E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja Meta-Prifti, Prokuroria merr dokumentet e HEC-it në QKR

Tiranë- Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për dy nga çështjet më të rëndësishme të përmendura në videon Meta-Prifti: koncesionin e HEC-it të Shushicës dhe tenderin e naftës së “Albpetrol”. Në pritje të ekspertëve amerikanë, grupi hetimor ka kërkuar nga të gjitha institucionet që përfshihen në këtë video dokumentet për dy çështjet në fjalë. Nëpërmjet një korrespondence zyrtare, grupi hetimor i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve të tjera të përfshira në proces gjithë praktikën për HEC-in e Shushicës në Elbasan, i cili përmendet nga ish-zv.kryeministri në video. E njëjta praktikë është ndjekur edhe për tenderin në “Albpetrol”, i cili fillimisht është fituar nga kompania “Armo”, por ish-zv.kryeminsitri në video i kërkon vartësit të tij ta anulojë këtë tender dhe t’ia japë një personi me emrin Bekim. Për të dy këto raste, ku përmendet edhe shifra 7 për qind apo 700, Prokuroria ka nisur procesin e marrjes së dokumentacionit zyrtar që ndodhet në institucionet që kanë kaluar në filtër tenderin dhe dhënien e HEC-it me koncesion. Deri ditën e djeshme, konfirmohet se asnjë prej institucioneve zyrtare nuk ka përcjellë dokumentacionin e kërkuar në Prokurori, por kanë konfirmuar mbërritjen e kërkesës dhe kanë ofruar bashkëpunimin e tyre. Sipas burimeve mësohet se aktualisht vetëm Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve (QKR) ka vënë në dispozicion të akuzës dokumentet e kërkuara lidhur me dy kompanitë e përmendura në video, ku janë të përcaktuara në mënyrë të detajuar aksionerët dhe objekti i veprimtarisë së këtyre kompanive. Ky dokumentacion pritet të pasohet edhe nga dosjet e plota me praktikën e tenderit në “Albpetrol” dhe koncesionin e HEC-it të Shushicë, të dhëna këto që do të hetohen pas vendimit të ekspertëve të huaj mbi autenticitetin e videos së dorëzuar në Prokurori nga ish-ministri Dritan Prifti. Burime zyrtare konfirmuan se deri pasditen e djeshme, ende nuk kishte një përgjigje zyrtare nga Ambasada Amerikane në Tiranë për kërkesën e Prokurorisë. Të premten e shkuar, me kërkesë të njësisë “Task Forcë”, e cila po heton përmbajtjen e videos Meta-Prifti, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi asistencë teknike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkesa zyrtare iu dërgua Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila dy ditë më parë tha se është duke u shqyrtuar kërkesa për ndihmë e Prokurorisë shqiptare. Sipas Prokurorisë, në kërkesë nuk janë specifikuar specialistët që do të asistojnë për përcaktimin e autenticitetit të videos, duke pohuar se është e drejta e ambasadës të çmojë se nga cili institucion amerikan duhet të jenë ekspertët e kërkuar. Deri në pritje të një përgjigjeje zyrtare, grupi hetimor i ngritur për çështjen është duke kryer disa verifikime në lidhje me akuzat për të cilat është regjistruar procedimi penal një ditë pas publikimit të videos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›