Rama: Proceset penale ndaj zyrtarëve, dëshmi se lufta antikorrupsion është serioze dhe pa kthim

TIRANË, 27 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “proceset penale për zyrtarët e të gjitha niveleve po ndodhin, sepse lufta e nisur seriozisht 10 vite më parë kundër korrupsionit është e vërtetë, serioze dhe pa kthim.
“Kush rri e numëron ‘u thirr ky e ai, u arrestua ky e ai’, duke e kthyer opozitën politike dhe mediatike në një llogore baltosjeje me iluzionin se do na e kthejnë ne popullin kundër, thjesht do të zhytet vetë përditë nga ajo baltë dhe do të zvogëlohet nga fuqia”, tha Rama.
Rama tha se “ata që nuk e kuptojnë se pa vizionin dhe vullnetin tonë shtetbërës asnjë nga këto nuk do të ndodhnin dhe sot nuk do të kishte asnjë zyrtar nën hetim, ose nuk duan fare ta pranojnë se është kthyer rrota e historisë së këtij vendi, ose nuk kanë forcë të besojnë se Shqipëria që nuk u bë dot nga ata, po bëhet nga ne, ose nuk kanë asnjë gjë me vlerë për të thënë dhe flasin pa pushim”.
“Ndërsa ata që e kuptojnë se lufta me korrupsioni në një shtet demokratik që kishte zgjedhje jo të lira çdo 4 vjet është një luftë që bëhet duke i thënë kazanit ‘të iki Lena, se do vijë Prena’, nuk e kanë idenë sesa larg realitetit të kësaj lufte janë”, tha Rama.
Sipas tij, “kjo nuk është një luftë vulgare për pushtet, por luftë për shtetbërje demokratike, vendosjen e mekanizmave shtetërorë e institucionalë që shkojnë përtej Lena-Prenave dhe ulin hap pas hapi ndikimin e lartë të subjektivitetit njerëzor mbi çdo pjesë të makinerisë kushtetuese, duke forcuar funksionimin e ligjit”, shtoi ai.
/r.e/