BB, 23 mln për projektet në Kosovë

Banka Boterore / Foto arkiv
Bordi i drejtorëve ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi dje një grant prej 23 milionë eurosh për projektet e zhvillimit në Kosovë, SEDPO 2. Fondi i Bankës do të shoqërohet edhe me dy grante të tjera: njëri prej 12.1 milionë eurosh nga Komisioni Evropian, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Italia, Norvegjia, Suedia dhe Zvicra dhe tjetri nga Shtetet e Bashkuara, prej 1.8 milionë dollarësh.
Në njoftimin për shtyp, Banka Botërore thonë se SEDPO mbështet reforma të rëndësishme të politikave për Kosovën, duke pasur si objektiv përmirësimet në mjedisin e biznesit për të nxitur investimet nga brenda dhe jashtë vendit, për forcimin e praktikës së prokurimit dhe menaxhimin financiar për të shtuar transparencën dhe përgjegjshmërinë; për të forcuar institucionet e tregut të punës për tu ofruar shërbime personave të papunë dhe ndihmë sociale për ata që kanë nevojë, duke u vënë theksin institucioneve të arsimit profesional dhe konsolidimit të shërbimit civil të Kosovës.
SEDPO 1 për Kosovën kapi shumën e 30,9 milionë dollarëve dhe iu dha vendit më 30 dhjetor 2011. Disbursimi i fondeve hyri në buxhetin e Kosovës, pasi ajo zbatoi me sukses reformat e përqendruara në punësimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore. / Kosova.com