Vllaznia, sfida speciale e Likës
Apolonia (vendi i 3-të, 20 pikë) pas fitores me Teutën (2-0, në Durrës) do të presë në “Loni Papuçiu”, Vllazninë, ndaj së cilës humbi në 1-0 në fazën e parë në Shkodër.
SPECIALE PËR LIKËN
Për Hasan Likën, trajnerin e dytë sezonal të Apolonisë, takimi kundër Vllaznisë ka një shije të veçantë. Ish-tekniku i Partizanit e nisi sezonin aktual në bankinën e Vllaznisë (mbijetoi 5 javë) dhe pikërisht fitoren e vetme që ai regjistroi me shkodranët ishte ajo kundër Apolonisë, me një gol në minutën e tretë shtesë të realizuar nga mesfushori Ilir Nallbani. Tashmë, gjërat janë pozicionuar në të kundërt. Hasan Lika është përballë ish-skuadrës së tij, por si trajneri i Apolonisë.
HISTORI “KUQ E BLU”
Historinë “kuqeblu” e plotësojnë edhe dy futbollistë shkodranë, por në radhët e Apolonisë: mesfushori Erjon Hoti dhe anësori Albert Kaçi, të cilët kanë shënuar nga dy gola për fanellën bardhejeshile të fierakëve. Apolonia ka sulmin e dytë më të mirë në kampionat pas Dinamos: 20 gola, ndërkohë që në shtëpi ka humbur vetëm një nga gjashtë ndeshjet e luajtura në “Loni Papuçiu”.
KOHA PËR FITORE
Trajneri Lika në dy ndeshje me Apoloninë ka arritur 1 fitore me Teutën (2-0, në Durrës) dhe 1 humbje plot polemika me Dinamon (3-2, në Tiranë). Përballja me Vllazninë, me të cilën Apolonia ka një diferencë prej +9 pikësh shihet si një mundësi e mirë për të marrë pikë të plota në “Loni Papuçiu”, kjo jo vetëm si revansh ndaj një skuadre kuqeblu jo në ditët e saj më të mira. Vllaznië në 12 javë është skuadra që ka pësuar më shumë humbje, 7 të tilla, 5 prej tyre në transfertë.
PREMIO PËR PIKË
Apolonia synon rikthimin në zonën e europiane, arenë që i mungon që nga sezoni 1999-2000, kur u eliminua nga Gent i Belgjikës në Kupën UEFA. Apolonia ka luajtur edhe kundër francezëve të Okserit në edicionin 1997-1998 të Kupës së Fituesve të Kupave, duke koleksionuar në total katër humbje në katër ballafaqimet e vetme ndërkombëtare duke shënuar vetëm një gol e pësuar 17 të tillë. Pikërisht, duke besuar në një rikthim të mundshëm, klubi fierak vendosi që për çdo pikë të marrë të shpërblejë skuadrën me 1.5 milionë lekë të vjetra në total.
Lushnja e Memaliaj, dy ndeshje pa shikues
Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dënoi Lushnjën me dy ndeshje pa praninë e shikuesve dhe 100 mijë lekë gjobë, për shkak të hedhjes së sendeve të forta në fushë gjatë ndeshjes Lushnja-Bylis (0-0, java 12, Kategoria e Parë). Disiplinori ndëshkoi me nga 50 mikë lekë gjobë trajnerin e Lushnjës, Artan Bano dhe atë të Bylisit, Ilir Spahiu. Sulmuesi i Lushnjës, Dorian Bubeqi, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë (9 gola) u pezullua dy ndeshje dhe 30 mijë lekë gjobë. Klubi i Memaliajt për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës gjatë ndeshjes kundër Partizanit (1-1, java 12) e goditjes të pjesëtarit të stafit te ekipit kundërshtar (drejtorit teknik të Partizanit, Agim Kënga) nga tifozët pas përfundimit të ndeshjes në bazë të Kodit të Drejtësisë Sportive do të zhvilloje dy ndeshje pa shikues dhe u ndëshkua me 100 mijë lekë gjobë.
3 Dhjetor 2009