E Shtunë, 31 Tetor 2026

VRITET KREU I PDK - Bomba me celular, trondit fushatën

 

Nga Malësia e Madhe Ferdinand Dervishi, Ridvan Dibra

Para se të ikte nga kjo jetë, Aleksandër Keka, kryetari lokal demo-kristian dhe njëkohësisht biznesmeni i ndërtimeve nga fshati Pjetërshan i Malësisë së Madhe, kishte qenë në humor. Para se trupi i tij të shpërthente kabinën e fuoristradës “Nissan” i shtyrë nga poshtë prej eksplozionit të fuqishëm vendosur poshtë sediljes, duke fluturuar dhjetë metra tej në rrugë, ai kishte qeshur e hedhur romuze pafundësisht. Sikur Zoti në pragvdekje të ishte kujtuar se asaj kokrrize të gjallë atje në tokë ia kishte dhënë me kursim gjatë 35 viteve jetë pikërisht kohën e humorit e të qeshurës. Ishte R. Ymeri, një kameraman i kanalit televiziv lokal “TV Kopliku”, ai që kishte pirë në mëngjes në qendër të qytetit një kafe me njeriun që më pas do të vritej që e pohon këtë gjendje jo të zakontë humori të tjetrit. “Bënte humor me akuzat e një dite më parë të kryeparlamentares Jozefina Topalli në drejtim të Partisë Demokristiane, duke thënë se ajo nuk e kishte shumë seriozisht me deklaratat e saj”, pohoi kameramani që pak minuta më pas e kishin lajmëruar të shkonte të filmonte dhjetë kilometra më tej një vendngjarje ku miku i tij dergjej i kthyer në kufomë, ndërsa makina në një grumbull hekurishtesh. Por edhe Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane, që e priste në Shkodër për kafe Aleksandrin, pohoi se i ishte formuar përshtypja se tjetri ishte në humor. “Patëm një bisedë telefonike në mëngjes dhe m’u duk shumë në humor”, pohoi edhe Ndoka për të gjithë ga-zetarët, pasi mbërriti me ur-gjencë në vendngjarje.
I vrarë me bombë
të komanduar me celular
Pasi kishte lënë pas miqtë e të njohurit me të cilët kishte pirë kafe në qendër të Koplikut, Aleksandër Keka ishte futur në fuoristradën që ia kishte marrë “borxh” këto ditë të fundit për fushatën ortakut të vet në biznesin e ndërtimeve, për të ndjekur rrugën që të çonte në Shkodër. Të gjithëve u kishte thënë se do të aplikonte për t’u pajisur me një tjetër pasaportë për jashtë shtetit, pasi së vjetrës i kishte mbaruar afati. Rrugës kishte pasur edhe një telefon me kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, me të cilin kishin lënë të takoheshin po në Shkodër. Me këto të dhëna të kohës së mëngjesit në mendje, Keka ka kaluar minutat e fundit të jetës. Ca më tej, pak kilometra të tjera më tej, teksa ngiste makinën me shpejtësi normale, apo me shpejtësi të ulur, të fundit që ai ka ndier, pa mundur t’i formulojë në tru si përcaktim, ishin vetëm ca gjuhë flakësh që vinin nga poshtë sediljes.
Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur rreth orës 09:45 në vendin e quajtur Grizhë. Trupi i Aleksandrit ka fluturuar lart bashkë me kabinën e makinës të shqyer dhunshëm për të bërë një gjysmëhark në ajër e për të përfunduar rreth pesëmbëdhjetë-njëzet metra para vendit të shpërthimit, në anë të rrugës. Ndërkohë makina, për shkak të kthesës, ka dalë nga rruga djathtas, pak para kufomës, për t’u përplasur diagonalisht në mbushjen e trasesë së hekurudhës, ku edhe është djegur plotësisht. Sipas ekspertëve të mbërritur me urgjencë në vendngjarje, trupi i të ndjerit kishte dëmtime dhe çarje të thella, sidomos në pjesën e pasme të trupit. Kjo, po sipas hetuesve, ishte shkaktuar nga shpërthimi i eksplozivit të vendosur me shumë gjasa poshtë sediljes së shoferit. Të njëjtët pohuan se sasia e eksplozivit të vendosur ka qenë e konsiderueshme, ndërkohë që mendohet se shpërthimi është komanduar me celular në distancë. Që sasia e përdorur e lëndës shpërthyese ka qenë e madhe, kjo vërtetohej edhe nga thellësia e çarjes së asfaltit të rrugës në vendin e shpërthimit. Pra eksplozivi ka qenë aq i fortë, sa pasi ka shpërthyer të gjitha shtresat e poshtme të makinës, bashkë me shasinë, ka dëmtuar deri në 5-7 centimetra thellë edhe asfaltin. Copat e makinës të shpërndara në një sipërfaqe të madhe ishin që të gjitha të mbuluara me blozën e zezë të shpërthimit të tritolit, ndërkohë që më larg, rreth 30 metra tej, në arë, në të majtë, gjendej pjesa e sipërme apo tavani prej llamarine i saj.
Hetimi i ngjarjes
“Këto janë ngjarje të vështira, ngjarje memece”, ishte pak a shumë pohimi përmbledhës i një funksionari të policisë që është përfshirë në hetimin e vrasjes së politikanit Aleksandër Keka. Një pohim që thotë se sido që të jenë rezultatet e hetimit, shkuarja tek autori i vrasjes është pothuaj e pamundur. E pamundur për faktin se autori supozohet të ketë kryer një vrasje perfekte, të studiuar deri në imtësi. Një vrasje që pikësëpari do ta ngatërronte shumë koha e zgjedhur për ekzekutim. Prandaj ekspertët thonë se për këtë ngjarje është e vështirë ta lidhësh me prova autorin edhe nëse gjenden të dhëna operative për identitetin. Po kështu hetimi paraprak i vendngjarjes nuk ka shërbyer më shumë se për të vulosur një ngjarje, apo për të mundësuar plotësimin e një certifikate vdekjeje. Gjithsesi hetimi i vendngjarjes pritet të nxjerrë zyrtarisht edhe llojin e eksplozivit të përdorur, mënyrën e vendosjes në makinë si dhe mekanizmin e aktivizimit. Paraprakisht ekspertët flasin për mundësinë e një bombe të telekomanduar në distancë, ndërkohë që më shumë janë të mendimit se ka qenë një shpërthim i aktivizuar me celular. Një supozim që ka gjasa të mbetet përfundimtar edhe për faktin se në këtë zonë kohë më parë është zbuluar të bëhej trafiku i këtyre lloj bombave me celular, që të paktën në një rast u godit nga strukturat e sigurisë. E shumta, për këtë ngjarje, nëse policia do të tregojë aftësi në hetim, ka të ngjarë të shkojë te thirrja telefonike që aktivizoi bombën përmes vënies në sitë të të gjitha thirrjeve të emetuara nga antenat e zonës në kohën e shpërthimit. Gjithsesi nisur nga shembuj parakalues, të ndodhur në vitet e fundit, qoftë në Tiranë apo edhe në Vlorë, të vrasjeve të shkaktuara nga mina të komanduara në distancë, ngjarja ka më shumë probabilitet të mbetet pa një autor të identifikuar.  

Vrasja e ortakut të ndërtimit
SHKODER – Gjashtë muaj më parë, ortaku i Aleks Kekës në biznesin e ndërtimit, Arben Bitanji u ekzekutua me armë zjarri. Autori i krimit, i cili u identifikua dhe u arrestua menjëherë, ishte Afrim Rraboshta, vëllai i kryetarit të PSD-së së Shkodrës. Bitanji, 45 vjeç, u qëllua me armë zjarri nga Rraboshta, me të cilin ishin miq, pak minuta pasi kishte pirë kafe me të, në Barbullush të Shkodrës. Pas hetimeve të kryera dhe deklarimeve të familjarëve të të dy palëve, biznesmeni i ndërtimit i kishte dhënë një shumë prej rreth 9.3 milionë lekësh, në formë borxhi autorit Afrim Rraboshta. Ky i fundit i kishte premtuar, madje bazuar në dokumente, se këtë borxh do t’ia kthente para 1 shtatorit 2009. Por, një grindje që lindi mes tyre në 8 dhjetor të vitit të shkuar solli dhe krimin.

Babai i viktimës: Vrasja politike se ndodhi në fushatë

Nga të dërguarit tanë në Malësinë e Madhe

Gra të veshura me të zeza e burra si t’i kishte zënë dita i drejtoheshin një shtëpie dykatëshe në fund të fshatit, atje ku mbaronte rruga e shtruar me asfalt. Një shtëpie të ndërtuar me kujdesin e një mjeshtri, me kujdesin e një biznesmeni të fushës së ndërtimeve.    
Në krye të njerëzve të shtëpisë që prisnin njerëzit për mort dallonte një burrë i thyer në moshë, me trup të gjatë, që mbante një kapelë të zezë në kokë. Ishte Prekë Keka, i ati i të sapovrarit që kishte fuqinë, që ia dilte të ishte i pranishëm në çdo moment pasigurie të njerëzve që e rrethonin. Të ishte i pranishëm në begenisjen e të gjithëve që vinin t’i gjendeshin pranë në ato çaste të vështira. Pa dallim, edhe sikur të ishin gazetarë, edhe sikur të ishin njerëz krejt të panjohur. I njëjti nuk u lëvizte asnjë presje edhe deklarimeve me cilësinë e më të rëndësishmit, babait të të ndjerit.
Zoti Prek, si e mësuat për djalin?
Unë isha në punë. Jo shumë larg prej këtej kur më morën në telefon dhe më thanë se kam një njeri shumë të sëmurë dhe se duhet të kthehesha në shtëpi me urgjencë. Pasi këmbëngula më thanë se i sëmuri ishte i afërm i trungut të familjes, por nuk më thanë asgjë për djalin. Vetëm kur erdha në shtëpi më thanë të vërtetën.
A kishte shfaqur Aleksandri ndonjë shqetësim këto kohë të fundit?
Jo. Në asnjë rast. Ne si familje nuk kemi pasur kurrë probleme me askënd. Deri para pesë vitesh biznesin e ndërtimit e drejtoja vetë se isha edhe më i ri edhe më i fortë. Më pas e ka drejtuar djali, Aleksandri, dhe unë kam qenë i kënaqur. Ai kishte autoritet në popull dhe unë mendoj se për këtë ia kanë marrë jetën.
Kur e patë për herë të fundit?
Sot në mëngjes u ulëm bashkë të hanim mëngjesin. Ishte krejt i qetë dhe e kishte mendjen te punët e fushatës. Këto kohë të fundit ishte aktivizuar me Partinë Demokristiane, pasi ishte mik i ngushtë i Nard Ndokës. Për këtë shkak edhe kaloi me këtë parti. Sepse ne si familje që nga viti 1992 kemi votuar për Partinë Demokratike.
Ka të ngjarë që Aleksandri të ketë pasur një konflikt të njohur ose të panjohur për shkak të punëve që bënte në ndërtim apo diku tjetër?
Nuk besoj. Diçka do kishim vënë re. Ai kishte fituar punë të ndryshme gjithandej, ndërtonte pallate, shkolla, me fondet publike, pasi fitonte tendera, ka bërë asfaltime rrugësh dhe aktualisht po ndërtonte ujësjellësin e Hotit. E them me bindje se nuk ka qenë tip që krijonte konflikte. Nuk do ia merrnin jetën kurrë për konflikte të krijuara në punë dhe për këtë jam i sigurt. 
Atëherë përse sipas jush mund të ketë ndodhur?
Meqë ngjarja ndodhi tani, në mes të fushatës, mendojmë se mund të ketë lidhje me politikën.
A jeni në dijeni të një komunikate të Policisë, sipas së cilës djali juaj ka pasur precedentë të theksuar kriminalë, ka trafikuar narkotikë, mjete motorike e deri te lëndë plasëse me telekomandë?
Diçka më thanë dhe kjo më ka zemëruar pa masë. Por tani nuk kam kohë të merrem shumë me këtë punë. Do te merrem kur t’i vijë koha e saj. Në gjithë këto vite pas fitores së demokracisë kemi pasur vetëm një rast nëpër këmbë policinë. Ka ndodhur dy vite më parë, kur na erdhën në shtëpi, sepse sipas tyre kërkonin një nga Tirana. Morën djalin me vete dhe e lanë të lirë pas dy orësh. Por dua t’ju them se pikërisht prej faktit se policia është duke e akuzuar tim bir pa fakte, kjo na bën të mendojmë, kjo do të thotë se vrasja është politike. 
Kur do të jetë varrimi?
Nuk e kemi vendosur. Do presim të vijë i vëllai nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kush ishte Aleksandër Keka

Aleksandër Keka ishte baba i tre fëmijëve, një djali dhe dy vajzash, përkatësisht 10, 7 dhe 1.5 vjeç. Një nga fëmijët ka pasaportë amerikane, pasi ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veç detyrës së kryetarit të Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka kishte disa funksione të tjera. Ai ishte anëtar i Këshillit të Komunës Kastrat, anëtar i Këshillit të Qarkut. Njëkohësisht njihej edhe si biznesmen ndërtimi. Janë disa objekte që ai kishte ndërtuar si në zonën e tij ashtu edhe në qytetin e Shkodrës, si asfaltim rruge, ndërtim shkolle, ndërtim ujësjellësi, ndërtim pallati me bashkëpronar etj. 

Policia: Keka me precedentë penalë

Etleva Delia

Disa orë pas ngjarjes ku humbi jetën Kryetari i PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka, policia e shtetit në deklaratën e saj zyrtare për ngjarjen, tha se viktima kishte precedentë penalë në fushën e trafikut të armëve dhe drogës.
Në deklaratën zyrtare të policisë thuhej se vëmendja e grupit hetimor është përqendruar në aktivitetin privat të viktimës, më tepër sesa në angazhimin e tij  politik. “34-vjeçari Aleksandër Keka, i cili mbeti i vdekur dje nga shpërthimi i makinës së tij, ishte një person me precedentë penalë”, tha policia. “Aleksandër Keka prej vitesh është evidentuar nga strukturat e policisë lokale e qendrore, si person me precedent të theksuar kriminal me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike, si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë. Ndërkohë burime nga policia e Malësisë së Madhe, thanë se viktima e ngjarjes së djeshme në aksin Koplik-Shkodër, ishte person nën hetim dhe se ndaj tij ende nuk kishte prova të mjaftueshme. Zyrtarisht policia tha se makina me të cilën udhëtonte kryetari i PDK-së, Keka, ishte në pronësi të ortakut të tij Arben Bitani, i cili është vrarë një vit më parë. Ndërkohë edhe pse ende nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar, sipas policisë, shpërthimi me eksploziv është i besueshëm, duke u nisur nga ballafaqimi i provave në vendin e ngjarjes dhe nga autopsia. Kjo duke u nisur nga fakti që trupi i pajetë i Aleksandër Kekës, është gjetur disa metra larg makinës dhe totalisht i djegur.
AKTIVITETI PRIVAT
Dyshimet kryesore për shkaqet e vdekjes së Aleksandër Kekës, lidhen me aktivitetin e tij privat dhe marrëdhëniet e tij me ish-ortakun, Arben Bitani. Keka mësohet se ishte bashkëaksioner në një firmë ndërtimi me pronarin e makinës që shpërtheu ditën e djeshme. Sipas burimeve nga policia, Aleksandër Keka dhe Bitani, i cili u vra në vitin 2008, kanë qenë ortakë në një firmë ndërtimi që ka vepruar në qytetin e Shkodrës. Policia është përqendruar më tepër tek lidhja që ekzistonte mes Kekës dhe Bitanit, pasi ky i fundit është vrarë vitin që shkoi. Automjeti tip “Mitsubishi Pajero” me targë SH 2125 E është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga, në vendin e quajtur Grizhdë, në rrugën që lidh Koplikun me Shkodrën. “Mjeti i sipërpërmendur është në pronësi të shtetasit Arben Bitani, i vrarë në vitin 2008, i njohur si ortak në biznes i shtetasit Aleksandër Keka”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

PS: Po përgjaket fushata zgjedhore
Partia Socialiste e cilësoi si përgjakje të fushatës zgjedhore ekzekutimin e kreut të PDK-së në Shkodër. Zëdhënësja e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli duke shprehur ngushëllimet për familjen e Aleks Kekës, i bëri thirrje policisë të mos bëhet palë me askënd, të zbardhë rrethanat e vrasjes dhe të nxirren autorët përpara drejtësisë. “I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës, miqve dhe kolegëve demokristianë. Ngjarja e sotme përgjak sërish fushatën zgjedhore të cilën po e tensionon çdo ditë e më shumë gjuha e urrejtjes dhe presioni i pushtetit. Ne i bëjmë thirrje policisë së shtetit, të punojë pa u bërë palë me askënd dhe pa u nxituar në përfundime të parakohshme dhe joprofesionale, të zbardhë një orë e më parë rrethanat e kësaj vrasjeje dhe të çojë përpara drejtësisë autorët e saj” theksoi Kodheli përmes një deklarate për mediat.

Gjykata e Shkodrës, Keka u dënua vetëm për 12 fishekë pa leje
TIRANE - Aleksandër Keka, kreu i Demokristianëve shkodranë i cili gjeti vdekjen dje nga shpërthimi i makinës së tij, nuk rezulton të jetë dënuar apo hetuar zyrtarisht për përfshirje në trafik narkotikësh, armësh apo municionesh. Akuzat ndaj tij i hodhi Policia e Shtetit me anë të një deklarate publike, të lexuar nga zëdhënësi mesditën e djeshme pak orë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në rrugën Koplik - Shkodër. Por, ndryshe nga kjo, Keka rezulton të jetë dënuar vetëm një herë nga Gjykata e Shkodrës në vitin 2006, për mbajtjen pa leje të 12 fishekëve pistolete. Sipas vendimit të Gjykatës së Shkodrës, që mban datën 7 qershor 2006, Aleksandër Keka, i biri i Prekës dhe i Vitores, i datëlindjes 31 qershor 1975, lindur dhe banues në fshatin Pjetërshan, Bajzë, Malësi e Madhe, me gjendje civile i martuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me gjendje gjyqësor i padënuar më parë, i hetuar dhe i gjykuar ne gjendje të lirë, pa masë sigurimi personal, është dënuar me 50 mijë lekë të reja gjobë për kundërvajtjen penale të mbajtjes pa leje të municionit luftarak. Pranimi i fajësisë nga Keka ka bërë që këtij dënimi t’i zbritej një e treta e tij, ndërsa 12 fishekët, model 9 mm, me nr. makirove MKE - 99, që i ishin gjetur në banesë janë sekuestruar me vendim gjykate.          fa.ma

Ndoka: Akt terrorist, e ka zanafillën nga fjalori i Topallit
Kryetari i Partisë Dem-okristiane, Nard Ndoka, akuzon ashpër kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas vrasjes së kreut të degës së PDK-së në Malësinë e Madhe, Aleksandër Keka. Vetëm pak çaste pas vrasjes së Kekës, Ndoka tha se fjalori i përdorur nga kryetarja e Kuvendit ditët e fundit në qarkun e Shkodrës nxiti urrejtje, por pa u menduar se do të shkonte deri në këtë pikë. “Është një akt i rëndë terrorist që e ka zanafillën te gjuha politike e përdorur nga mostra Topalli. Ajo zonjë ka disa ditë që zhvillon një fushatë të egër kundër Partisë Demokristiane, çdo fshat në çdo shtëpi ajo ka mbjellë gjuhën e urrejtjes. Fjalori i saj tashmë i bërë publik nga mediat dihej që do krijonte një klimë të tillë, por asnjëherë nuk gjykonim se do ndodhnin akte të tilla terroriste, duke i marrë jetën kryetarit të Partisë Demokristiane në Malësinë e Madhe”, u shpreh Ndoka. Sipas tij, “pa diskutim që është një atentat i pastër politik. Aleksandër Keka është anëtar i këshillit të qarkut, kryetar i këshillit të komunës së Kastratit, është biznesmen i fuqishëm në fushën e ndërtimit, është një njeri i respektuar, i cili me reputacionin e tij ngjalli panik te Partia Demokratike. Së bashku me Mark Lumaj ata po fitonin çdo ditë e më tepër simpatinë e kësaj zone dhe kjo i terrorizoi këta politikanë të papërgjegjshëm që pushtetin kërkojnë ta mbajnë me dhunë”. Ndërkohë përmes një deklarate për shtyp, Partia Demokristiane i është drejtuar OSBE-së, ambasadës së SHBA-ve në Tiranë dhe përfaqësuesve të tjerë diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët janë bashkëpërgjegjës për sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-së, të ushtrojnë presionin e duhur ndaj qeverisë shqiptare për ndaljen e dorës së vrasësve politikë. “Partia Demokristiane, në emër të jetës, u bën thirrje të gjitha partive politike dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë të distancohen nga vrasësit dhe grupet kriminale që po tentojnë të marrin peng të ardhmen demokratike dhe europiane të Shqipërisë”, vijon më tej deklarata për shtyp e Partisë Demokristiane. Në të njëjtën kohë, PDK-ja i kërkoi organeve të sigurisë kombëtare, policisë, prokurorisë dhe shërbimit inteligjent, të zbardhin menjëherë ngjarjen dhe të venë para përgjegjësisë ligjore, shkaktarët e kësaj vrasjeje.

Apeli i BE: Bëni zgjedhje paqësore

ADI SHKEMBI

Kur kanë ngelur vetëm 10 ditë nga zgjedhjet e 28 qershorit, Bashkimi Evropian i bën thirrje Tiranës zyrtare të zhvillojë zgjedhje paqësore dhe sipas standardeve evropiane. Për herë të parë një institucion evropian përdor termin “paqësor” për të përkufizuar hapësirën në të cilën duhet të zhvillohet procesi elektoral i këtij fundmuaji në vendin tonë. Përmes një deklarate për shtyp, BE-ja shpreson që këto zgjedhje të vlerësohen në përfundim të tyre sipas standardeve. “Zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë në Shqipëri dhe i gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit me BE-në. BE-ja është duke vëzhguar nga afër procesin zgjedhor. Shpresojmë dhe është në interesin e Shqipërisë që këto zgjedhje të jenë paqësore dhe të vlerësohen në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën për shtyp të publikuar dje në mesditë nga Bashkimi Evropian. Por në të njëjtën kohë, Unioni në të cilin Shqipëria ka paraqitur pak kohë më parë kërkesën për të aplikuar për marrjen e statusit të vendit kandidat, i bën thirrje si qeverisë ashtu edhe opozitës që të mundësojnë me kontributin e tyre krijimin e kushteve që të votojnë të gjithë zgjedhësit që kanë të drejtë vote. Bashkimi Evropian i bën gjithashtu thirrje qytetarëve, të cilët do të marrin pjesë në votime, të kontrollojnë paraprakisht nëse kanë një nga dy dokumentet e nevojshme për të votuar, kartën e identitetit ose pasaportën për jashtë shtetit. “BE-ja i bën thirrje qeverisë shqiptare dhe partive politike të bashkëpunojnë së bashku, që të garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve në mënyrë paqësore dhe që të gjithë zgjedhësit që dëshirojnë të votojnë me 28 qershor, të kenë mundësinë për të bërë një gjë të tillë. Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në këto zgjedhje, të sigurohen që të kenë për këtë dokumentet e nevojshme të identifikimit”, përfundon deklarata për shtyp e Bashkimit Evropian. Qëndrimi i BE-së vjen pas një sërë incidentesh të ndodhura gjatë fushatës elektorale, të cilat kanë nxehur klimën politike në vend. Rreth një muaj më parë u vra pranë banesës së tij në Roskovec deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, ndërsa para pak ditësh humbi jetën një militant i Partisë Demokratike, i cili u qëllua për vdekje nga një militant i PS-së. Zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve ka qenë kryefjalë edhe e qëndrimit të SHBA-së. “Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të jenë një piketë shumë e rëndësishme në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Këto janë zgjedhjet e para pas hyrjes së Shqipërisë në NATO. Zgjedhje të lira dhe të ndershme që plotësojnë standardet ndërkombëtare do të tregojnë që Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plotë euroatlantik. Çdo gjë më pak se kaq do të ishte shenjë regresi”, u shpreh ambasadori Uidhers pak ditë më parë.

ODIHR: Nxënësit në fushatë

Raporti i tretë dhe i fundit i ODIHR-it në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit vë theksin pikërisht te përdorimi i nxënësve në fushatën elektorale. “Fjalimet e kryeministrit kishin karakteristikat e fjalimeve të fushatës. Shkollat u mbyllën që nxënësit të merrnin pjesë në këto aktivitete. Shkollat u mbyllën edhe për një miting që po zhvillohej në zonën e Korçës dhe ku merrte pjesë kryetarja e Parlamentit dhe zëvendëskryetarja e PD-së, Jozefina Topalli”, thuhet në raport. Gjithashtu raporti përmend çështjen e kartave të identitetit dhe incidentet me posterat e partive.

Topalli: Hetim i plotë për ngjarjen tragjike
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka kërkuar dje nga Shkodra një hetim të plotë dhe të paanshëm për vrasjen e kryetarit të Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka. Nënkryetarja e Partisë Demokratike bëri thirrje për të mbështetur prokurorinë dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit për zbardhjen e ngjarjes. “Ajo që ka ndodhur sot në mëngjes është një ngjarje tragjike, i shpreh ngushëllimet familjarëve të tij, që kanë humbur njeriun e tyre të dashur. Shfrytëzoj rastin për t’i kërkuar të gjithëve që të mbështesim fort prokurorinë, policinë, të gjitha organet e zbulimit, për të bërë të mundur që të bëhet një hetim i plotë, i gjithanshëm dhe i paanshëm”, u shpreh Topalli. Ndërkohë PD shprehu dje keqardhjen për ngjarjen, por akuzoi Ramën e Ndokën për manipulimin e këtij rasti vdekjeje..

“Drejtësia të zbardhë ngjarjen”
Zëdhënësi i LSI-së, Ralf Gjoni shprehu dje keqardhje për ngjarjen tragjike të Malësi së Madhe. “Shprehim keqardhjen tonë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Kryetarit të PDK-së në Malësi të Madhe Aleks Keka, i cili humbi jetën sot në mëngjes si pasojë e shpërthimit të automjetit të tij në rrethana ende të paqarta. Shpresojmë që kjo ngjarje e rëndë të mos ketë ndodhur për motive politike, dhe u kërkojmë organeve kompetente, zbardhjen e menjëhershme të rrethanave në të cilat ndodhi kjo ngjarje tragjike”, u shpreh zëdhënësi i LSI përmes një deklarate për mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›