Rama: Politika nuk është kacafytja e mllefi, por misioni për t‘u bashkuar
Gjatë rrugëtimit "Dialog me Shqipërinë", kryetari i PS-së, Edi Rama, është ndalur edhe në qytetin e Fushë-Arrësit për të dialoguar me banorët atje për çështje të sigurisë së jetës. Në këtë bashkëbisedim, Rama edhe njëherë vuri theksin te një politikë e mbështetur në gjykim mbi punët e bëra dhe premtimet e mbajtura për të gjithë, qofshin të majtë apo të djathtë në qeverisje. "Nuk duhet të votojmë dhe të mbetemi peng i paragjykimeve", u shpreh Rama, duke nënvizuar se është koha që Kryeministri të mbajë përgjegjësi për të gjitha premtimet e pambajtura. Sipas tij, banorët duhet të besojnë në radhë të parë të vetja. "I vetëm unë nuk mund të bëj asgjë. Së bashku mund të bëjmë gjëra, që sot duken të pamundura dhe çfarë duhet të them me këtë së bashku? Dua të them, se duhet të gjejmë forcat për të kapërcyer kufijtë që ka vendosur mes nesh, mes jush, në të gjithë Shqipërinë politika e vjetër e interesave partiake, politika e vjetër e interesave të politikanëve", argumentoi Rama. Kjo sallë, shtoi ai, është kështu prej 17 vjetësh, vetëm se çdo vit zgjerohen hartat e lagështirës dhe ndihet pesha e moshës, kështu është edhe Shqipëria, si kjo sallë. "Ne, të gjithë bashkë, nuk gjejmë dot ende sot, të gjitha arsyet e nevojshme për t‘i dhënë fund kësaj gjendjeje degraduese, për t‘i dhënë fund këtij rrënimi të vazhdueshëm, për t‘i dhënë fund kësaj inercie që na ka vënë të gjithëve përpara, ndërkohë që gjejmë akoma plot arsye për t‘u ndarë, për t‘u sharë, për t‘u copëtuar me njëri-tjetrin, kudo", insistoi kreu socialist. Rama konstatoi se ajo që quhet shkollë, është një godinë, që gati nuk i zë brenda fëmijët dhe në ato që quhen klasa, shpeshherë nxënësit detyrohen të rrinë bashkë në një vend, nga klasa e parë, deri tek e nënta dhe ai që quhet mësues, është njeriu që shpeshherë ka mbetur aty se nuk ka pasur mundësi për të ikur. "Sa e vështirë është për ta shpjeguar që socialistët dhe demokratët e thjeshtë, njerëzit që besojnë sinqerisht te njëra anë apo një anë tjetër nuk kanë asnjë arsye për të qenë të ndarë, sepse njësoj e pësojnë mungesën e dritave, mungesën e ujit, mungesën e punës, mungesën e shkollës për fëmijët", tha Rama. Ai nguli këmbë se bashkimi nuk është i vështirë, është shumë i thjeshtë, është aq i thjeshtë sa e vërteta e madhe që fqinjët tanë, grekët, maqedonasit, malazezët, boshnjakët, kroatët, nuk kanë asgjë më shumë se ne. "Është koha që politika të zbresë aty ku janë njerëzit, aty ku janë ëndrrat, dëshirat, ambiciet, hallet, problemet, nevojat e njerëzve, është koha që politika të burojë nga bashkëbisedimi me njerëzit, në qytet e fshat, në fushë e në mal, në qendër e periferi", u shpreh Rama.