Rama: Problemi i atyre që paguajnë për tu diplomuar mbërriti edhe në Itali

Renzo Bossi
Kryesocialisti Rama është shprehur gjatë një takimi me studentët shqiptarë në Firence se çështja e Renzo Bossi-t, i cili rezulton i diplomuar në universitetin Kristal në Shqipëri, e ka çuar në Itali problemin e atyre që paguajnë për tu diplomuar.
Problemi i atyre që paguajnë për tu diplomuar, me çështjen e Renzo Bossi-t, mbërriti edhe në Itali, tha Rama.
Duke komentuar lajmin që u përhap fillimisht në mediat italiane e më pas edhe në ato shqiptare, Rama është shprehur: Diploma e Renzo Bossi-t në Menaxhim Biznesi nuk është marrë në një universitet ku shkohet për të studiuar, por në një universitet ku paguhet për të pasur një diplomë. / G.N.
Bossi u regjistrua në universitet pa mbaruar shkollën e mesme
Ose është një lapsus i deklaratës së universitetit “Kristal”, ose një tjetër dritë qesharake i shtohet skandalit të marrjes së diplomës së Renzo Bossit në Tiranë. Pak orë pas publikimit të lajmit se i biri i kreut të Ligës së Veriut kishte mbaruar brenda një viti studimet e larta në universitetin “Kristal”, ky i fundit doli me deklaratën konfirmuese se Bossi vërtet kishte qenë student i tyre. “I regjistruar konform ligjit në vitin shkollor 2007-2008″, deklaron “Kristal”.
Por në atë vit, Renzo Bossi nuk kishte mbaruar ende shkollën e mesme. Karriera shkollore e djalit të Umberto Bossit ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes së medieve për faktin e thjeshtë që Renzo e ka marrë diplomën e shkollës së mesme në korrik të vitit 2009, në moshën 21-vjeçare, pasi e ka dhënë tri herë provimin e shtetit.

Foto e publikuar nga Roberto Maroni në Facebook
Ndaj, pa diplomën e shkollës së mesme nuk mund të regjistrohej ‘konform ligjit’ në universitetin “Kristal”, ku brenda një viti do të jepte 23 provime e do të merrte diplomën me vulë të universitetit, me firmë të dekanit Skënder Kërçuku dhe atë të rektorit Maringlen Spiro. E për më tepër, me nota të larta.
Ndryshimi i datave mund të duket një lapsus, por nga ana tjetër ndoshta hedh dritë pikërisht mbi mashtrimin dhe shitjen e dokumentit shkollor. Nëse Bossi rezulton i regjistruar në vitin 2007, duhet t’i përfundonte studimet pikërisht tre vjet më pas, me 2010, kur edhe ka marrë ‘diplomën’. Aq të sigurt duhet të jenë ndier sekserët e shitblerjes sa që me ‘lëshimin e diplomës në 2010, kanë regjistruar njëkohësisht edhe datën e regjistrimit, sikur kjo e fundit të këtë ndodhur tri vjet më parë. Për të qenë ‘konform ligjit’. Por edhe duke mos e ditur që klienti i tyre kishte përsëritur tre vjet rresht provimet e maturës dhe se me 2007-ën nuk mund të regjistrohej në asnjë universitet pa diplomën e së mesmes. Përveçse të “Kristal”. /Shqiptari i Italisë/