Rama: Përgjegjësia e NATO-s për të shpëtuar afganët

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të përballuar pasojat e krijuara nga situata në Afganistan, ndërsa u ka bërë thirrje vendeve të NATO-s të marrin përgjegjësitë e tyre.
Pak ditë pas mbërritjes së afganëve në Shqipëri, kryeministri shqiptar u është drejtuar përmes një editoriali në Agjensinë Telegrafike Shqiptare vendimarrësve të vendeve anëtare të NATO-s.”Shqipëria është e gatshme të përballojë pjesën e saj të barrës që të gjitha vendet e NATO -s duhet të mbajnë së bashku. Por tani pyes: nëse edhe Shqipëria, anëtari më i varfër i Aleancës, mund të menaxhojë pjesën e saj të barrës, kush nga shtetet e tjera anëtare të NATO -s nuk mundet? Dhe cili justifikim politik mund të jetë mjaft i fuqishëm për të mposhtur detyrimet tona njerëzore themelore? Ka shumë gishta të drejtuar dhe jo mjaftueshëm ngritje dore për njerëzimin” vlerëson zoti Rama.
Qendrimi kritik i Shqipërisë përmes kryeministrit shqiptar është theksuar kur zoti Rama i është referuar parimeve të NATO-s.” Parimi themelues i NATO -s është se sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Kështu që, edhe një sfidë humanitare aq e madhe sa ajo që NATO po lë prapa në Afganistan, duhet të përqafohet nga të gjithë” shkruan ai.
Kryeministri shqiptar ka arsyetuar qendrimin e Shqipërisë mbi realitetin speifik të saj në të njëjtën kohë që deklaroi se kjo lidhet me seriozitetin për detyrimet ndaj aleatëve tanë. “Vetëm 30 vjet më parë, ne ishim afganë në bregdetin Adriatik, duke u përpjekur dëshpërimisht për t’i shpëtuar “talebanëve të kuq” të Tiranës, por dhe ata, që gjatë luftës në Kosovë u hapëm dyert tona, për t’u strehuar, gjysmë milion refugjatëve që i shpëtonin spastrimit etnik të Serbisë nën Sllobodan Milloshevicin. Ne jetuam atë që njerëzit e Afganistanit po përballin tani, ndërsa talebanët konsolidojnë pushtetin në të gjithë vendin. Ne jetuam në një shtet që vulosi kufirin e tij dhe persekutoi disidentët dhe familjet e tyre, ashtu siç pritet të bëjnë talebanët me kundërshtarët e tyre. Për gati 50 vjet, ne aspironim të kishim lirinë që shijuan afganët gjatë 20 viteve të fundit dhe që tani duket se do ta humbasin” shkruan kryeministri shqiptar Edi Rama.