E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamjet e padhëna, Prifti e filmoi Metën me orën e dorës dhe të murit

Tiranë- Një përgjim i menduar deri në detaje është ai i Ilir Metës, në zyrën e ish-ministrit Dritan Prifti. Kamera spiune, e vendosur në orën e murit, kolltuku përballë saj dhe mikrofoni në orën e dorës janë e gjithë skenografia e Dritan Priftit, në përgjimin që shkaktoi një “tërmet” të vërtetë në politikën shqiptare. Gazetari Andi Bushati, në emisionin e tij “Zonë e ndaluar”, ka zbardhur gjatë mbrëmjes së djeshme një pjesë të pashfaqur të videos së shumëpërfolur Prifti-Meta. Në këtë filmim zbardhet mënyra se si Dritan Prifti ka arritur të filmojë Ilir Metën, duke vendosur kameran në orën e murit, ndërsa mikrofonin, në orën e tij të dorës. Filmimet e pashfaqura më parë duket se “tradhtojnë” Priftin, i cili fill pas largimit të Metës nga zyra e tij ka hequr orën e dorës, në të cilën ishte vendosur mikrofoni. Më pas, autori i videos është afruar pranë orës së murit, ku dhe ishte fshehur kamera e vogël regjistruese. Në këtë moment, Dritan Prifti ka kontrolluar kameran, nëse ishte filmuar regjistrimi dhe në një fragment të kësaj videoje duket fytyra e Priftit, i cili pasi është siguruar që kamera kishte filmuar gjithçka, e ka fikur. Ka qenë vetë Dritan Prifti ai që ka pranuar se filmimi është kryer prej tij me vullnet të plotë, pohim të cilit deputetit Prifti i është përmbajtur edhe gjatë deklarimeve të tij në Prokurorinë e Tiranës. Duket se Dritan Prifti e kishte menduar me hollësi planin e tij për të filmuar Ilir Metën, duke e vendosur atë përballë kameras dhe duke u siguruar herë pas here, me bisht të syrit, që kamera ishte duke regjistruar. Nga ana tjetër, gazetari Bushati gjatë emisionit të tij ka bërë dhe një përmbledhje të orëve të fundit të Metës si ministër i Ekonomisë, duke nisur që nga deklarata e parë e tij, ku lajmëronte se dorëheqjen do ta jepte vetëm më 28 qershor 2013 e deri në bërjen publike të këtij vendimi, vetëm 48 orë më pas. Gjithashtu, është bërë dhe një përmbledhje e deklaratave më të fuqishme të Priftit, që nga pozicionimi hapur në krah të Sali Berishës, e për të vazhduar më pas me akuzat ndaj Ramës, akuzat ndaj krerëve të lartë të Policisë së Shtetit, e për të përfunduar te publikimi i videos së shumëpërfolur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›