E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg pa afat për gjobëvënësit e italianit

Masa Dy policët e Fushë-Krujës dhe administratori i një firme nuk e pranuan akuzën për gjobë 100 mijë euro

Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e arrestit “burg pa afat” për tre gjobëvënësit e një shtetasi italian. Sefer Dervishi, Jetnor Dushaj dhe Ermal Malaj do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve nga organi i akuzës, pasi shtetasit e mësipërm kanë tentuar t’i vënë një gjobë 100 mijë euro shtetasit italian me iniciale E.P. Para gjykatës, autorët nuk i kanë pranuar akuzat, ndërsa mbrojtja e tyre kërkoi një masë më të lehtë. Organi i prokurorisë, i përfaqësuar nga prokurori Ened Nakuçi kërkoi për tre të arrestuarit masën e sigurisë “burg pa afat”, pasi vepra penale që dyshohet se kanë konsumuar është me rrezik për shoqërinë. Bashkëlidhur, prokurori i çështjes i ka servirur gjykatës të gjitha provat që implikojnë dy punonjësit e policisë së Fushë-Krujës dhe për administratorin e firmës italiane.

Katër ditë më parë, tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohen për vënien e një gjobe ndaj një biznesmeni italian. Gjobën e vënë kanë tentuar që t’ia marrin italianit nëpërmjet mashtrimit për të mbyllur një çështje penale, megjithëse ai ka kërkuar ndihmën e policisë, që ka vënë në pranga autorët e dyshuar. Shtetasi italian me inicialet E. P, i cili ushtronte një aktivitet privat të përpunimit të lëkurave në Qarkun e Lezhës, është bërë objekt i një kërcënimi për të dhënë shumën prej 100 mijë eurosh, nga tre persona. Për këtë, prokuroria dhe policia thanë se është arrestuar Sefer Dervishi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Mamurras, administrator i firmës së kallëzimtarit E. P., Jetnor Dushaj, 24 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Fushë-Krujë, me detyrë punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës dhe Ermal Malaj, 32 vjeç. Në lidhje me këtë të fundit, hetimet nxorën në pah se ai, me detyrë punonjës policie në burgun e Fushë-Krujës ka ndihmuar dy personat e parë. Sipas kallëzuesit, shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim, i kanë kërkuar shumën prej 100 mijë eurosh, në shkëmbim të mbylljes së një problemi me policinë. Nga të dhënat mësohet se ai ka ardhur para pak ditësh në Shqipëri për të parë punët që administronte Dervishi, por këtu është zbuluar edhe e gjithë historia. Më 14 maj, Dervishi kishte futur dy policët e burgjeve t’i vënë tritol një konkurrenti në Kavajë, i cili nuk ka shpërthyer. Tritoli është vënë pa dijeninë e italianit. Ata janë shprehur se policia ishte vënë në dijeni dhe dyshonte se e kishte kryer italiani dhe për këtë kërkonin 100 mijë euro që të mbyllnin këtë problem. Megjithatë italiani njoftoi policinë dhe në bashkëpunim me ta, u bë arrestimi i tre personave.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›