Rama: Përse nuk kandidova Nanon në zgjedhje
tirane
Kryetari socialist, në një intervistë të gjatë me gazetarin Alfred Peza në “Ora e debatit” në Ora News, tregon arsyet pse nuk përfshiu në listën e kandidatëve të PS-së Fatos Nanon, flet se çfarë do të bëjë nëse humb zgjedhjet dhe raportet e tij me partitë e tjera brenda të majtës.Duke menduar se shpreh dhe sensibilitetin dhe interesin e opinionit, por edhe votuesve potencialë të së majtës suaj, do të doja të më përgjigjeshit drejtpërdrejt pse nuk përfshitë në listat e kandidatëve politikanë si Fatos Nano, Musa Ulqini, Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Shkëlqim Cani etj?
Së pari, janë njerëz të ndryshëm dhe arsyet janë të ndryshme. Unë do të shprehja këtu respektin dhe mirënjohjen time më të thellë për këta njerëz përgjithësisht, për gjithçka që kanë bërë dhe për gjithçka kanë dhënë. Por ndërkohë, siç e kam thënë dhe e përsëris edhe këtu, listat e deputetëve nuk janë lista që ndërtohen mbi bazën e kontributeve në të shkuarën, por janë lista që ndërtohen mbi bazën e angazhimit për të nesërmen. Por, ritheksoj, nuk përjashtoj në asnjë mënyrë, por përkundrazi e konsideroj absolutisht të rëndësishëm për shoqërinë tonë kontributin që vazhdon të japë ish-presidenti Mejdani, kontributin që kanë dhënë për Parlamentin e Shqipërisë, Musa Ulqini, Ylli Bufi. Apo kontributin për të cilin i jam mirënjohës Shkëlqim Canit, si njëri nga njerëzit që asistuan me shumë dashamirësi dhe me shumë profesionalizëm në shkrimin e programit tonë të ri.
Harruat vetëm Fatos Nanon...
Lidhur me zotin Nano, unë besoj se arsyeja është më se e qartë për të gjithë qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi. Ne kemi nevojë për deputetë dhe deputete që të kryejnë detyrën karshi atyre që i votojnë 24 orë në 24, 4 vjet me radhë.
Një nga pyetjet që gjithmonë vërtitet është se sa mandate do të marrë Poli i Lirisë, PD, LSI. A do të arrini ta bëni të vetëm qeverinë më 28 qershor?
Jo vetëm, me koalicionin tonë ne do të kemi autonominë qeverisëse.
Ju shpresoni se do të merrni mbi 71 mandate?
Unë nuk shpresoj, jam i bindur për këtë. Në rast se sot kam një rezervë, kjo rezervë lidhet vetëm me besueshmërinë dhe transparencën e procesit zgjedhor. Për këtë arsye unë dua t’i bëj, me lejen tuaj, të gjithë qytetarëve dhe qytetareve që kanë aplikuar të marrin kartën e identitetit, të mos ta lenë për ditën e fundit, pasi është e nevojshme që t’i japin mundësi vetës të votojnë, është e domosdoshme. Së dyti, Policisë së Shtetit që të qëndrojë korrekt dhe të mos vazhdojë të japë shenjat që po jep ditët e fundit ku po bëhet, për fat të keq, palë në episode që mund të jenë të vogla në raport të tërën, por që kanë domethënien e tyre. Duke i garantuar të gjithë punonjësve të sotëm të policisë respektin maksimal timin dhe forcës që përfaqësoj për ligjin dhe për rolin e tyre si njerëz të ligjit, u them se do të ndëshkohet me forcën e ligjit çdonjëri që do të guxojë të kapërcejë kufirin e ligjit, duke e vënë uniformën e shtetit në dispozicion të interesave të pushtetit.
Nëse ju si kryetar i PS dhe koalicioni që ju drejtoni nuk arrini t’i merrni 71 votat për të krijuar qeverinë, a do të pranonit të bënit aleancë me LSI dhe koalicionin e tij?
Sot ne jemi në një betejë për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri, e cila do të realizojë angazhimet që ne po marrim. Të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që duan ndryshimin, që besojnë te ndryshimi, që dëshirojnë të bëhen pjesë e ndryshimit, që kanë vullnet për të riorganizuar shtetin dhe Shqipërinë, duhet që votën e tyre ta vendosin te kutia ku shkruhet PS, Edi Rama. Kjo sepse çdo votë që shkon në drejtime të tjera është një votë në drejtimin tanimë të ditur, të politikës së vjetër të këtyre 18 viteve. Në rast se duan një parlament, i cili të ketë një maxhorancë që të bëjë ligje të mira dhe të marrë vendime të drejta për ta, nuk duhet t’u japin mundësinë forcave të tjera që ta mbajnë parlamentin peng dhe ta mbajnë qeverinë peng të të njëjtave interesave që për 18 vite me radhë nuk e kanë lejuar qeverinë e këtij vendi dhe vetë këtë vend që të lëvizë me shpejtësinë e qytetarëve dhe qytetareve në drejtim të realizimit të shpresave dhe ëndrrave të tyre.
Kjo do të thotë që vota për Metën është votë për Berishën...
Unë nuk dua të hyj në këtë retorikë, por unë vetëm dua të vë theksin tek domosdoshmëria për të votuar për një rrugë të re ndryshimi. Këtë rrugë të re mund ta garantojë vetëm një forcë e re, kjo është forca e bashkimit tonë të ri, e koalicionit tonë dhe e lidershipit të këtij koalicioni, që është PS.
A do jepni dorëheqjen nga kryetar bashkie nëse do të bëheni Kryeministër?
Besoj që kjo është pjesë e rrugës që kam nisur. Pra në rast se qytetarët dhe qytetaret e Tiranës do të vendosin që unë të jem kryeministri i tyre, atëherë patjetër do të na duhet që të mendojmë sëbashku për një zgjedhje të re, për Bashkinë e Tiranës. E kam thënë në vijimësi, por gjithmonë është krijuar si ekuivok ndoshta me dëshirën e mirë për të bërë lajm.
Por, nëse humbni, situata përpara ishte fitoni, nëse humbni do ta jepni dorëheqjen nga Kryetari i PS-së dhe do të vazhdoni deri më 2011 të jeni Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Kush do t’iu mbështesë politikisht?
Nuk i hyj fare këtij diskutimi se çfarë do të ndodhë më pas. Thjesht është e qartë që e kam thënë dhe e përsëris. Unë nuk jam politikan, jam një qytetar në një mision. Pjesë e këtij misioni është kjo mundësi që unë u jap njerëzve duke iu ofruar të gjitha energjitë, idetë dhe vullnetin tim për të qenë në dispozicion të tyre. Në rast se njerëzit do ta refuzojnë këtë mundësi, pa asnjë dyshim unë nuk kam arsye që të mos i krijoj mundësinë PS-së që t’u japë njerëzve një mundësi të re.
Çfarë raporti do të keni pas kësaj mundësie të re që ju do t’i jepni PS-së, që të ketë një kryetar të ri me politikën?
Atë që kam pasur gjithmonë, raportin e një qytetari të angazhuar. Por, sigurisht misioni im ridimensionohet.
Në këto kushte, më 2011 do të rikandidonit për një mandat të katërt për në krye të Bashkisë së Tiranës...?
Jemi në brendësi të një filxhani kafeje turke që nuk na çon asgjëkundi.
Marrë me shkurtime nga “Ora News”