Kërcënimi i Priftit? Orik Shyti: Inskenim me emrin tonë
Vëllezërit Orik e Leart Shyti reagojnë një ditë pas publikimit të intervistës së deputetit Dritan Prifti, sipas të cilit tashmë është ngritur një alibi sikur ai rrezikohet nga grupi “Hakmarrja për Drejtësi”. Me anë të një deklarate për mediat, vëllezërit Shyti distancohen totalisht nga kjo ngjarje, duke e cilësuar atë një tjetër inskenim në emër të tyre. “E përditshmja ‘Mapo’ botonte deklaratën e deputeti Dritan Prifti, sipas së cilës disa segmente të policisë dhe të Prokurorisë kanë shpërndarë fjalë se ai është i kërcënuar për jetën nga ‘Hakmarrja për Drejtësi’ dhe prandaj i kanë caktuar roje. E thënë ndryshe, policia po e ruan që të mos e vrasë ‘Hakmarrja...’. Deklarata e Dritan Prifti ka tërhequr vëmendjen e publikut, prandaj ne, ‘themeluesit’ e ‘Hakmarrjes’, e shohim me vend ta sqarojmë opinionin” – shprehen vëllezërit Orik e Leart Shyti. Sipas tyre, ajo që deklaron Prifti për “Hakmarrjen” është vijim i një fushate që ka rifilluar para disa ditësh dhe përkon me datën 25 dhjetor 2010, kur i kanë drejtuar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të gjykuar shkeljet ligjore dhe kushtetuese që janë bërë në një proces penal fund e krye të falsifikuar. Ata shtojnë se ky është një sulm i nisur prej kohësh ndaj tyre, duke vazhduar akuzat e tyre për kryeministrin Berisha, i cili, sipas tyre, ka inskenuar të gjitha situatat dhe ka përfshirë në shumë ngjarje emrin e “Hakmarrjes për Drejtësi”. “Përfundimisht janë të gjitha gjasat të thuhet se qëllimi i përdorimit të ‘Hakmarrjes’ në këtë rast është i dyfishtë. Zoti Prifti nuk u tremb dhe ka të ngjarë që rojat t’ia heqin, por presioni mbi drejtësinë do të vazhdojë. Nuk ka vend të përgënjeshtrojmë me fjalë të drejtpërdrejta gënjeshtrat që përhapin shpifësit e vegjël nën kujdesin e Shpifësit. Aq më tepër që të gjithë e dinë se ku banojmë dhe janë me qindra ata që na i dinë numrat e telefonave, të faksit dhe adresat e postës elektronike. Tabori i tyre ndihet keq, se deri tani nuk ka arritur të gjejë qoftë edhe një njeri të vetëm që të thotë se ne e kemi kërcënuar, apo të gjejë një dëshmitar që të pohojë se na ka parë të vjedhim apo vrasim, siç na akuzojnë” – mbyllin reagimin e tyre Leart dhe Orik Shyti.