E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Programi i PS, kontratë angazhimesh me shqiptarët

TIRANE – Ashtu siç ishte parashikuar, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste nisi punimet në orën 11. Në fillim të punimeve, fjalën e mori i pari sekretari për programin Ilir Beqja, i cili theksoi se programi i PS-së dallon qartë nga kundërshtari politik, pasi ofron shërbime për nevojat e qytetarëve në aspekte të ndryshme. 

Gjatë fjalës së tij në punimet e Asamblesë Kombëtare, kryesocialisti Edi Rama e vuri theksin në programin e PS-së, të cilin e konsideroi si një kontratë angazhimesh përballë qytetarëve.

“Rruga e programit do të vazhdojë, është një rruge e gjatë ku komunikimi me njerëzit përbën aktin themelor, për t’i ofruar publikut shqiptar një kontratë të qartë angazhimesh.”- u shpreh shefi i opozitës.
Sipas Ramës, “tashmë zgjedhja e shqiptarëve po bëhet çdo ditë e më e qartë, ose një rilindje shqiptare ose rrënim i mëtejshëm.”

Beqja: Programi ynë, produktiv
Ora: 11:30 - Në fillim të punimeve të Asamblesë, fjalën e mori i pari sekretari për programin Ilir Beqja, i cili theksoi se programi i PS-së dallon qartë nga kundërshtari politik, pasi ofron shërbime për nevojat e qytetarëve në aspekte të ndryshme.

“Ajo që kemi përcaktuar në vija të përgjithshme në programin bazë po ndërtohet me detaje. 21 grupet e punës kanë filluar të jenë më konkretë në produktet e deritanishme. Ajo që është e rëndësishme është që në programin bazë duken qartë dallimet që kemi me kundërshtarin politik.”- u shpreh Beqja. 

“Ne jemi angazhuar për një shërbim shëndetësor universal që nuk përjashton 1 milionë shqiptarë në moshë pune pa sigurime. Shërbimi që ne do ngremë do blejë shërbimin shëndetësor për çdo shqiptar, ne do ofrojmë shërbime për atë që kanë nevojë shqiptarët”- vijoi më tej Beqja.

Riorganizimi i PS, mblidhet sot Asambleja Kombëtare
Ora:8:00 Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare, ku do të analizohet ecuria e punës për zgjedhjet në 117 njësitë vendore në gjithë vendin. Njëherësh do të bëhet dhe një bilanc i detyrës së lënë për shtimin e anëtarësisë me të rinj dhe të reja.

Asambleja do të informohet në lidhje me përfundimin e procesit të riregjistrimit të anëtarësisë së PS në të gjithë vendin, një proces që do të sjellë dhe krijimin e një database për ta përdorur më pas për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, në këtë mbledhje të radhës të Asamblesë së PS-së do të diskutohet në lidhje me përgatitjet e Partisë Socialiste për sfidën elektorale të vitit të ardhshëm, pasi është deklaruar se periudha deri në zgjedhje do të cilësohet një vit elektoral. Në mbledhjen e forumit më të lartë socialist pritet të shqyrtohen dhe çështjet e aktualitetit politik, si reforma zgjedhore apo ajo parlamentare.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›