E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Programi, do ulemi me njerëzit të dëgjojmë historitë e tyre

“Ato që do t’u drejtohet grupi ynë do të jenë periferitë dhe në ato periferi duhet të ulemi me njerëzit dhe të dëgjojmë historitë e tyre, për të ngjallur besimin tek ato familje të zhytura në varfëri, se jeta e tyre mund të bëhet më e mirë”

Partia Socialiste startoi ditën e djeshme diskutimin e programit të ri politik, i cili udhëhiqet nën moton “Rimëkëmbja e Shqipërisë”. Kryesocialisti Rama në fjalën e tij, duke e vënë theksin te rëndësia e këtij programit, tha se në fokus të këtij programi është ndryshimi i së ardhmes. Kjo, sipas Ramës, do të arrihet në kuadër të zgjidhjes së një sërë problemesh të cilat, sipas tij, po e mbajnë peng shoqërinë shqiptare. Ajo çka kryesocialisti e konsideron si të ngrirë dhe që pret zgjidhje nga programi i ri i PS, është zhvillimi i ekonomisë, i cili duhet ketë në thelb të tij lirinë e konkurrencës. Duke vijuar më tej, me prezantimin e qëllimeve që ka programi i ri politik i PS, Rama e cilësoi punën e bërë për hartimin e këtij programi si një gur të çmuar, ku çdo qytetar do të gjejë vetveten të pasqyruar në të. Kreu i selisë rozë, veç të tjerash theksoi se programi i ri politik i Partisë Socialiste jo vetëm që është gjithëpërfshirës, por mbart në vetvete edhe një zgjidhje konkrete. Sipas tij, nëpërmjet zgjidhjes konkrete që programi ofron, socialistët synojnë të realizojnë atë që e quajnë një rilindje shqiptare.

21 grupe pune

Për të detajuar e prezantuar këtë program të ri, janë përcaktuar 21 grupe pune, të cilat Rama i konsideron si çelësin e suksesit të zgjedhjeve të 2013-ës. Ndërkohë ai theksoi se është i rëndësishëm zgjerimi i kufijve të këtij procesi, pjesë e të cilit duhet të jenë të gjithë shqiptarët. “Ato që do t’u drejtohet grupi ynë do të jenë periferitë dhe në ato periferi duhet të ulemi me njerëzit dhe të dëgjojmë historitë e tyre, për të ngjallur besimin tek ato familje të zhytura në varfëri, se jeta e tyre mund të bëhet më e mirë. Dhe ne do ta bëjmë më të mirë”, - deklaroi Rama. Më tej, gjatë fjalës së tij, ai vijoi me renditjen e disa prej elementeve më të rëndësishme, që do të përfshihen në program. Duke u ndalur në këtë pjesë, ai përmendi ish-pronarët, ish-të përndjekurit, reformën në politikat fiskale me heqjen e taksës së sheshtë, reformën në Policinë e Shtetit, autonominë vendore, sportin, etj. Kryesocialisti tha se ka ardhur momenti për një politikë të re ku qytetarët të gjejnë vërtet veten e tyre. “Vetëm së bashku, me njëri-tjetrin, por edhe me shqiptarët, do mund të gjejmë zgjidhje të reja për probleme të vjetra që kanë mbetur pa zgjidhur. Vetëm në rast se zgjidhjet që ne do t’u propozojmë njerëzve, shumica e të cilëve do t’i ndiejë, ne do kemi mundësi të themi se mund ta udhëheqim Shqipërinë në rrugën e duhur”, theksoi Rama. Më tej, kryesocialisti Rama apeloi ndaj gjithë shqiptarëve, duke u kërkuar të bëhen pjesë e këtij programi me sugjerimet dhe propozimet e tyre konkrete. Sipas tij, kjo është një formë për të hapur Partinë Socialiste përtej mureve partiake.

Beqja: Programi përcaktoi ideologjinë e PS-së

Sekretari i programit të ri të PS-së, Ilir Beqja, e ka cilësuar programin e ri si një element kyç për të arritur sukses në zgjedhjet e ardhshme të 2013-ës. Ai u shpreh se beteja e ardhshme elektorale është thelbësisht e rëndësishme për PS, e sidomos për vendin. Ndërkohë, Beqja u shpreh gjithashtu se programi elektoral i Partisë Socialiste më 2013 duhet të jetë një program fitues. Më tej, Beqja theksoi se programi i ri i PS përcaktoi bazat ideologjike të kësaj force politike dhe se ky program bën diferencën mes PS dhe PD. “Programi i ri i PS përcaktoi bazat ideologjike të saj. Programi elektoral duhet të ndërtohet mbi të dhe të evidentojë qartë ndryshimet tona me modelin e PD-së dhe të adresojë drejtpërdrejt pasojat e keqqeverisjes së PD-së. Pra, na duhet një program që të tregojë qartë se ku dhe pse jemi të ndryshëm nga PD-ja”, - tha Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›