E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat totale në buxhet për periudhën janar-qershor arritën 410.6 miliardë lekë

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën janar-qershor reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat totale, për periudhën janar-qershor 2026, arritën në rreth 410.6 miliardë lekë ose me realizim 105 % të planit të periudhës.

Ndërkohë po sipas Ministrisë së Finanacve, shpenzimet e përgjithshme publike, për të njëjtën periudhë arritën në rreth 357.8 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.4 % të planit të periudhës.

Sa i përket të dhënave për performancën paraprake të të ardhurave dhe shpenzimeve për janar-qershor 2026, sipas MF-së, të ardhurat totale, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u rritën me rreth 44.5 miliardë lekë ose 12.2 % më shumë, një realizim në masën 49.9 % të planit vjetor të mbledhjes së të ardhurave.

Gjithashtu, të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për gjashtëmujorin e parë të vitit janë në shumën 260.1 miliardë lekë, 4.4 miliardë lekë ose 1.7% më shumë se plani për periudhën. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë mbledhur 17.8 miliardë lekë ose 7.3% më shumë.

“Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën janar-qershor 2026, u realizuan në shumën 141.5 miliardë lekë, 12.9 miliardë lekë ose 10% më shumë se gjashtëmujori i vitit 2025. Krahasuar me planin e gjashtërmujorit, të ardhurat e mbledhura janë 6.3 miliardë lekë ose 4.6% më shumë”, njoftoi MF.

Ndërkohë, të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në shumën 41.6 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 25.4% më shumë se gjashtëmujori 2025, dhe me realizim në shumën prej 6.3 miliardë lekë ose 17.9% më shumë se plani për gjashtëmujorin e vitit 2026. Sakaq, rimbursimet e dhëna për periudhën janë në shumën 7.9 miliardë lekë.

Po sipas të dhënave të MF-së, të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 31.1 miliardë lekë, një realizim në masën 85.2% të planit për gjashtëmujorin 2026.

“Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën janar-qershor 2026, janë në shumën 47.6 miliardë lekë, 6.8 miliardë lekë ose 16.6% më shumë se gjashtëmujori i vitit 2025, si dhe 6.3 miliardë lekë ose 15.4% më shumë se plani për gjashtëmujorin 2026”, njoftoi Ministria e Financave.

Sipas MF-së, të ardhurat nga taksat nacionale u realizuan në shumën 21.3 miliardë lekë ose me realizim në masën 95.6% të planit të periudhës.

“Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, u realizuan në shumën 99.2 miliardë lekë, 11.6 miliardë lekë ose 13.3% më shumë se gjashtëmujori 2025, si dhe me realizim prej 102.8% të planit të periudhës”, njoftoi Ministria e Financave.

Gjithashtu sipas të dhënave, të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), u realizuan në vlerën 118.6 miliardë lekë, 4.9 miliardë lekë ose 4.3% më shumë se gjashtëmujori i vitit 2025. Realizimi i planit ishte në nivelin 98.5% e planit të periudhës.

“Të ardhurat nga TVSH në import, janë 79.1 miliardë lekë, 3.2 miliardë lekë ose 4.2% më shumë se gjashtëmujori i vitit 2025, si dhe realizim me 98.7% e planit për periudhën gjashtëmujore 2026”, njoftoi MF.

Ndërkohë sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga akciza janë realizuar në shumën 33.6 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 4.6% më shumë se gjashtëmujori i vitit 2025, si dhe realizim në shumën 492 milionë lekë ose 98.6% të planit për gjashtëmujorin 2026.

“Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, janë në shumën 923 milionë lekë, një realizim prej 84.8 % kundrejt planit të gjashtëmujorit 2026. Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar-Qershor 2026, janë në vlerën 5 miliardë lekë, 463 milionë lekë ose 10.3% më shumë se periudha gjashtëmujore e viti 2025, si dhe realizim prej 96.2% kundrejt planit të gjashtëmujorit 2026”, njoftoi Ministria e Financave.

Sa i përket shpenzimeve, Ministria e Financave bën të ditur se shpenzimet e përgjithshme publike shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 6 mujore të vitit 2026, arritën në rreth 357.8 miliardë lekë me një realizim në masën 97.4% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025 ky zë ka rezultuar 7.5% më i lartë ose rreth 24.8 miliardë lekë më shumë.

Sipas saj, shpenzimet kapitale, për periudhën 6 mujore të vitit 2026, rezultuan në 36.8 miliardë lekë, 103.8% në raport me fondet e planifikuara për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10.2% më i lartë ose rreth 3.4 miliardë lekë më shumë.

“Shpenzimet korente, për periudhën 6-mujore të vitit 2026, rezultuan në rreth 321.1 miliardë lekë, ose me një realizim në masën 97.4% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 7.2% më i lartë ose rreth 21.4 miliardë lekë më shumë”, njoftoi Ministria e Financave.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›