Rama: Populli në demonstratë më 21 janar
TIRANË- “21 janari nuk është demonstrata e Partisë Socialiste për pushtet, po demonstrata e shqiptarëve që duan shtet. Prandaj duhet dalë në demonstratë të premten më 21 janar. Që të ketë shtet për qytetarin shqiptar”. Kështu deklaroi dje, përmes një konference për shtyp, kryetari i opozitës, Edi Rama. Shefi i opozitës u bëri thirrje qytetarëve për protesta, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira. “S’ka më shumë të ardhura për qytetarin, po vetëm më shumë borxhe, me një pushtet kusarësh e matrapazësh, që ndalojnë konkurrencën për të gllabëruar me bllok në dorë çdo pasuri e mundësi të atyre që se mbërrijnë dot muajin prej pafuqisë ekonomike. Prandaj duhet të dalë në demonstratë të premten, më 21 janar. Që të ketë shtet për qytetarin shqiptar. 21 janari nuk është data e protestës së radhës së socialistëve, po dita e demonstratës së njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, socialist e demokratë apo pa parti, burra e gra, të moshuar e të rinj, që nuk e pranojnë degjenerimin e atij bllokut të pisllëqeve që mban në dorë qeveria”, shtoi ai. Kryetari i opozitës, Edi Rama, tha se protesta e 21 janarit është mbrojtje për Kushtetutën dhe ligjin. “Saliu duhet ta dorëzojë bllokun e neveritshëm të pisllëqeve dhe t’i hapë rrugë popullit, për të zgjedhur me votën e lirë qeverinë. Demonstrata e 21 janarit është vënia në veprim e popullit pas ezaurimit të të gjitha mundësive, për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, institucionet dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, përmes përpjekjes së opozitës politike. Ne jemi thjeshtë pjesë e demonstratës popullore, kërkojmë rivendosjen e demokracisë së marrë peng nga një pushtet i korruptuar dhe i kriminalizuar deri ku s’mban më. Që të ketë shtet për qytetarin shqiptar”, - tha Rama.