E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Protesta çdo ditë për krizën dhe kutitë

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryetari I Partisë Socialiste ka deklaruar edhe një herë dje se PS nuk do të ndalë të protestuari për krizën ekonomike dhe politike në vend. "Protestat që kanë nisur në gjithë vendin, do të kulmojnë më 30 prill, por do të vazhdojë në 1 maj e më tej për zbardhjen e krimit elektoral dhe ndaljen e rrënimit ekonomik", tha Rama.
Sipas tij, protesta është e vetmja rrugë për të ndalur rrënimin e një ekonomie të marrë peng nga një qeveri jo vetëm e paaftë për të nxjerrë ekonominë nga kriza. Shifrat e tremujorit të fundit dëshmojnë se ekonomia shqiptare është në degradim të vazhdueshëm dhe të pandalshëm.
"Degradim që ska asnjë gjasë të ndalet pa larguar qeverinë, që është shkaku i krizës së gjithanshme të demokracisë, të shtetit të së drejtës dhe vetë ekonomisë të futur në kutinë e shifrave të rreme", u shpreh Rama.
Vetëm në Tiranë dhe vetëm gjatë muajit mars, uji është shtrenjtuar me mbi 75%. Për qytetarët e Tiranës, fatura mujore e ujit ka arritur vlerat 30 mijë lekë të vjetra, jashtë çdo mundësie logjike për tu përballuar nga shumica dërrmuese e familjeve të kryeqytetit.
Energjia elektrike raportohet nga qeveria të jetë shtrenjtuar 8- 9% në tre muajt e fundit, ndërkohë që ligjërisht ajo është shtrenjtuar 13% (sipas ERE), ndërsa vetë qytetarët raportojnë për faturat 50 - 100% më të shtrenjta.
Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, një studim i fundit mbi konkurrueshmërinë ekonomike në vendet e rajonit, ka arritur në përfundimin se kreditë për sipërmarrjen në Shqipëri kanë interesa 2- 3 pikë më të larta se në vendet fqinjë. Dhe vetëm në dy muajt e fundit kreditë janë shtrenjtuar deri në një 1 pikë.
Rama shtoi se "është normale që përballë kësaj situate emergjente, shqiptaret dhe shqiptarët të protestojnë, të protestojnë, të protestojnë. Të protestojnë kundër një pushteti që nuk u mjaftua vetëm me vjedhjen e zgjedhjeve për të ndenjur në këmbë, por që tani kërkon me çdo kusht, të qëndrojë duke shkelur me këmbë çdo parim, normë e vlerë të bashkëjetesës demokratike".

Ky lajm është publikuar: 13/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›