E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Protestojmë kundër korrupsionit të qeverisë “Berisha”

22/12/2009  Socialistët i mbyllin tubimet e këtij viti përpara Parlamentit
Partia Socialiste mbylli dje fazën e dytë të aksionit të saj politik përmes protestës së zhvilluar përpara selisë se Parlamentit. Në këtë mënyrë, duke përfunduar dhe këtë fazë të dytë të manifestimeve, e projektuar si rruga më e mirë bërë të transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, kampi rozë pritet të rinisë në fillim vitin e ardhshëm një tjetër fazë kundërvënie ndaj shumicës në Kuvend. Por kësaj radhe ky organizim i ri nuk do të ndërpritet deri në hapjen e kutive, ose në të kundërt deri në largimin e kryeministrit Berisha. Megjithatë, edhe pse një fazë jo e shtrirë në kohë, protestat e zhvilluara gjatë kësaj jave, përfshirë këtu dhe manifestimin e djeshëm, i mëshuan me forcë kësaj çështjeje, pa harruar të trajtohen dhe probleme që lidhen çështje jetike për njerëzit. Ndërkohë, referuar tubimit të djeshëm, në të gjitha fjalimet u vu re gjuha e ashpër dhe kritike ndaj kreut të ekzekutivit. Madje, jo në pak raste veç kritikave emrit të kryeministrit iu bashkëngjitën një sërë epitetesh, ku natyrisht kishin si qëllim të theksonin pikërisht akuzat e drejtuara në adresë të tij. “Berisha nuk është stalinisti i fundit. Stalinisti i fundit është Jozefina Topalli, Berisha është Stalini i fundit”, - u shpreh kreu socialist Edi Rama gjatë fjalës së tij përpara protestuesve, të vendosur kësaj radhe përpara godinës së Parlamentit. Por këtë gjuhë Rama e pasuroi më tej kur iu referuar grevës së urisë të ndërmarrë nga të përndjekurit politikë. “Ky pushtet nuk ka veshë për të përndjekurit e regjimit komunist. As zemër për të qarë me ta sinqerisht hallet e vjetra, që sua zgjidh dot. Ka vetëm gojë për të vjellë përditë vrerin e urrejtjes ndaj opozitës, duke folur sot për kundërshtarët njësoj siç fliste dje diktatura për të deklasuarit. Me libër shtëpie. Me mallkime e të shara, që ngjajnë si të nxjerra nga veprat e Enver Hoxhës”, - u shpreh Rama. Megjithatë, duke mos anashkaluar arsyen e këtij manifestimi, kryetari i PS-së nënvizoi se “ne protestojmë duke i thënë kryeministrit-pinok: hap kutitë ose largohu, gënjeshtar, sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e grabitur, por edhe vendimi i popullit sovran për një politikë të re për energjinë. Për burime të reja energjie, që nuk varen nga korrupsioni e klientelat.” Ndër një sërë arsyesh që çuan në një nismë të tillë, veç kërkesës për hapjen e kutive të votimit si një normë bazë e themeltare e demokracisë, këto manifestime që u rimorën përgjatë javës që shkoi, por dhe që do të rinisin më 2011-n, u zhvilluan dhe për të ngritur zërin fortë për rritjen e çmimit të energjisë, taksës së biznesit të vogël, që e klasifikon si të madh, pagat, pensionet e kështu më radhë.
Mesazhi
“Tani që karrigia po u zhytet në qelbin shpërthyes të ekonomisë së gangrenizuar nga korrupsioni, nga borxhet e shtetit të bëra litar në fytin e popullit e nga shpenzimet e shfrenuara për ti marrë popullit vota me shirita si të Kalimashit, e mira e vendit po u kujtohet mes rreshtave të fjalimeve e deklaratave plot të shara dhe kërkojnë nga ne të ndajmë përgjegjësitë për të përballuar krizën e shkaktuar prej tyre. Të gjitha nuk harrojnë ti thonë, përveç kutive. Në kuti janë të gjitha, është përgjigjja jonë”, - ky ishte mesazhi i lëshuar dje nga Rama.
Pankartat
Kryefjala e protestës së fundit për vitin që po lëmë pas e Partisë Socialiste, sikundër pritej, ishte pikërisht slogani drejtuar kryeministrit Berisha:- “Hap kutitë ose largohu!”. Ndërkohë të gjitha pankartat e mbajtura nga manifestuesit ishin të përqendruara në një frazë të tillë. Kështu, e projektuar si një manifestim për ti mëshuar kësaj çështjeje, socialistët zgjodhën që ti paraprijnë aksionit të madh të janarit me zhvillimin e një sërë miniprotestash në qytete të ndryshme të vendit. Ndërkohë që në fillimin e vitit të ri këto protesta do të shtrihen dhe më gjerë, duke u mbështetur dhe nga partitë të radhitura si aleate të Partisë Socialiste. Kjo të paktën është bërë e ditur nga vetë kampi rozë, pas pakënaqësive të krijuara nga disa aleatë të socialistëve, të cilët pritën që të ishin të ftuar që në këtë fazë.
Dialogu
“Ne jemi gati për një dialog demokratik, të barabartë, të vërtetë dhe të hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë, që thellohet, jo për dialog të kushtëzuar me moshapjen e kutive”, - iu përgjigj Rama ftesës për dialog mes pozitës dhe opozitës. Sipas tij, ky nuk quhet “dialog”, por mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin, ashtu siç bëri Berisha me zgjedhjet, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së. “Ta harrojnë se kjo opozitë u bëhet kalë për të kaluar lumin. Ta harrojnë se kjo opozitë rikthehet në Parlament për të mbajtur fjalime mbi kutitë e mbyllura. Ta harrojnë se e mbajnë dot me pahir e me “sikur” një pushtet që nuk buron nga vullneti i popullit sovran, po nga deformimi e korrupsioni elektoral”, - vlerësoi Rama duke u ndalur në këtë çështje.
Qëndrimi
“Lëvizja jonë, që ka nisur para 3 muajsh, do të vazhdojë deri në fund. Asnjë deputet nuk mund të tërhiqet. Asnjë deputet nuk mund të blihet. Asnjë deputet nuk mund të manipulohet. Tellallët e Sali Berishës i kanë bërë hesapet pa hanxhinë. Me milionat që ata kanë vjedhur, mund të blejnë çdo gjë, po kurrsesi deputetët socialistët. Ne nuk e matim nderin me metër, dhe as dinjitetin me kilogram. Prandaj u themi: atë portë të Parlamentit ne do ta kalojmë vetëm kur të bëhet në dritë të diellit transparenca e plotë e zgjedhjeve, vetëm kur të hapen kutitë”, - u shpreh deputeti i PS-së Namik Dokle gjatë fjalës së tij mbajtur përpara protestuesve. Por ndërkohë, duke e qartësuar më tej qëndrimin e PS-së në javët në vijim, Dokle nënvizoi se “sot përmbyllim javën e protestave të dhjetorit, për të rinisur edhe më fuqishëm në vitin e ardhshëm”.
Deklarata
Balla i rikujton Berishës fyerjet për politikanët
Deputeti i PS-së Tauland Balla risolli dje në kujtesë fyerjet e lëshuara në kohë nga kryeministri Berisha për figura të ndryshme të politikës shqiptare. “Berisha do të mbahet mend në politikën shqiptare si gojëpërdali më i shfrenuar, që me shpifjet, fyerjet dhe sharjet e veta nuk ka kursyer askënd, duke shkelur çdo normë morali e ligji, por edhe për paburrërinë për tu përballur në gjykatë e prokurori sa herë që këto institucione i kanë kërkuar të dëshmojë lidhur me pisllëqet që nxjerr nga goja e tij. Sot po sjell në vëmendjen e shqiptarëve çka thënë Berisha për të ndjerin Azem Hajdari e për Ilir Metën”, - u shpreh Balla. Ndalur te fyerjet për Metën, Balla veçoi: “Për PD-në Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri: të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Nuk do të jetë e largët dita kur ai do ta mbyllë jetën e tij pas hekurave të burgjeve.” Njëkohësisht Balla vijoi më tej me çfarë ka thënë dhe sa e ka fyer Sali Berisha të ndjerin Azem Hajdari. Sipas Ballës, për Sali Berishën Azem Hajdari ishte një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, një shërbëtor i Ramiz Alisë. “Duke gjykuar mbi faktet e jo mbi fjalët, kemi të drejtë të themi se kishim dy Azemë. Ai i mitingjeve, që bënte gjëmën, dhe ai në jetë, që bëhej mik me Irakli Koçollarin e sigurimsa të tjerë, dehej sa nuk e kontrollonte se çnxirrte nga xhepat.”
Xhaçka
“Zëdhënësi i Berishës, Meta, ironik me shqiptarët”
Partia Socialiste sulmoi ashpër zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta. “Zëdhënësi i Berishës dhe njëherësh ministri ynë i Jashtëm Ilir Meta në retorikën e tij për integrimin na bëri me dije se Shqipëria historikisht ka qenë vendi i fundit në renditjen e rajonit, duke harruar të na shpjegojë pse ne vazhdojmë të mbetemi ende të fundit”, - vuri në dukje deputetja e PS-së Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj referuar deklaratës së ministrit Meta. Po në këtë linjë, Xhaçka nënvizoi se “është e turpshme që një ministër që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për ta çuar këtë vend përpara justifikon paaftësinë e tij e premtimet e pambajtura të Sali Berishës duke theksuar se kemi qenë gjithnjë të fundit”. Duke mos hequr dorë nga një kundërvënie e tillë, ajo shtoi se “shqiptarët kanë dy dekada që janë ndarë me referencat e së kaluarës historike që na kujtoi zoti Meta dhe ti referohesh sot prapambetjes nga qeverisja në kohën e Ahmet Zogut apo të Enver Hoxhës, kur Shqipëria ka hyrë në NATO dhe shqiptarët meritojnë të prekin ëndrrën e tyre europiane, do të thotë të tallesh me fatin e tyre. Shqipëria, zoti Meta, mund të mos justifikojë kryesimin e vendeve të rajonit, por nuk ka asnjë arsye që të rreshtohet e fundit. E detyra juaj dhe e atyre që ju mbajtët në pushtet me vota të trafikuara është ta çoni këtë vend përpara e jo ta lini në vend-numëro.”
Akuza
Dogjani: Qeveria ka harruar banorët e izoluar të Veriut
“PS-ja denoncon këtë qeveri, që nuk i ka në hesap fare disa qindra e mijëra banorë që janë të bllokuar nga bora që prej disa ditësh në komunat e qarkut të Kukësit”, - ky ishte qëndrimi i ardhur dje nga selia rozë përmes deputeti të qarkut të Kukësit Asllan Dogjani, i cili shprehu shqetësimin për kushtet në të cilat ndodhen banorët e këtyre zonave. “Qeveria nuk duhet të harrojë se në këto zona banojnë njerëz, fëmijë, pleq, gra, burra, që kanë nevoja të ndryshme, apo të sëmurë, që kanë nevojë të shkojnë në spital. Ka dy ditë rresht që shumë qytetarë kuksianë, shqiptarë, qytetarë të Kosovës, mes të tyre gra e fëmijë, kanë mbetur të bllokuar me orë të tëra apo kanë kaluar natën në të ftohtë në Qafën e Malit, për shkak se rruga është bllokuar nga bora dhe nga qeveria nuk është marrë asnjë masë për pastrimin e saj, mungojnë borëpastrueset dhe nuk bëhet fjalë për hedhjen e kripës në rrugë”, - vlerësoi ai. Për këtë arsye PS-ja i bëri thirrje qeverisë dhe drejtuesve të saj të marrin masat e duhura në ndihmë të këtyre banorëve. “Qeveritarët tanë nuk kanë sy dhe veshë për të parë se çndodh në Veri të vendit. Partia Socialiste bën thirrje të merren masa të menjëhershme për këta banorë, të cilët i ka pllakosur jo vetëm varfëria, por dhe indiferenca e vazhdueshme e kësaj qeverie ilegjitime, që nuk i konsideron kuksianët, tropojanët, hasianët shtetas të barabartë me çdo qeveritar të vendit”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›