E Diel, 1 Nëntor 2026

TIA: Administrata publike, mangësi me transparencën

Transparency International Albania, në një konferencë të mbajtur ditën e djeshme me temë “E Drejta e Informimit mbi Dokumentet Zyrtare”, apeloi për zbatimin e ligjit mbi të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare. Sipas TIA-s, mangësitë konsistojnë në mosdhënien e informacionit, ose mosrespektimin e procedurave apo afatit 40-ditor për dhënien e informacionit nga administrata publike. “Nga rastet e prezantuara nga qytetarët pranë zyrës sonë u evidentuan këto problematika kryesore, të prezantuara si gjetje në këtë tryezë diskutimi: Probleme me përmbajtjen e përgjigjeve të dhëna nga institucionet, e cila është sipërfaqësore dhe nuk i përgjigjet në thelb informacionit të kërkuar nga publiku. Probleme që lidhen me mosnjohjen e ligjit nga qytetarët, të cilat sjellin mangësi në përpilimin e kërkesave që i drejtohen administratës”, raporton TIA. Në këtë kuadër, TIA ndau në dy kampe institucionet publike në vend, një ndarje kjo e bërë në kuadër të informimit të qytetarëve. Sipas raportit, rezulton se institucionet më të rregullta e të përgjegjshme në zbatimin e ligjit dhe informimin e qytetarëve janë: ZQRPP, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme e Avokati i Popullit. Ndërkohë, institucionet që TIA i konsideron si problematike në zbatimin e ligjit për informimin e qytetarëve janë: ALUIZNI, Zyra e Përmbarimit, Departamenti Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave, Prokuroria e Rrethit Tiranë, Ministria e Financave e Gjykata e Lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›