E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Ndoka me bilancin e përjashtimeve që ka, do bënte xheloz dhe diktatorin Hoxha

Nuk ka kaluar pa përgjigje shkarkimi që Nard Ndoka i ka bërë dy zëvendësministrave të tij në Këshillin Kombëtar të PDK. Këtë herë ka qenë Zef Bushati, Sekretari i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në PDK, i cili me anë të një deklarate për shtyp e ka cilësuar mbledhjen e këtij këshilli si jolegjitime, dhe pjesëmarrësit në të joanëtarë të PDK, por thjesht drejtorë të emëruar nga Ndoka, individë të huazuar nga PDS e Paskal Milos dhe LSI e Ilir Metës. Bushati shprehet në këtë deklaratë se me këtë këshill Ndoka s’bëri gjë tjetër vetëm se risolli dhe njëherë metodat enveriste brenda PDK me shkarkime dhe përjashtime, duke shkelur rëndë demokracinë brenda partisë, si dhe idealet, për të cilat ajo është krijuar. Spektakli komik e butaforik i organizuar nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, jo vetëm që është një spekullim i pamoralshëm, duke spostuar mbledhjen me drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorët e shëndetit publik në Tiranë e nëpër rrethet e vendit nga Ministria e Shëndetësisë në Pallatin e Kongreseve, por në të njëjtën kohë dhe një shkelje e rëndë e ligjit dhe e etikës, duke i detyruar drejtorët e spitaleve të lenë punën dhe të paraqiten në një sallë si aëntarë të Këshillit Kombëtar të PDK, madje duke i detyruar ata që edhe të duartrokasin, duke thirrur “Nardi! Nardi!”

Sipas Bushatit, Nard Ndoka, njësoj si ish-diktatori, i lejon vetes përjashtime dhe shkarkime, megjithëse anëtarët e PDK janë zgjedhur në forume. Duke kujtuar bilancet e PDK, që kur Ndoka ka ardhur në krye të partisë, Bushati kujton se “nga data 3 qershor 2006, kur Ndoka u mandatua në një kongres të jashtëzakonshëm të PDK në detyrën e kryetarit ka në mos gaboj këtë bilanc: një zv/ministër të arrestuar, tre drejtorë të arrestuar, dy kryetarë të grupit parlamentar të PDK (Lesi dhe Ujkaj) të shkarkuar, dy zv/ministra të shkarkuar, një zv/ministër për ndjekje penale (Gurakuqi), dy ish-kryetarë të PDK të përjashtuar, (Bushati dhe Lesi), 13 anëtarë të kryesisë së PDK të përjashtuar, 20 kryetarë të degëve të PDK të përjashtuar, 73 anëtarë të Këshillit Kombëtar të PDK të përjashtuar. Këtë bilanc përjashtimesh brenda 2 vitesh në krye të PDK Nard Ndokës do t’ia kishte zili dhe vetë Enver Hoxha”. Sipas tij, Këshilli Kombëtar ilegjitim i Ndokës e ka marrë tashmë vendimin për thirrjen e kongresit dhe Ndoka, sipas tij, bën mirë që në këtë Kongres të japë llogari për të gjitha shkeljet dhe abuzimet që ka kryer, nga koha kur ka marrë drejtimin e partisë.

Ndoka: Kundërshtarët e mi ranë pre e presioneve të PD

Këshilli Kombëtar i PDK ka vendosur dje shkarkimin nga postet e zëvendësministrave të Anton Gurakuqit, dhe Zef Bushatit, përkatësisht zëvendësministër i Jashtëm dhe zëvendësministër i Integrimit. Gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PDK, Ndoka ka sulmuar dhe ata anëtarë partie që kërkojnë shkarkimin e tij nga posti i kryetarit. Sipas tij, atyre iu është bërë presion nga zyrtarë të lartë të PD, për të mbajtur qëndrime të tilla. “Unë dua ta informoj Këshillin Kombëtar se kam çdo të dhënë të nevojshme për të faktuar presionin e hapur të bërë ndaj deputetëve dhe bashkëpunëtorëve të mi nga zyrtarë të lartë, fatkeqësisht të partisë tonë më të madhe aleate, Partisë Demokratike. Janë të njëjtit zyrtarë që humbjen e terrenit dhe mbështetjes politike brenda PD përpiqen ta kompensojnë duke krijuar shqetësime e nxitur përçarje te PDK, si një forcë politike perëndimore, evropiane dhe antikomuniste”. Ndoka u shpreh se ka tentuar disa herë që t’iu bëjë thirrje kundërshtarëve të tij brenda partisë që mos bien pre e skenareve politikë, të ardhura nga pazaret elektorale apo ambicia dhe xhelozia e pushtetit. “Unë dua gjithashtu t’ju vë në dijeni se kam bërë gjithçka që ka qenë e mundur të ftoj ndonjë nga bashkëpunëtorët e mi në qeveri e në parlament, të mos bëhen pjesë e skenareve përçarëse dhe denigruese kundër PDK. Siç duket, ambicia e tyre personale politike, pazaret e fshehta të nxitura nga ligji i ri elektoral apo rritja e autoritetit politik të PDK krijuan xhelozi të mëdha, pre e së cilës ra edhe ndonjë zyrtar që ne i besuam përfaqësimin tonë në grupin parlamentar dhe në funksione ekzekutive”, - tha Ndoka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›