Çelen aplikimet për kandidatët shqiptarë
22/12/2009 Universitetet në Francë
Kandidatët e interesuar për ndjekjen e studimeve të larta në një nga universitetet franceze për vitin akademik 2010-2011 duhet të paraqiten për plotësimin e dosjes së aplikimit. Ambasada e Republikës së Francës në Tiranë ka publikuar edhe afatet se kur duhen kryer veprimet për pranimin e dosjeve të konkurrimit për të gjithë kandidatët e interesuar. Burimet zyrtare të këtij institucioni kanë bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se dosjet për pranimin paraprak në vitin e parë në universitetet franceze për vitin e ardhshëm akademik mund të tërhiqen pranë zyrave të Shërbimit e Bashkëpunimit dhe Veprimit Kulturor të kësaj ambasade sipas afateve zyrtare tashmë të përcaktuara. Zyrtarisht aplikimet do të çelen më datën 5 janar. Aplikimet për pranimin e dosjeve do të vijojnë deri më 29 janar 2010, ku aplikimet do të pranohen çdo ditë nga e hëna në të premte ora 15:00–16:00. Megjithatë, është vendosur si kusht i domosdoshëm që dorëzimi i dosjeve në ambasadë duhet të bëhet para datës 31 janar 2010, në të kundërt do të quhen të pavlefshme, duke i përjashtuar nga fazat e përzgjedhjes. Me mbylljen e procedurës së aplikimit kandidatët do t’i nënshtrohen testimit specifik. “Pas dorëzimit të dokumentacionit aplikantët do t’i nënshtrohen një provimi lidhur me njohjen e gjuhës frënge (TCF), i cili do të organizohet në hotelin “Tirana Internacional” më 15 shkurt 2010 nga ora 9:00 deri më 13:00”, - pohohet nga burimet zyrtare të ambasadës franceze. Dhënia e provimit mbi njohuritë e gjuhës do të jetë i detyrueshëm për të gjithë kandidatët që do të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të larta në fushat e caktuara pranë universiteteve franceze. Megjithatë, nga ky rregull do të bëjnë përjashtim vetëm nxënësit e seksioneve dygjuhëshe dhe nxënësve që kanë nivelin DELF B2 dhe DALF C, të cilët i kanë të kualifikuara njohuritë e kërkuara mbi gjuhën. Gjatë fazës së aplikimit personat e interesuar mund të marrin informacionet e duhura në lidhje me programet studimore që do të ofrohen pranë këtyre strukturave akademike për studentët e huaj.