Meta: PD dhe PS, lista të mbyllura për Dushk të ri
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka qenë dje në qytetin e Beratit, ku ka zhvilluar disa takime në dy komuna të këtij rrethi me elektoratin e bazës. Në takimin e zhvilluar në Komunën Velabishtë, e cila drejtohet nga kjo parti, Meta e ka cilësuar si papërgjegjshmëri të Edi Ramës marrëveshjen e kësaj partie me Partinë Demokratike. "Marrëveshjet që po bën Rama me Berishën, pa miratimin e partive të tjera, nuk janë vetëm në dëm të së majtës, por dhe në dëm të vendit", u shpreh Meta. "Pas historisë së marrëveshjes për Kodin Zgjedhor që do të bëjë me Berishën dhe ndryshimet në Kushtetutë, ai do t‘i bëjë se do Sali Berisha", u shpreh Meta. Por, Presidenti Topi, i cili u zgjodh me votat e Berishës dhe Nanos, duket se ka nisur të reagojë ndaj kësaj situate të krijuar në vend dhe duket se po lëviz duke treguar pozitën e tij. Kundër marrëveshjeve mes Ramës dhe Berishës nuk është vetëm LSI-ja, por tashmë dhe shumë parti që kanë qenë në koalicionin qeverisës me PD-në. Meta u shpreh kundër çdo marrëveshjeje që mund të sjellin listat e mbyllura në proceset zgjedhore. "Përse ka frikë nga listat e hapura Rama", u shpreh Meta. "Nuk ka kuptim përse deputeti të humbasë lidhjen me zonën elektorale", tha kryetari i LSI-së. Elektorati duhet të zgjedhë vetë njerëzit për përfaqësim, pasi emrat e deputetëve nuk duhet të fshihen pas atyre të partive. "Listat e mbyllura nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë dushqe dhe megadushkë të rinj", tha Meta.