E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Protesta opozitare në të gjithë Shqipërinë”



TIRANË – Partia Socialiste lajmëroi dje fillimin e protestave opozitare në të gjithë Shqipërinë. Me këtë konkluzion u mbyll takimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku ishin të pranishëm edhe drejtuesit vendorë të kësaj partie. “Berisha, ose hap kutitë, ose ik!” - tha shefi i selisë rozë në këtë takim, përmes të cilit u dha përgjigje akuzave që i bëri kundërshtari i tij politik mbrëmjen e së mërkurës. Rama shpalli skemën më të fundit që do të ndjekë në ditët në vazhdim PS-ja.
“Hapja e kutive dhe hetimi i plotë parlamentar do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë, për Parlamentin dhe për qeverinë gjithashtu”, - tha kryetari i PS-së. Sipas tij, “të dyja pushtetet janë pa legjitimitet; të dyja në një gjasme normalitet; të dyja në një krizë që duke u mohuar nuk kurohet, vetëm thellohet”. Ai ka lajmëruar protesta në çdo vend të Shqipërisë, duke ofruar mbështetje për të gjitha shtresat që po preken ekonomikisht nga reformat e kësaj qeverie.
Takimi
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, ka hapur punimet e mbledhjes informuese të zhvilluar të enjten në mesditë në ambientet e Hotel Tirana International. Gjatë fjalës së tij, Ruçi është shprehur së “ky takim zhvillohet me pjesëmarrjen e Grupit Parlamentar të deputetëve të PS-së, me sekretarët e këshillave socialistë të rretheve dhe kryetarët e partisë të bashkive në të gjithë territorin”. “Ne dhamë një kohë për reflektim për maxhorancën aktuale dhe lidershipin e vet. Kjo kohë mbaroi dhe bashkë me të edhe mosreflektimi i tij. Kështu që jemi këtu bashkërisht, për t’i dhënë përgjigjen kësaj maxhorance dhe këtij lidershipi”,- tha Ruçi.
Përgjigjja
Pas acarimit të marrëdhënieve politike mes Ramës dhe Berishës dy ditë më parë, zoti Rama ka reaguar publikisht, duke përcjellë një mesazh për anëtarësinë e PS-së dhe gjithë shqiptarët. “Sali Berisha mbylli në mënyrën më të turpshme dhjetë ditët e kohës për reflektim që ne, e gjithë opozita shqiptare, i dhamë jo në emër të arsyes së forcës, po të forcës së arsyes”, - tha kryesocialisti Rama. Sipas tij, Berisha “vendosi shenjën e barazimit mes opozitës dhe mafies; ngriti dorën ndaj nënës time, ndaj nënës së djalit tim dhe nënës së saj. Goditi rrethin tim familjar e miqësor. Pastaj edhe bashkëpunëtorin më të afërt në krye të partisë”. “Në fund të dhjetë ditëve iu kthye grupit të deputetëve, duke nxjerrë nga dollapi i armëve të vjetra të politikës së tij të përdalë një armë të stërpërdorur në vite: dosjen”, - shtoi kreu i PS-së. Rama hodhi poshtë akuzat që Berisha bëri për familjen e tij, deputetët e PS-së, komunitetin e biznesit dhe shoqërisë civile. “Grabitja e zgjedhjeve, mbyllja forcërisht e kutive të votimit dhe pika që përmbysi kupën, mospranimi i hetimit parlamentar për transparencën e plotë të procesit zgjedhor, që ne e kërkuam jo në funksion të rindarjes së mandateve, po vetëm në funksion të ndarjes përfundimtare nga kjo praktikë kriminale deformimi e vullnetit të popullit, e nxori plotësisht në pah natyrën antidemokratike të këtij pushteti dhe e bëri qartësisht të lexueshëm modelin e zgjedhur nga Sali Berisha”, - deklaroi Rama në takim me deputetët dhe drejtuesit vendorë të PS-së.
Kushtet
PS-ja kërkon hetim parlamentar të zgjedhjeve, hapjen e kutive për tri qarqet dhe hetim për qeverinë. “Hapja e kutive dhe hetimi i plotë parlamentar do të ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë, për Parlamentin dhe për qeverinë gjithashtu; të dyja pushtete pa legjitimitet”, - tha kryetari i PS-së. Sipas tij, “hapja e kutive do të ishte, shumë sinqerisht, zgjidhja më e mirë edhe për Saliun e Dytë, i cili, nga transparenca do të humbte vetëm njërën faqe, ndërsa kështu humbi të gjithë fytyrën. Tanimë për opozitën kutitë nuk janë i vetmi objektiv. Ne sot e tutje nuk do të kërkojmë më thjesht hapjen e kutive, po largimin e Sali Berishës përderisa kutitë nuk hapen”, - shtoi Rama, duke i bërë thirrje kundërshtarit të tij politik: “Hap kutitë, ose ik!”. Ai lajmëroi se kryefjala e protestave në ditët në vijim do të jetë: “Hap kutitë, ose largohu!”. Ai deklaroi se “protesta do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, përmes një opozitarizmi që do të jetë kudo ku shqiptarët përballen me pushtetin e së keqes, me pabarazinë shoqërore që thellohet e me arrogancën shtetërore që theksohet, me varfërinë e papunësinë në rritje përballë çmimeve që rriten edhe më shumë, me mungesën e mbështetjes politike e njerëzore në kushtet e braktisjes paralizuese apo të nëpërkëmbjes poshtëruese nga ana e një shteti që ekziston vetëm për pushtetarët jo për qytetarët”. “Fjalët do t’i shoqërojmë me protesta dhe protestat nuk do t’i masim me numër pjesëmarrësish, po do t’i peshojmë me rëndësinë e çështjes së çdo shqiptari në nevojë”. Ai shprehet optimist se opozita do të jetë e bashkuar në një rikthim madhështor në bulevard dhe përpara kutisë së mbyllur të Kryeministrisë, në momentin e duhur. “Do të jemi aty akoma më të shumtë e më këmbëngulës sesa më 20 nëntor”, - u shpreh kreu i partisë më të madhe të opozitës.

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›