ka nisur procesi i votimit edhe në qendrën 4449 për shkak të mungesës së bazës materiale, votimi këtu ka nisur në ora 12:00.
Bllokime të procesit janë shënuar në fshatrat Tragjas, Vranisht e Kuç, në këtë të fundit për shkak të të verbëve që nuk lejoheshin të votonin të shoqëruar, bllokime këto që janë kapërcyer.
Po kështu, nga selia rozë është denoncuar edhe procesi i votimit në fshatrat Grabian e Drithas; fshatra këto të Sarandës; ku sipas socialistëve, dy policë të komunës, të urdhëruar nga kryetari i komunës, kanë ushtruar presion mbi votuesit. Nuk pati deklarata zyrtare nga ana e selisë së PD, ndërkohë që të kontaktuar përfaqësues të kësaj force, konfirmuan se procesi ka ecur normalisht.
Banorët e fshatit në rrethin e Tepelenës bojkot për shkak të rrugës së prishur. Në Kurvelesh goditet komisionieri i PS-së. Në Lazarat socialistët kërkojnë mbështetjen e vëzhguesve