E Diel, 1 Nëntor 2026

Inflacion

Ka ndër ne që nuk e dinë kuptimin e saktë të fjalës së huaj “infl acion” që në shqip do të thotë: zhvlerësim. E megjithatë infl acionin tashmë të gjithë e hamendësojmë, paçka se e lidhim vetëm me zhvlerësimin e lekut, një dukuri e cila përkthehet çdo ditë me ndihmën e xhepit, nga shpenzimet, taksat e faturat, të cilat nuk lypin shumë mund e kulturë ekonomike për t’u marrë vesh…Kështu, nëse një kg sheqer para disa vitesh kushtonte 70 lekë, sot kushton 140, ashtu si një litër benzinë sot blihet tri herë më shtrenjtë, etj, etj…Por nëse inflacioni i lekut, rritja e çmimeve, zhvlerësimi i prodhimit vendas dhe i krahut të punës nuk varen vetëm nga faktori i brendshëm, d.m.th nga politikëbërja, nga ndërhyrjet proteksioniste apo liberale të qeverisë, nga niveli i borxhit të brendshëm, etj, etj, po më së shumti nga ai i jashtëm (si kriza globale që po ndodh tani në botë), inflacionet e tjera kësodore, të cilat ne shqiptarëve na bien më pak në sy, si p.sh zhvlerësimi i jetës së njeriut, i historisë, i fjalës, i identitetit kulturor, i mjedisit, i pasurive dhe aseteve kombëtare e së fundi edhe i institucioneve të pavarura të cilat varen e duhet të varen tërësisht e kryesisht nga vullneti ynë.
Kur them: nga NE, afërmendsh, nuk kam parasysh qytetarët e zakontë që kanë në duar çelësat e kashtës, po klasën drejtuese, elitat, kryetarët e partive të cilët presupozohet të jenë të prirur t’i japin tonin shoqërisë jo vetëm në aspektin ekonomik e politik, por edhe moral. Ajo që po ndodh ditët e fundit me institucionin më të lartë të shtetit, me postin e Presidentit të Republikës, është ilustrim më se i qartë se si dhe përse po vazhdon të kryhet tek ne me sukses inflacioni mbarëkombëtar, i frikshëm e, pse jo, edhe i qëllimshëm i të gjitha vlerave e institucioneve, të varura e të pavarura, pra jo vetëm i gjykatave, mediave, KQZ, INSTAT, KLSH, KLD, Kuvendit, RTSH, etj, etj, por edhe i majës më të lartë të piramidës, Presidencës…Tash nuk mund të mohohet që kemi inflacion deputetësh, diplomash, titujsh, akademikësh, prostitutash, biznesmenësh, presidentësh, OJF-rash, showmenësh, këngëtarësh, analistësh…,e, pse jo, -të më falni! -edhe pordhash me shumicë!…Hapni cilindo kanal televiziv, në cilëndo orë që të bindeni se sa të vetëshpallur Vipa, të shquar, të famshëm, të paparë kemi aktualisht ne!
Nuk ka si të ndodhë ndryshe; inflacioni i të vetëshquarve si kudo e kurdo ecën paralelisht me inflacionin e institucioneve, sepse zhvlerësimi i tyre përherë ka synuar të kapë majat, duke përmbysur e gremisur gjithçka teposhtë e kokëposhtë: vlerat në antivlera dhe anasjelltas. Duke sulmuar e delegjitimuar këdo që del kundër Njëshit, sidomos kulmin e hierarkisë, postin e Presidentit, duke e pështyrë, poshtëruar e përsëndyrë sistematikisht atë, të gjithë të tjerët, të gjendur nën të, të mëdhenj e të vegjël, me e pa pushtet, duhet të ulin kokën, të binden pa kushte, t’i thonë edhe derrit dajë, sepse tekefundit dinjitetin vetjak nuk e kanë fituar, por e kanë blerë.
Kjo është e vetmja arritje e qenësishme, ky është mesazhi i përcjellë për bukuri nga baca Sali, nën sundim-drejtim të të cilit, prej gati një çerek shekulli, edhe gurët e kështjellave e të kalave, pra jo vetëm të gjallët e kësaj toke, janë shkundur, shkulur e vënë nën trysninë e zhbërjes, të inflacionit!
***
Pazaret që po kryhen këto ditë për të gjetur një President, në fakt e kanë bërë më se të qartë këtë dukuri: sulmet e ndyra verbale mbi Topin (“horr bulevardi”…), në fakt, njëlloj si bombardimet që kryhen para sulmeve frontale nuk qenkëshin bërë dhe aq mbi dhe për Topin si njeri, por mbi postin e Presidentit të Republikës për ta zhvlerësuar, rrënuar, çfaktorizuar dhe delegjitimuar përfundimisht atë post. Pasi Presidenti u zhvesh dhe u qeth brenda një nate nga funksionet, pas ndryshimeve të Kushtetutës, na u dha një shembull kuptimplotë për të krijuar bindjen se Presidenti i Shqipërisë vetëm formalisht do të quhet Qytetar i parë, se realisht është më i fundit, më i ekspozuari për t’u përbaltur e nëpërkëmbur! Se kur shkelet një President, ç’duhet të mendojnë të tjerët, anonimët? Aq shumë u depersonalizua dhe u poshtërua figura e Presidentit, sa tashmë këtë post të lartë, medemek më i larti, sipas Kushtetutës, mund ta pranojë dhe ushtrojë nesër vetëm një dosido, një anonim, një pa dinjitet, pa emër, pa personalitet të vetin, një nëpunës lapërdhar e ambicioz, meskin e i pafytyrë që me njëfarë dinjiteti “institucional” di dhe pranon, nga mëngjesi deri në darkë, t’i bëjë temena e t’i thotë kryeministrit: lepe-peqe!
Pikërisht këtë rol nuk mund ta luajë një personalitet i lartë, më i madhi që kemi aktualisht, Kadareja. Jo studentët e Shkodrës, po sikur Fyle, Obama bashkë me Hollande e Merkel t’i luten, Kadareja nuk mund të pranojë të përdoret, të keqpërdoret, të shkelet e të poshtërohet nga bajlozët e këtushëm të politikës, si u poshtëruan dhe u nëpërkëmbën të gjithë Presidentët pararendës në demokraci. Kjo nuk do ta ndihmonte Shqipërinë, përkundrazi, do të shkatërronte përfundimisht shansin e saj, pasi do t’u provonte, jo vetëm me fjalë, por me një shembull konkret, me një emër të përveçëm, gjithë qytetarëve shqiptarë, po edhe miqve ndërkombëtarë, se, derisa u detyrua të nënshtrohej e të bëhej leckë edhe një Kadare, atëherë këtë vend e këtë popull e ka marrë lumi. Kjo do të ishte prova më kokëfortë se në këtë vend të bekuar e në këtë shoqëri të margjinalizuar nga keqpolitika jo vetëm që nuk ka personalitet vendor, por as BE, SHBA dhe as Zot të marrë së bashku, që mund ta fusin në udhë të mbarë prosperitetin dhe demokracinë funksionale!
Ja përse nuk pranoi Kadareja. Jo se posti i Presidentit do t’i kushtonte shumë mund e kohë e do ta pengonte të merrej me veprimtari letrare e intelektuale, përkundrazi. Si njohës i mirë i Shqipërisë aktuale, i krerëve të saj, i psikës së tyre orientale e drumepre, ai e di që do ta kishte kryekrejt të pamundur të jepte kontribut e njëkohësisht të mbetej edhe i nderuar, deri në fund të mandatit…; ai do ta kishte ndihur Shqipërinë, përparimin, integrimin dhe evropianizimin, njëlloj si Haveli Çekinë në periudhën më të rëndësishme të saj dhe Kadareja nuk do të ngurronte të linte Parisin, po qe se do të kishte sadopak besim e siguri në integritetin e nesërm të Presidentit të Republikës. Por asesi nuk e bën këtë “mëkat”, nuk e merr këtë “kurorë tjetër lavdie” në tregun shqiptar të gab-politikës, pasi e di që emri i tij, vepra e tij, fama e tij, duke ia bashkangjitur veprimtarisë së një Presidenti- kukull, pa dinjitet e pa personalitet, të keqpërdorur e të pafuqishëm, do të pësonin fiasko, një inflacion të pashmangshëm, fatal e të pandreqshëm…
Pra Kadareja nuk pranon se është i bindur që në këtë terren pa rregulla e pa hierarki vlerash do ta ketë të pamundur të realizojë të kundërtën, të mbjellë shpresën e dëshiruar si President Republike. Ai nuk denjon të marrë rolin e Presidentit para atij të shkrimtarit, (edhe pse ka vendosur të mos shkruajë më letërsi, se e ka të vështirë e të pështirë të bëhet një Zaganjor, apo qoftë edhe një Top!…Jo se e do rehatin dhe veten më shumë se Shqipërinë, jo se nuk e di që si President nuk do t’i mungonin nderet, favoret dhe vizitat jashtë shtetit, aq të lakmuara, por, në të kundërt, e refuzon pikërisht se e do dhe e çmon Shqipërinë dhe historinë e saj më shumë se veten, ndoshta po aq sa veprën e tij. Pra, refuzimi, mospranimi i një posti kaq të lartë, më të lartit, si e thotë edhe vetë: mund të ndihmojë evropianizimin, normalizimin dhe përparimin e Shqipërisë ku e ku më shumë se pranimi…
Por a e kuptojmë ne këtë të vërtetë kaq të qartë e njëkohësisht edhe kaq të hidhët? A ka të drejtë Kadareja? Sigurisht që po. Në fakt rasti “Kadare”, edhe pse deri tani i vetëm (kush dreqin e di sa do të jenë ata që flenë me ëndrrën presidenciale dhe që i kanë bërë kostumet e fjalimin e rastit gati, paçka se e dinë që nesër, po të emërohen President do të poshtërohen dhe përdhunohen!?), edhe pse ra si kova në pus, na vjen si një tjetër shenjë ndjellakeqe e kësaj kohe, e këtij morali, e aktit më të fundit të melodramës arnaute, absurde e qesharake që po luhet ditët e fundit në Shqipëri në kërkim të një Presidenti sa më butaforik të Republikës. Prandaj diskutimet: konsensual apo jo konsensual, mbi apo nën palët, partiak apo nga shoqëria civile, me bisedime mbi apo nën tryezë, para kësaj rropame morale të institucioneve mbeten, për fat të keq, fjalë boshe, ngjajnë shashka në furtunë.
E gjithë kjo histori pa histori, sigurisht samëska vulgare dhe pa sqimë mund të përmblidhet në këtë arsyetim të thjeshtë: aktualisht Shqipërisë i bëkan nder, - mjerisht!, - vetëm ata që nuk e pranojnë këtë pazar të ndyrë, ata që nuk pranojnë të rekrutohen, të depersonalizohen e të zhvlerësohen për një post, për karrierë e për lavdi të pamerituar…Vetëm këta emra provojnë se mes nesh paskan mbetur edhe kësi burrash që për asnjë çmim nuk pranojnë të shesin veten, nderin dhe respektin e duhur për Shqipërinë, edhe kur u ofrohet posti i Presidentit të Republikës, post që të krijon shansin të varrosesh mbi shtratin e topit, duke u futur automatikisht në histori! Por a mjafton vetëm kaq?...Kjo është dilema, udhëkryqi, enigma, ngërçi, kurthi që po na çon drejt një inflacioni të pashmangshëm e gjithëpërfshirës…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›