E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Për legalizimet zbatova Kushtetutën

Në përfundim të punimeve të ditës së djeshme të Samitit të 15 të Presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore, mbajtur në Ohër, të Maqedonisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, iu përgjigj interesimit të mediave të pranishme:

Ju thatë që Shqipëria po pret ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Sa shpresoni që do të ketë një ratifikim të shpejtë dhe sa mund t’i shpejtojë Shqipëria hapat drejt statusit të vendit kandidat?

Unë besoj që klima është mjaft e përshtatshme. Shqipëria ka marrë një pozicion të ri pas marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO. Kuptohet që anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian konsiderohen si veprime sinergjiste, pra njëra potencion tjetrën dhe unë besoj që ka një rritje të kredibilitetit politik të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Unë jo vetëm shpresoj, por kam bindjen që procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të jetë edhe më i shpejtë. Vitet ecin, koha ecën, por besoj që në ato afate që ne kemi parashikuar, gjithçka do të shkojë aty ku ne presim.

Zoti Topi, ju nuk dekretuat një ligj që është cilësuar i rëndësishëm, ligjin e legalizimeve, pas një kërkese të republikanëve dhe socialistëve për mosdekretimin e këtij ligji. Cila është arsyeja që ju e kthyet në parlament ligjin?

Unë natyrisht ndjek me vëmendje dhe reagimet e subjekteve politike, por në pozicionin tim kushtetues kam arsye më substanciale, arsye më të gjera. Natyrisht, referimet janë në funksion të Kushtetutës dhe të ligjit. Por besoj që të gjitha arsyet kanë qenë të atashuara me dekretin e kthimit të ligjit në parlament. Unë i kam konsideruar dhe vazhdoj t’i konsideroj arsyetimet ligjore dhe teknike dhe besoj që janë mjaft të argumentuara në materialin e bashkëngjitur. Besoj se nuk është momenti që unë t’i rikthehem të gjitha etapave të ligjit. Gjithsesi, ju do të keni mundësinë që të njiheni me arsyetimet që me sa kam dijeni janë bërë edhe publike. Pra, e ritheksoj, arsyet janë ligjore, kushtetuese dhe teknike. Besoj që janë terma që përfshijnë edhe atë motivim timin lidhur me dekretimin e kthimit të ligjit për rishqyrtim.

Zoti president, a keni menduar në momentin kur keni kthyer për rishqyrtim ligjin në parlament, se kjo do të trajtohet nga një këndvështrim politik?

Unë nuk kam ecur asnjëherë me paragjykime. Dëshiroj të ritheksoj që në të gjithë karrierën time politike dhe aq më shumë në këtë pozicion, i kam qëndrimet e qarta, rri jashtë çdo lloj paragjykimi. Unë nuk bëj lidhje të shkurtra me asnjë lloj situate, sepse nuk ka sens të bëhen lidhje. Unë besoj që të gjitha prononcimet e mia kanë qenë korrekte, kanë qenë shumë parimore, aspak të lidhura me interesa të ngushta, personale, sikurse është munduar dikush që t’i elaborojë dhe t’i paraqesë në publik. Kështu që nga kjo pikëpamje nuk shikoj që të ketë një lidhje të tillë për t’u interpretuar në këtë mënyrë. E ritheksoj, këto pozicione janë shumë ligjore dhe besoj mjaft teknike.

Zoti president, për t’iu rikthyer sërish samitit. Dikur kjo ka qenë një nismë në vitin 1993 me vetëm 4 vende. Sot, në të kemi 19 vende, nga këto 10 janë anëtare të Bashkimit Evropian, tre kanë statusin e kandidatit. Pyetja ime është: Cila është vlera e shtuar e këtij forumi? A ka më arsye që të ekzistojë një forum i tillë?

Besoj që asnjëherë këto forume nuk janë të panevojshme. Dialogu politik vjen çdo ditë dhe forcohet. Unë mund t’ju them që brenda këtij forumi jo vetëm që patëm mundësinë të ndajmë opinione dhe, çka është më e rëndësishmja, ndryshe nga retrospektiva, të bashkohemi në pika mjaft të rëndësishme, sikurse është domosdoshmëria që vendet tona të jenë pjesë e këtij komuniteti dhe me një thënie, që unë e paraqita edhe në samit, do të ishte e vakët, do të ishte e pakuptimtë ndoshta që Evropa të konsiderohej e plotësuar pa vendet e Ballkanit. Besoj që jemi në këtë proces dhe unë jam i mendimit që shumë shpejt ju do të shikoni hapa të shpejtuar, të akseleruar, për të qenë shumë afër me një status të plotë juridik në Bashkimin Evropian. Këto samite, gjithashtu, të japin mundësinë që të njihesh, apo të konsolidosh marrëdhënien me personalitetet që janë në krye të shteteve dhe ke mundësinë që të realizosh axhendat e shkëmbimeve të takimeve dhe bisedimeve bilaterale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›