E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrëmben” 14-vjeçaren, dyshohet se do ta prostituonte

22/12/2009  Policia shpall në kërkim vajzën, ndalon 23-vjeçarin. Dyshohet se e ka fshehur
GRAMSH-Një 23-vjeçar është ndaluar nga policia pasi akuzohet se ka mashtruar një të mitur për ta shfrytëzuar më pas për prostitucion. Burime të policisë bëjnë të ditur se pas denoncimeve të familjarëve dhe hetimeve paraprake dyshohet se më 15 dhjetor Gerald Shqipe, 23 vjeç, ka marrë vajzën e mitur me inicialet XH. K. për ta shfrytëzuar si prostitutë.
Zhdukja e minorenes
Pas zhdukjes së vajzës familjarët kanë vrapuar në polici ku edhe kanë bërë denoncimin. Agjentët pasi kanë marrë në pyetje persona që kanë parë së fundi vajzën kanë arritur tek emri i 23-vjeçarit që ishte parë së fundi në qytet duke ngacmuar vajzën 14-vjeçare. Dyshohet se ai i ka mbushur mendjen që ajo ta shoqëronte dhe më pas sipas policisë ka të dhëna që ta ketë detyruar që të bëhet prostitutë. Aktualisht vajza nuk dihet se ku ndodhet ndërsa 23-vjeçari është ndaluar dhe është duke u marrë në pyetje nga policia. Nga hetimet e para mësohet se djali dyshohet se e ka mashtruar të miturën duke i thënë se e donte dhe se do ta merrte për grua, por mesa duket qëllimet kanë qenë krejt të tjera. Aktualisht vajza është shpallur në kërkim policor. Janë lajmëruar të gjitha komisariatet e vendit sidomos ato kufitare për gjetjen e të miturës. Dyshohet se vajza është fshehur nga autori. Policia e Fierit ka filluar kërkimet në vendet ku i riu mund ta ketë strehuar vajzën. Aktualisht i riu megjithëse nuk ka pranuar akuzat do të duhet të përgjigjet për shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese. Zona e Gramshit është konsideruar problematike për sa i përket rrëmbimit dhe trafikimit të vajzave për prostitucion. 10 vitet e para të demokracisë kanë qenë mjaft problematike dhe fenomeni mori përmasa alarmante. Tashme rastet janë sporadike, megjithatë, vazhdojnë duke shfrytëzuar sidomos ato vajza të pambrojtura dhe të pashkolluara. Është rasti i parë vitet e fundit që merret një vajzë e kësaj moshe dhe policia dyshon për prostitucion. Këtë vit në Elbasan janë evidentuar nga policia 1 rast për ushtrim prostitucion, 2 raste për “shfrytëzim për prostitucion në rrethana rënduese” dhe tre raste për trafikim të femrave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›