Rama: Protestojmë për festa, pasi nuk do kemi mundësi t’i festojmë atoNga TemaPartia Socialiste vijoi dje protestat në qytetin e Elbasanit, duke vënë sërish theksin te kriza ekonomike që ka kapluar vendin. Kryetari i PS, Edi Rama, tha se po protestoh
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Protestojmë për festa, pasi nuk do kemi mundësi t’i festojmë atoNga TemaPartia Socialiste vijoi dje protestat në qytetin e Elbasanit, duke vënë sërish theksin te kriza ekonomike që ka kapluar vendin. Kryetari i PS, Edi Rama, tha se po protestohet për festa, për shkak se njerëzit nuk kanë me çfarë t’i festojnë ato.
“Sot më tha një dashamirës: “Pse protestoni, kur njerëzit duan të festojnë?” Përgjigjja ime është: Ne protestojmë, sepse njerëzit e kanë të pamundur të festojnë. Ne protestojmë, sepse Shqipëria, që jeton jashtë oborrit të Familjes në pushtet, e ka të pamundur të festojë për Krishtlindje dhe Vit të Ri. Në vend që të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës së vigjiljes së Vitit të Ri. Ja pse protestojnë ne.
Në vend që të mendojmë për dhuratën e fëmijëve për Krishtlindjet, të gjithë prindërit që deri dje mendonin të merrnin edhe një rrogë tjetër shpërblim për punën në shërbim të shtetit, nuk do të marrin as rrogën e përmuajshme, as rrogën e shpërblimit. Ja pse protestojmë ne”, - tha Rama.
“Në vend që të presin festat për të kaluar ca ditë e net të ngrohta me fëmijët, nipërit e mbesat tyre, 540 mijë pensionistët e këtij vendi, presin me drithërimë janarin, kur nën derë do t’iu hyjë fatura e re e energjisë. Ja pse protestojmë ne.
Në vend që të festojnë edhe ata si gjithë të tjerët, 46 mijë invalidë, të harruar në këtë vend, kanë muaj që nuk marrin atë që u takon me ligj. Ja pse protestojmë ne.
Në vend që Krishtlindjet dhe Viti i Ri të sillnin pak më shumë gëzim për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar, ata kanë marrë lajmin se për çdo trokitje te mjeku do të paguajnë deri në 5 herë më shumë. Ja pse protestojmë ne.
Në vend që t’i gëzoheshim më shumë festave, duke shitur më shumë me çmime më të ulëta si për festë, biznesmenët e vegjël të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë presin në dyqanet bosh janarin e tmerrshëm, që i fut në regjimin e TVSH dhe tatim-fitimit. Ja pse protestojmë ne”, - vijoi më tej kryetari socialist.
Rama tha se atyre që dolën në mitingun e 8 dhjetorit, Berisha tani po u merr paratë nga xhepi.
“Atyre që mblodhi përdhunisht në sheshin “Skënderbej”, me urdhër të paligjshëm drejtorësh dhe lista apelesh apo të konvikteve të Enverit, me autobusë e trena, nga të katërt anët, duke bërë tym 4 milionë euro, tym për të bërë gjysmë ore miting kundër opozitës, sot Sali Berisha u merr lekët e Vitit të Ri nga xhepi, sepse s’ka lekë në arkën e zbrazur për karrigen e tij më 28 qershor, u merr edhe shpërblimin e merituar, sa një rrogë, për punën që kanë bërë një vit dhe iu qesh si Xhokeri i Batmanit, duke iu dhënë vetëm një lëmoshë, pasi iu ka premtuar 1000 dhurata marramendëse, kur iu mori votën”, - tha Rama.
Kryetari i PS tha se luste Zotin që kriza të kalonte me sa më pak dhimbje për shqiptarët.
“Por pa dyshim, viti 2010 do të jetë periudha e një rizgjimi të dhimbshëm për shqiptarët, jo vetëm për të varfrit, të papunët, pensionistët, por edhe për sipërmarrësit e vegjël, të mesëm dhe madje edhe për të mëdhenjtë, që nuk hyjnë në grushtin e pushtetit të Familjes. Ekonomia shqiptare është paralizuar nga mungesa e konkurrencës së lirë, që është oksigjeni i një ekonomie tregu, nga mungesa e tregut dhe kapitaleve investuese, pa të cilat nuk ka prodhim dhe punësim. Nga mungesa e kushtetutshmërisë mbi pronën dhe vendosja e ligjeve të xhunglës për pronën. Nga mungesa e një shteti në shërbim të qytetarit dhe në shërbim të sipërmarrjes së lirë. Mungesa e një sistemi drejtësie të pavarur, mungesa e një sistemi arsimor, që kualifikon fuqinë punëtore të vendit dhe të tjera halle të mëdha për faj të interesave të vogla. Viti 2009 po mbyllet me 0% rritje ekonomike dhe fundi me shifër negative nën zero, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh pas më shumë se 10 vjetësh, duke vepruar si një taksë e fshehtë mbi çdo njeri që fut dorën në xhep”, - tha Rama.
Leskaj: Premtimi elektoral për hidrocentralin e Banjës la pas një viktimë
Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, tha dje në Elbasan se Berisha premtonte në fushatë se, sa të ishte ai kryeministër, nuk do rritej çmimi i energjisë.
“Viti 2010 do jetë akoma edhe më i vështirë, sepse qeveria nuk pyeti për interesat e publikut, kur përdori për dy vjet buxhetin për interesa elektorale. Jemi në këtë gjendje, sepse ky njeri nuk na dëgjoi, as ne, as ndërkombëtarët, kur kriza kishte filluar të na prekte. Nuk bëri asnjë kërkesë për të mbrojtur njerëzit nga kriza. Jemi në krizë, sepse shteti është kapur nga monopolet buxhetore, sepse bujqësia nuk u mbështet nga qeveria. Ky është një njeri që nuk e merr për gjë gënjeshtrën. Në fushatë tha se, sa të jem unë kryeministër nuk ka rritje të çmimit të energjisë, por sot kemi një marrëveshje me një kompani të nënshkruar nga vetë Sali Berisha, kontratë e cila e rrit çmimin e energjisë, jo një vit, po çdo vit deri më 2014”, - tha Leskaj.
Deputetja socialiste përmendi dhe një tjetër rast të mashtrimit elektoral të Berishës, atë me hidrocentralin e Banjës.
“E mbani mend ç’tha, kur erdhi në hidrocentralin e Banjës? “Kemi hapur vende pune”. Gënjeu. Por aty s’ka as makineri, asgjë.
E vetmja gjurmë që ka lënë kryeministri është dhimbja e një familjeje që humbi djalin e saj 24 vjeç, sepse vajti të bënte një kërkesë për punë aty. Ajo që na ka ofruar me shumicë Berisha, është barka e mbytur e kësaj ngrehine që quhet shtet.
Ky njeri nuk e ka për gjë të thotë gjëra të rënda për gratë, fëmijët e familjet, për çdokënd që nuk është mbështetës i tij, prandaj i themi: Hap kutitë ose largohu! Ne nuk do rreshtim së kërkuari të vërtetën e 28 qershorit”, - tha Leskaj.
Balla: Vetëm Argita ka mbi 23 mijë metra katrorë të regjistruara në bregdet
Deputeti i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, tha dje se vetëm e bija e Berishës ka të regjistruar 23 mijë metra katrorë në bregdet. “Sali Lulzim Fazlliç Bode hap kutitë ose largohu! Berisha na vuri mbi supe një kosto tjetër, gjyshërit dhe gjyshet të mos marrin shpërblimet, sepse paratë e tyre i prishi në fushatën e vet elektorale, por edhe në një miting, ku njerëzit ishin të paguar edhe të detyruar të ishin aty, se Berisha u tha: O vendin e punës, o në miting!
Berisha do mbahet mend si kryeministri i pandehur për shumë arsye, se vrau në Gërdec, shumë shpejt i pandehur edhe për tunelin.
Berisha vodhi më shumë se 230 mln euro, u vjedh shqiptarëve pronat dhe ka vjedhur gjithë bregdetin. Vetëm Argita ka të regjistruar me shumë se 23 mijë metra katrorë tokë në bregdet. Ne nuk do heshtim së kërkuari hapjen e kutive për të shporrur këtë hajdut pronash, trojesh. Për herë të parë, viti mbyllet nesër, Sali Berisha u ka dhënë urdhër të gjitha degëve të Thesarit që të mos bëjnë asnjë pagesë, sepse nuk ka lekë. Hap kutitë ose largohu! - thotë Elbasani, Librazhdi, Peqini dhe e gjithë Shqipëria”, - tha Balla.
PS: Berisha t’u japë rrogat mësuesve
Deputetja socialiste, Ledi Shamku, kërkoi dje që Berisha t’u japë paratë mësuesve në dispozicion.
“Po mbushen tre muaj që mësuesit e dispozicionit nuk kanë marrë ende asnjë gjysmë leku për shërbimin që u kanë ofruar nxënësve. Po mbushen tre muaj që këta argatë fatkëqij shtyjnë ditët, gojëkyçyr prej zorit që të ndjehen për rrogën që u takon. Ndaj mësuesit nuk flasin, por ne i themi Sali Berishës: Jepu rrogat ose largohu!
Sali Berisha harxhoi 2 milionë euro vetëm për banderola, me papërgjegjshmërinë e tij la pa rroga gjithë mësuesit me kontratë.
Sikur të mos mjaftonin grevat studentore të urisë, mësuesit e marrë peng nëpër mitingje komuniste apo të flakur në mes të katër rrugëve, se nuk u binden borive ogurzeza të këtij palo ahengxhiu, sikur të mos mjaftonte rreshti i stërgjatë i mësuesve të papunë, sot edhe ata mësues të punësuar, u dashkan t’i shërbejnë veresie shefit të analfabetizmit, e të mbajnë barkun me dorë, ata dhe fëmijët e tyre, pasi rrogave nuk po u duken gjurmët”, - tha Shkreli.
“Ne i themi Sali Berishës që rroga për ty nuk është asgjë përballë fitimeve të shumta që të sjell biznesi i kryeministrit, por për familjet, të cilat jetojnë me punë të ndershme rroga është jetë dhe mbijetesë. Ndaj të bëjmë thirrje: Jepu rrogat ose largohu! Sali Berisha, ke përdhosur e po përdhos si mos më keq një nga figurat më të shtrenjta të këtij kombi - mësuesin. Jepu sot këtyre burrave e grave rrogën që u takon me ligj e me të drejtë ose përndryshe përgatitu të ikësh me turp, duke marrë mbi shpinë gjithë neverinë e dhjetëra-mijëra arsimtarëve që sot, veç tjerash, të tregojnë me gisht edhe si njeriun që i vuri kazmën arsimit në Shqipëri! Jepu rrogat mësuesve, Sali Berisha ose largohu!”