E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qendra e re e pritjes në Sarandë lehtëson lëvizjen, shërbime për qytetarët e turistët

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ “Saranda Welcome Center” është qendra e re e mirëpritjes për pasagjerët dhe turistët në Portin e Sarandës. Investimi përmirëson përvojën e vizitorëve dhe lehtëson qarkullimin, duke shërbyer si portë moderne për qytetin.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga qendra e re e pritjes shumëfunksionale në Sarandë, duke theksuar se investimi synon të lehtësojë lëvizjen dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët dhe turistët që vizitojnë qytetin bregdetar.

Sipas Ramës, qendra ofron një sërë shërbimesh dhe infrastrukturash të dedikuara, mes të cilave vendparkim për automjete, hapësira për autobusët turistikë, stacione për taksi, parkim për biçikleta, pika karikimi, biletari dhe pikë informacioni për vizitorët, si edhe ambiente shërbimi, përfshirë bar dhe restorant.

Në videon e publikuar nga kryeministri shfaqet edhe një turiste nga Manchesteri i Anglisë, e cila vlerëson kushtet e terminalit.

“Jam Lucy nga Manchester, Angli. Sot jam në terminal për të udhëtuar drejt Tiranës. Terminali është shumë i bukur, është i madh dhe i organizuar. Kjo do të thotë se ka më shumë hapësirë për autobusët. Është i pastër, ka tualete dhe gjithë lehtësirat e nevojshme”, u shpreh ajo.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›