E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Progres me titujt e pronësisë, hartëzimi digjital kusht i BE-së për përfundimin e negociatave

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot live pyetjeve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale.

Në bashkëbisedimin me qytetarët në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama u shpreh se, një nga kushtet që Bashkimi Evropian i ka vendosur Shqipërisë për përfundimin e negociatave është përfundimi i të gjithë hartëzimit digjital të pronës.

“Lejet e ndërtimit kanë kaluar në një fazë komplet tjetër. Ato janë online dhe ka një proces tërësisht ndryshe nga çka qenë vite më parë, kur unë isha kryetar bashkie, apo kur ne morën detyrën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “i jemi patjetër borxhli dhe këtë e pranoj me kokën ulur, që pavarësisht të gjitha progreseve që janë bërë qoftë në aspektin e legalizimeve, qoftë në aspektin e dhënies së titujve të pronësisë, kemi deficite për shkak të faktit që akoma nuk ka përfunduar procesi i të gjithë hartëzimit digjital të pronës”.

“Dhe nëse sot për sa i përket, për shembull titujve të pronësisë, kemi një progres të konsiderueshëm me çfarë ishte përpara se nuk ka më radha për shembull tek hipoteka dhe shërbimi merret duke aplikuar online dhe pastaj vjen me postë, nuk e kemi akoma ciklin e mbyllur dhe jemi të vetëdijshëm që sistemi ka ende korrupsion. Kjo nuk diskutohet, por ama në planin e negociatave me Bashkimin Evropian. Sepse dhe BE e ka konstatuar këtë fakt që s’do ndonjë shkencë të madhe për t’u konstatuar dhe e ka vënë një nga kushtet e përfundimit të negociatave që duhet të përfundojmë të gjithë hartëzimin digjital të pronës”, tha Rama.

Dhe, shtoi kreu i qeverisë, “kur brenda planit të negociatave që është fundi i vitit 2027 dhe për këtë na është lënë një afat 2028-a, si një kohë e ndërmjetme kur negociatat konsiderohen të përfunduara teknikisht dhe në ndërkohë çështja do të shkojë në nivelin e Këshillit Evropian dhe pastaj do të kalojë për t’u ratifikuar anëtarësimi i Shqipërisë në vendet anëtare”.

Rama gjithashtu nënvizoi se, për sa i përket proceseve të titujve të pronësisë,  është bërë një përparim shumë i madh.

“Në këtë pikë kjo është e vërtetë dhe patjetër që qytetarët kanë të drejtë të ankohen për sa i përket proceseve të titujve të pronësisë, ku është bërë një përparim shumë i madh e përsëris, sepse po të shohësh të dhënat ato flasin qartësisht për një transformim të madh në dhënien e titujve të pronësisë”, tha Rama.

Ashtu sikundër, shtoi Rama, “edhe për sa i përket legalizimeve, ku kemi arritur në gati çerek milionë legalizime. Ndërkohë që kur ne morëm detyrën legalizimet ishin disa mijëra. Çerek milion legalizime janë bërë, por ka akoma legalizime për t’u bërë dhe sigurisht që kjo është e vërteta”.

Rama u shpreh se, “këto janë ato transformime strukturore sistemike që bëjnë që integriteti i proceseve të shtetit të mos jetë i lidhur me persona, por të jetë i lidhur me makinerinë e shtetit dhe modernizimi i sistemit që bënë që korrupsioni të tkurret apo të nxirret fare jashtë nga një sistem”. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›