Çështja çame, replika të ashpra Dule-Idrizi në Kuvend
TIRANË- Replika të ashpra mes kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule dhe deputetëve të PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. "Nuk mund të mblidhen vota për partinë e re duke shpallur armik Vangjel Dulen"- ka thënë Dule në seancën e sotme të Kuvebdit duke iu drejtuar drejtuesve të PDU-së.
Ai ka kujtuar protestën e bërë nga partia e re para selisë së KE-së në Tiranë, ku u kërkuar zgjidhje për çështjen çame, pa të cilën vendi nuk mund të integrohet në BE.
"Disa politikanë kanë sot e kësaj dite kurajë të protestojnë përpara selisë së BE-së me sloganin të mos integrohet vendi ynë në Bashkimin Europian. Nëse nuk është e vërtetë le të përgënjeshtrojnë, le të pranojnë gabimin e bërë , le ti kërkojnë ndjesë popullit shqiptar dhe çdo gjë është në rregull, kjo është demokracia. E kuptoj ankthin e zotërinjve se kanë një parti të re e cila nuk mund të mbledhë vota duke shpallur armik Vangjel Dulen e PBDNJ-në" tha Dule.
Pas tij ka reaguar menjëherë deputeti Shpëtim Idrizi, i cili ka sqaruar motivin e asaj proteste. "Ne këtë protestë e kemi bërë me rastin e ditës ndërkombëtare të genocidit dhe dënimit të krimeve kundër njerëzimit. Keni thënë që çështja çame është një çështje fantazmë. Është e vërtetë që për 50 vjet qarqe të caktuara janë munduar që këtë çështje ta fshehin dhe ta mbulojnë. Zoti Dule po të them që unë e kam ndërruar fanellën por e di çfarë fanelle kam veshur, kam veshur fanellën e shtëpisë sime, familjes sime komunitetit tim, kam veshur fanellën e shqiptareve kurse ti mos vesh fanellën e renegadeve" - u përgjigj ai. Pas kësaj, kryetarja e Kuvendit ka ndërprerë për pak kohë seancën.