Skema e re e PS-së, bllokim sa herë që Berisha sulmon
Vendimi i fundit i Asamblesë Kombëtare për të thelluar marrëdhënien e kushtëzuar të grupit parlamentar socialist me Kuvendin e Shqipërisë ka filluar të japë dje efektet e tij të para. Që në nisje të seancës së djeshme plenare, deputetët socialistë kanë nisur të zbatojnë një strategji të veçantë për të përshkallëzuar reagimin e tyre opozitar në Kuvend, duke mos lejuar më zhvillimin normal të tyre sa herë Berisha të sulmojë dhe fyejë deputetët e PS-së dhe kreun e partisë, Rama. Pikërisht një gjë e tillë është parë mbrëmë në Kuvend. Sa herë që kryeministri Sali Berisha ka nisur të sulmojë përfaqësuesit e opozitës dhe kryesisht liderin e tyre Edi Rama, grupi parlamentar socialistë është ngritur në këmbë dhe ka bllokuar foltoren e Kuvendit dhe është përpjekur që të mos lejojë kundërshtarin politik të flasë, duke penguar kështu edhe mbarëvajtjen normale të seancës plenare. Ky nuk ka qenë një veprim i momentit, pasi, siç mësohet, ajo që u pa dje në seancë plenare është zbërthimi në një veprim konkret i vendimit të Asamblesë për thellimin e marrëdhënies së kushtëzuar me Kuvendin. Kështu, deputetë socialistë bënë të ditur dje se një skenar i tillë ka për t’u përsëritur thuajse çdo seancë, pasi ata janë angazhuar që të mos lejojnë më mazhorancën në përgjithësi dhe kryeministrin Berisha në veçanti që të atakojë opozitën dhe anëtarët e saj me fjalë fyese dhe akuza për familjarët e tyre. Dy do të jenë veprimet e grupit parlamentar socialistë në të tilla raste, ose bllokimi i Kuvendit dhe mos lejimi i zhvillimit normal të punimeve të tij ose largimi nga salla. Për zbatimin e kësaj strategjie, kreu socialist ka biseduar edhe dje me deputetët e tij në takime të veçanta që ka patur me ta, ku dhe u ka zbërthyer se çfarë do të thoshte “thellim i marrëdhënies së kushtëzuar”. Vlen të përmendet këtu se vetëm gjatë seancës së djeshme deputetët socialistë arritën të bllokojnë punimet e Kuvendit disa herë, duke detyruar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, që të ndërpresë plot katër herë seancën.
Kaosi
Dje Berisha e ka kuptuar taktikën e opozitës dhe disa herë gjatë debatit i është drejtuar duke u thënë se “Ju nuk mund të më ndërprisni mua, ju nuk mund të ndërprisni fjalën e Kryeministrit të vendit”. Seanca e djeshme gjithsesi dje nuk arriti të futej në rrjedhën normale përveç disa minutave të para. As pozita dhe as opozita nuk u tërhoqën, duke sjellë degjenerimin e seancës dhe mbylljen e saj në kaos.