Rama: Për 'Tajvanin' vendosën këshilltarët e Berishës
TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka folur sot me fakte e dokumente për të vërtetën e tokës te Tajvani, për të cilën akuzohet nga Berisha dhe ministrat e tij për abuzim e korrupsion.
Gjatë një konference për shtyp, Rama ka vënë në dispozicion dokumentet që sipas tij tregojnë të vërtetën e plotë për këtë çështje.
"Për këtë çështje ka vendosur me vota të të dy partive të mëdha Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga mendimi im i kundërt, shprehur edhe në debatin e mbledhjes (kujtoj këtu se në atë kohë, unë nuk kam qenë ende kryetar i PS)"- ka thënë Rama, duke shtuar se
çmimi i shitjes për legalizim të truallit në fjalë, sipas ligjit të asaj kohe, i quajtur sot çmim abuziv nga Sali Berisha, është miratuar në fakt nga Këshilli Bashkiak, me votat vendimtare të përfaqësuesve të Sali Berishës dhe në kundërshtim të hapur me propozimin tim, për një vlerësim të posaçëm të atij trualli, pavarësisht ligjit në fuqi, nga një komision i ngritur prej vetë Këshillit Bashkiak.
Më poshtë fjala e Ramës në konferencën për shtyp
U bënë ditë që Sali Berisha dhe papagajt e tij përsërisin pa pushim refrenin e një shpifjeje të poshtër në adresën time, lidhur me legalizimin e një pjese të sipërfaqes ngjitur me godinën private të Parkut "Rinia".
Dhjetë padi penale e civile janë regjistruar tanimë, vetëm për këtë çëshje në Prokurori e Gjykatë, ku Pinoku i madh, me tërë të vegjëlit pas tij, janë të kallëzuar nga Bashkia e Tiranës, një për një, për shpifje për shkak të detyrës.
Sot, unë dua t'i vë në dispozicion përmes jush opinionit publik, dokumentet e regjistruar e të shkruar, që tregojnë të vërtetën e plotë mbi këtë çështje, për të cilën ka vendosur me vota të të dy partive të mëdha Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga mendimi im i kundërt, shprehur edhe në debatin e mbledhjes (kujtoj këtu se në atë kohë, unë nuk kam qenë ende kryetar i PS).
Pra, çmimi i shitjes për legalizim të truallit në fjalë, sipas ligjit të asaj kohe, i quajtur sot çmim abuziv nga Sali Berisha, është miratuar në fakt nga Këshilli Bashkiak, me votat vendimtare të përfaqësuesve të Sali Berishës dhe në kundërshtim të hapur me propozimin tim, për një vlerësim të posaçëm të atij trualli, pavarësisht ligjit në fuqi, nga një komision i ngritur prej vetë Këshillit Bashkiak.
Dje, një media që e ka investiguar imtësisht këtë çështje, ka nxjerrë në dritë edhe faktet kokëforta, që Bashkia e Tiranës i ka vënë për gjykim në dispozicion të organeve të drejtësisë, për të provuar katërcipërisht akuzën tonë për shpifje për shkak të detyrës, në adresë të Sali Berishës e papagajve të tij, një për një.
Në këto kushte, e pamë të udhës të vemë sot në dispozicion të publikut, provat që disponojmë për gjykimin e kësaj çështjeje, me krenarinë për pastërtinë e plotësisht provuar morale të Bashkisë së Tiranës në këtë rast.
Dhe i siguroj të gjithë, se ky rast përputhshmërie i veprimtarisë sonë me frymën e ligjit e të moralit qytetar nuk përbën një episod të shkëputur, po një konstante të të gjithë veprimtarisë së këtij institucioni.
Institucioni ynë ka qenë, është e do të mbetet një model i kushtetueshmërisë, ligjshmërisë e qytetarisë në kryerjen e misionit të vet, pavarësisht furive të baltës që mund ta godasin e ta ndyjnë përkohësisht, por kurrë s'mund ta mbulojnë gjatë e ta zhbëjnë të vërtetën e Bashkisë së Tiranës.
Sot, një Kryeministër i zgjedhur nga populli, normalisht duhet të dilte e të kërkonte falje për këtë mashtrim të publikut, për qëllimet e tij politike, por unë nuk pres që Pinoku ynë në qeveri ta bëjë një gjë të tillë, sepse gënjeshtra e shpifja janë mjetet e tij për të bindur njerëzit, jo thjesht veset e tij si njeri.
Kështu që nuk më mbetet tjetër, veçse t'i rikërkoj publikisht Prokurores së Përgjithshme që hetimi për këtë shpifje e për të gjitha shpifjet, me qëllim mashtrimin e opinionit publik, të mos zvarritet por të hetohet pa humbur kohë, në radhë të parë për të mirën e publikut, në këto kohë të vështira për vendin".