E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli me gratë: Votoni vetëm 10-ën

 

ADI SHKEMBI

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkon nga qyteti i Vlorës mbështetjen e grave për një mandat të dytë qeverisës për Partinë Demokratike. Gjatë një takimi në pallatin e sportit me rreth 5 mijë gra dhe vajza, nënkryetarja e demokratëve tha se vota për PD-në në 28 qershor do të jetë votë për gratë dhe fëmijët, por edhe për punësimin dhe koncesionet. “Më datë 28 qershor do të shkojmë shtëpi më shtëpi, derë më derë, rrugicë më rrugicë, për t’i thënë çdo nëne, çdo mikeje, për t’i thënë fqinjës: Hajde voto! Hajde voto për fëmijën! Hajde voto për gruan! Hajde voto për studentin! Hajde voto për të ardhmen! Hajde voto për Europën! Hajde voto për Shqipërinë europiane! Hajde voto për rritjen ekonomike! Hajde voto për koncesionet! Hajde voto për punësimin!”, tha Topalli. Nënkryetarja e Partisë Demokratike premtoi gjatë takimit në Vlorë se prioritet i saj në mandatin e dytë do të jetë rritja e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë dhe lufta kundër kancerit. “Në mandatin e dytë nuk ka prioritet më të madh për ne sesa rritja e asistencës, rritja e ndihmës ekonomike për ata që kanë më shumë nevojë. Nuk ka prioritet më të madh për mua personalisht sesa të shikoj rast për rast të gjitha ato gra që janë vetëm, që kanë fëmijët jetimë, që nuk kanë burrat këtu, që janë të divorcuara. Ato do të trajtohen ndryshe dhe, mbi të gjitha, ai që është prioriteti im personal dhe ajo që është sfida ime personale në mandatin e ardhshëm është lufta kundër kancerit”, u shpreh më tej Topalli. Duke u ndalur në investimet në Vlorë, kryetarja e Kuvendit tha se në katër vite në këtë qytet janë investuar mbi 500 milionë dollarë si dhe do të ndërtohet kampusi i studentëve. “Unë ju kërkoj vetëm një gjë, unë e di dhe e përsëris, sepse jam e bindur: burrat mund të jenë të majtë ose të djathtë, nënat janë demokrate, nënat dhe zonjat kësaj radhe të votojnë vetëm numrin 10, sepse dhjeta është numri më i mirë, dhjeta është numri që secila prej nesh gjithë jetën tonë ka kërkuar. E kemi dashur për veten tonë, e kemi dashur për vajzat tona”, përfundoi Topalli fjalën e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›