Rama, biznesmenëve: “Hidhni në gjyq Berishën për shpifje”
Pas morisë së akuzave që lëshoi kryeministri për morinë e biznesmenëve, deputetë në radhët e Partisë Socialiste, zoti Rama u kërkoi atyre që ta hedhin zotin Berisha në gjyq për shpifje. “Më lejoni që, si kryetar i kësaj partie të madhe dhe si qytetar i një Shqipërie që 19 vjet më parë ka zgjedhur lirinë e fjalës e të sipërmarrjes, të shpreh solidaritetin e plotë timin e të Partisë Socialiste, me të gjithë ata deputetë që u përgojuan poshtërsisht nga pseudokryeministri i vendit për shkak të sipërmarrjeve plotësisht të ligjshme të tyre, të fëmijëve apo të të afërmve të tyre”, - tha Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së. Ai vijoi: “Më lejoni, po ashtu, t’ju kërkoj publikisht që ta padisni menjëherë Sali Berishën në gjykatë, pa iu ndarë për asnjë shpifje, një për një, dhe pa e falur kur t’ju dërgojë, siç e ka zakon, njerëz për të mbyllur çështjen gjyqësore se me demek kështu e paska politika”. Po ashtu, kreu i selisë rozë, tha se “të njëjtin solidaritet u shpreh edhe të gjithë atyre sipërmarrësve të lirë, të cilët u keqtrajtuan ultësisht nga foltorja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, sepse financojnë media të padëshiruara për Sali Berishën e për klanin e tij mediatik”. “Nuk bën vaki në botën demokratike që një qeveri të përgojojë sipërmarrës e të përdhosë sipërmarrje, jo më pastaj t’i qëllojë në publik si mafiozë e t’i shpallë botërisht kriminelë që meritojnë fundin e vrasësve serialë”, - u shpreh kryetari i PS-së. Dy ditë më parë kryeministri Berisha paraqiti një sërë dokumentesh, ku akuzoi kundërshtarin e tij politik si pjesë e klanit punisto-mafioz. Ai u shpreh se kryetari i Bashkisë së Tiranës u ka dhënë leje ndërtimi biznesmenëve që sot janë deputetë të PS-së dhe disa sipërmarrësve që kanë aktivitet në media dhe ndërtim. Madje, kreu i qeverisë pohoi se këto dosje do t’i çojë para Prokurorisë që të hetojë në lidhje me “krimet që ka bërë Edi Rama, duke u hequr taksapaguesve shqiptarë rreth 700 milionë euro nga trojet që u janë dhënë biznesmenëve rreth kryetarit të PS-së”. Por, Rama iu përgjigj se kryetari i Bashkisë nuk jep leje ndërtimi. Sipas tij, të gjitha lejet janë dhënë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, i cili ka në përbërje të tij 4 anëtarë, përfaqësues të maxhorancës 4 anëtarë të opozitës dhe një anëtar të zgjidhur me konsensus mes PS-së dhe PD-së.
Rama-Berisha, përplasja arrin kulmin
Gjatë tri ditëve të fundit përplasjet mes dy krerëve të politikës shqiptare kanë arritur kulmin. Situata u tensionua pas datës 20 nëntor, kur PS-ja dhe partitë e tjera të opozitës nisën protestën treditore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë periudhës 4-vjeçare të Berishës në pushtet, ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi në pjesën më të madhe të kohës. Kjo u duk në konsensusin për ndryshimet kushtetuese, miratimin e Kodit Zgjedhor dhe të gjitha reformat për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Por tashmë raportet janë tensionuar dhe akuzat kanë arritur kulmin. Madje, Berisha ka shtuar akuzat duke u marrë edhe me jetën private të zotit Rama. Fjalimi në Parlament i zotit Berisha shënoi fazën e re të konfliktit.
Ndahet nga jeta diplomati shqiptar Sokrat Plaka
Ditën e djeshme u nda nga jeta Sokrat Plaka, një nga personalitetet e njohura të diplomacisë shqiptare. Lajmi është konfirmuar nga familja, e cila lajmëron se ditën e sotme, rreth orës 12:00 do të zhvillohet ceremonia për të përcjellë trupin e tij në banesën e fundit. Plaka ka punuar për një kohë të gjatë diplomat karriere në disa vende të botës. Madje, për një periudhë të shkurtër kohe ka qenë zëvendësministër i Jashtëm. Në periudhën e ndryshimeve demokratike Sokrat Plaka ka qenë këshilltar i presidentit Alia. Edhe pas viteve ‘90 ai ka qenë aktiv në fushën e studimeve dhe konsulencës për çështjet diplomatike. Ai mori pjesë në grupin nismëtar për krijimin e Akademisë Diplomatike Shqiptare bashkë me disa nga personalitetet e njohura të kësaj fushe. Ndarja nga jeta e ambasadorit Sokrat Plaka, është një humbje jo vetëm për familjen dhe të afërmit e tij, por edhe për diplomacinë shqiptare. Përmes këtyre radhëve gazeta “Albania” i shpreh ngushëllime familjes Plaka.
4 Dhjetor 2009