Shkarkohen kryekomunarët e Dajtit dhe Gosës
Pak ditë më parë u kallëzuan penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, me akuzën e fshehjes dhe deklarimit të rremë
Qeveria ka vendosur shkarkimin e dy kryekomunarëve të kallëzuar sëfundi, nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për fshehje pasurie. Ministria e Brendshme ka kryer verifikimet dhe nisjen e procedurave për shkarkim të kreut të komunës Dajt, Kujtim Qefalia dhe atij të komunës Gosë, Sinan Shala. Dy javë më parë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) kallëzoi penalisht dy zyrtarët lokalë, me akuzën e “mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive”. Në përfundim të kontrollit të plotë për interesat private të vetëdeklaruara nga subjekti Kujtim Qefalia, me funksion kryetar i komunës Dajt, Inspektorati i Lartë konstatoi këto probleme: mosdeklarimin e 3 trojeve me sipërfaqe 1110 m2, (njëri prej të cilëve në bashkëpronësi), të blera me vlerë 5.9 milionë lekë; mosdeklarimin e dy tokave arë, me sipërfaqe totale 17.000 m2, të blera me vlerë totale 22 milionë lekë; mosdeklarimin e një dyqani me sipërfaqe 70 m2, me vlerë 200.000 lekë; dhe një magazinë, blerë me vlerë 3.5 milionë lekë; mosdeklarimin e 3 automjeteve, për të cilat subjekti pretendon se janë jashtë përdorimit, por nuk posedon dokumentacionin përkatës dhe mosdeklarimin e një llogarie bankare, në shumë 475.000 lekë. Gjatë hetimit administrativ ka rezultuar se nuk ka një burim të identifikueshëm për krijimin e pasurisë të krijuar ndër vite nga ana e subjektit. Në vitin 2007, subjekti ka shitur 100 % të aksioneve të tij, në shoqërinë “Vllaznia” sh.p.k, në shumën 65.000.000 lekë. Të ardhurat e kësaj shoqërie, nga viti 1999 deri në momentin e shitjes, nuk janë tërhequr nga subjekti, por janë përdorur vetëm për rritjen e kapitalit themeltar. Inspektorati i Lartë, në përfundim të kontrollit të plotë për subjektin Sinan Shala, me funksion kryetar komune në Gosë, Kavajë, ka konstatuar se subjekti ka përfituar në mënyrë të paligjshme disa kabina plazhi, së bashku me truallin, pronë publike, të ndodhura në zonën e plazhit të Karpenit, Kavajë. Këto asete më pas i ka shitur me vlerë reale 200.000 euro, por të deklaruara në ILDKP si të shitura në vlerën 5 milionë lekë. Nga verifikimet e kryera nga Inspektorati i Lartë, janë administruar me cilësinë e provës dy kontrata shitje, me të njëjtin objekt dhe të njëjtat palë kontraktore. Në kontratën e depozituar nga subjekti në ILDKP, vlera e shitjes ishte 5 milionë lekë, ndërsa kontrata mbi bazën e të cilës është bërë edhe shlyerja totale e vlerës, e cila është zbuluar gjatë hetimit administrativ të ILDKP, është 200.000 euro. Shala gjithashtu dyshohet nga ILDKP për mosdeklarim të kontratës së sipërmarrjes nga vajza e tij, me një kompani private, për ndërtim dyqani. Gjithashtu, është konstatuar deklarim i rremë dhe mosmbulim me të ardhura dhe burime të ligjshme për vlerën shtesë prej 50.000 euro, e përdorur për shlyerjen e këstit për blerjen e këtij dyqani. Shala dyshohet për deklarim të rremë dhe mospërputhje mes vlerës së deklaruar të shitjes së një shtëpie në Agnes, Kavajë, në shumën 50.000 Euro, krahasuar me vlerën e kontratës në shumën 4.900.000 lekë, ku rezulton një diferencë prej 1.417.500 lekë.