E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Presim lëvizjen e Berishës

Kreu i PS-së deklaron se opozita është gati për kompromis, duke treguar vullnet politik

Socialistët kërkojnë kompromis me kushtin e vetëm për të mos penguar integrimin e vendit, por nuk lëshojnë pe nga kërkesa e tyre për transparencë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, rikonfirmon vullnetin e opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend, por nuk jep detaje mbi zhvillimin e negociatave që priten të zhvillohen mes trekëndëshit PD-PS dhe ndërkombëtarët. Kreu i selisë rozë është treguar i rezervuar në lidhje me zbardhjen e detajeve të takimit të grupeve parlamentare të PE-së për hartimin e një drafti ultimativ për PD-PS. Socialistët janë gati të pranojnë draftin, çka do të zhbllokojë proceset integruese të vendit. Rama ka ftuar sërish Kryeministrin Berisha të pranojë krizën dhe të ulet për ta zgjidhur atë dhe për të krijuar një demokraci funksionale e jo duke inauguruar rrugë me gërshërë në dorë. “Ta pranojë krizën dhe Berisha të ulet për ta zgjidhur atë. Ne jemi gati të merremi vesh për të mirën e vendit, për transparencën që vendit i duhet për të parë qartë rrugën që ka përpara, për liberalizimin e vizave”, tha Rama. Sipas tij, nuk ka afat për hetimin e zgjedhjeve, pavarësisht se sezoni parlamentar mbyllet vetëm pas 45 ditësh. “Zgjedhjet nuk kanë lidhje me kampionatin botëror dhe hetimi i tyre nuk ka këtë afat”, u shpreh Rama. "Marrëveshja, e cila është e domosdoshme për të kapërcyer krizën, është një marrëveshje që mund të ngrihet mbi draft të miratuar bashkërisht mes palëve këtu në vend dhe padyshim falë kontributit dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të palës së tretë, miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë", vijoi Rama. Sipas tij, mazhoranca mban përgjegjësitë e saj nëse nuk u bindet ndërkombëtarëve. “PS-ja është e gatshme të merret vesh për të mirën e vendit, për të dalë nga kjo gjendje dhe për të ecur përpara në çlirimin e ekonomisë nga kriza, për të shkuar drejt liberalizimit të vizave dhe drejt vendosjes së bazave të demokracisë, ku të ketë barazi para ligjit. Rikonfirmoj vullnetin e plotë për një kompromis që i hap rrugën transparencës", theksoi Rama. Kryetari i PS-së rikonfirmoi sërish qëndrimin e selisë rozë për të kushtëzuar me votë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Lideri socialist u ndal edhe te kriza ekonomike, duke i kujtuar Berishës se ajo prej saj nuk mund të dilet duke inauguruar për të disatën herë rrugë dhe shkolla, me shifra të gënjeshtërta ekonomike apo me vendosje gjobash ndaj bizneseve. “Kriza e ekonomisë nuk zgjidhet as edhe me krahasimet e turpshme e tallëse me botën që, sipas Kryeministrit tonë, qenka e gjitha në hall, ndërkohë që i vetmi vend ku halli i krizës s’paska rënë qenka Shqipëria e Saliut, Ridvanit dhe Fullanit”. Për Kryeministrin, ministrin e Financave dhe kreun e Bankës së Shqipërisë, kryetari Rama hodhi një lumë me kritika. “Fullanit i bëj apel të mos bëhet mashë e dy të parëve për të nxjerrë nga zjarri i krizës gështenjat e djegura të politikës së verbër ekonomike të Kryeministrit. Bodes i bëj apel të mos bëhet njësh me të parin si në kohën e piramidave. Kurse Kryeministrit i bëj apel të ndalet në turravrapin e tij drejt greminës dhe të kuptojë më në fund se nuk ka asnjë gjasë ta kapërcejë krizën e gjithanshme me këto receta dërrmuese për vendin, por edhe turpëruese për atë vetë dhe qeverinë e tij”, tha Rama. Shefi i selisë rozë i kërkon Kryeministrit të dëgjojë zërin e arsyes dhe të heqë dorë sa nuk është vonë nga arsyeja e forcës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›