E Diel, 1 Nëntor 2026

Sanksione për ndërtuesit që nuk termoizolojnë banesën

Projekti Eficenca e energjisë në banesa, IFC&AKBN: Kursehet 50%. Duhet ndryshuar kodi

Përdorimi i linjave termoizoluese në objektet e banimit do të shkaktonte një eficencë më të mirë të energjisë elektrike, duke kursyer përdorimin e saj, prej një kohe të gjatë, IFC, në bashkëpunim me Agjencinë e Burimeve Natyrore, po punon për të sensibiluar konsumatorët në zgjedhjen e tyre për banesa sa më cilësore dhe të izoluara sipas standardit. “Për firmat e ndërtimit nuk ka asnjë kosto të konsiderueshme ndërtimi i objekteve me termoizolim. Shtesa te produkti final nuk shkon më shumë se 2 për qind, që nëse vendoset çmimit, është e përballueshme për blerësin e objektit”, tha specialistja e AKBN, Teuta Thimjo. Sipas saj, firmat e ndërtimit duhet të respektojnë Kodin e Banesës, që përcakton qartë detyrimin e ndërtimit të objekteve me termoizolim. “Problemi qëndron se në vendimin e qeverisë nuk janë vendosur sanksionet për firmat që nuk respektojnë rregullin”, tha Thimjo.

IFC-ja, degë tregtare e Bankës Botërore, po punon prej kohësh për projektin e “eficencës së energjisë”, duke zhvilluar një sërë takimesh me grupet e interesit, kryesisht ndërtues dhe arkitekt.
Në Shqipëri, sektori i banesave është i dyti për sa i përket konsumit total të energjisë, pas atij të transportit. Sipas studimit të kryer nga AKBN-në, sektori i banesave konsumon 47 për qind të totalit të energjisë elektrike të vendit dhe 23.6 për qind të totalit të energjisë së përdorur nga të gjithë sektorët. Pjesa më e madhe energjisë, rreth 50 për qind, përdoret për ngrohjen e banesës.
Për të përmirësuar situatën, AKBN po ndërmerr iniciativën për të ndryshuar kodin aktual të energjisë, duke u konsultuar më parë me grupet e interesit. “Kodi i ri i Energjisë do të sillte një kursim të konsumit, fatura me kosto të ulët financiare, si dhe impakt pozitiv në mjedis”, shpjegon raporti i prezantuar këto ditë në Tiranë, nga IFC dhe AKBN. 
“Termoizolimi i ndërtesës do të ishte një nga metodat ose mënyrat e arritjes së eficencës së energjisë në ndërtesa, për rrjedhojë edhe të kushteve të përcaktuara në Kod”, thotë një ekspert i IFC, duke shtuar se me gjendjen ku ndodhen sot ndërtesat në Shqipëri është i domosdoshëm zbatimi i ligjit dhe kodit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›